Prokurori i 5 tonëve kanabis shqiptar: Mafia është në gjendje të manipulojë zgjedhjet

535
Mëngjesin e së enjtes, prokurori italian i anti-mafias, Nicola Gratteri doli përpara medias për të lajmëruar arrestimin e 25 personave, që kanë trafikuar pesë ton hashash nga Shqipëria drejt Italisë.
Mes të arrestuarve, emra të njohur të mafias kalabreze Ndrageta. Por këto ditë, telefoni i prokurorit Gratteri nuk ka pushuar. Kjo për shkak se ai është ndoshta eksperti më i mirë për mafien italiane Ndrageta, e cila bashkëpunon shumë ngushtë me shqiptarët.
Arsyeja e telefonatave?
Vrasja e një gazetari sllovak, që thuhej se po hetonte lidhjet e Ndragetës me politikën sllovake.
I pyetur nga gazeta gjermane “Die Welt”, Gratteri thotë se Ndrageta i ka shtrirë thellë rrënjët në Europën Lindore.
“Ajo është aktive prej 20 vitesh. Ajo madje është në gjendje që të manipulojë proceset zgjedhore”. Prokurori thotë se gjatë hetimeve kanë zbuluar se anëtarët e Ndragetës kishin ndikuar në zgjedhjet për deputet në Gjermani.
I pyetur nëse mund të kenë ndikuar edhe në zgjedhjet sllovake, ai nuk jep një përgjigje.
Por ku e ka shtrirë ndikimin Ndrageta?
Kryesisht në Bullgari, Rumani, Shqipëri dhe Mal të Zi.
Eksperti tjetër, italiani Francesco Forgione thotë: “Politikanëve u interesojnë paratë e mafias, ata mund t’i shërbejnë kështu klientelës së tyre dhe të manipulojnë zgjedhjet”.
Paratë e krimeve pastrohen kryesisht në ndërtim.
Para pak ditësh, një zyrtar i lartë italian tha se mafia shqiptare është dominuese në Itali.
Ajo bashkëpunon ngushtë me Ndragetën dhe klane të tjera.


Sigal