Projektet 2018/ Kryebashkiaku Vangjush Dako në bashkëbisedim me gazetarët, fokusi kryesor shërbimi ndaj qytetarëve

36
Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako në një komunikim me gazetarët ka folur rreth prioriteteve dhe investimeve të Bashkisë së Durrësit për këtë vit si dhe ju është përgjigjur pyetjeve për tema nga më të ndryshmet që lidhen me punën e Bashkisë së Durrësit për qytetin. Kryebashkiaku Dako deklaroi se objektivi i këtij viti është shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve të Durrësit. Po kështu ai ka deklaruar se këtë vit është caktuar buxheti më i madh ndonjëherë për kopshtet dhe shkollat pasi rreth 20 % e buxhetit të Bashkisë do të përdoret për kopshte dhe shkolla të reja si dhe mirëmbajtja dhe rikonstruksioni i atyre ekzistuese. Kryebashkiaku Dako deklaroi se investimet e Bashkisë së Durrësit nuk bëhen vetëm në qendër të qytetit por janë të shtrira në të gjitha zonat e Bashkisë së Durrësit, në Ishëm, Manzë, Rrashbull, Katund i Ri dhe Sukth duke punuar- deklaroi ai – për të plotësuar sa më shumë nevojat e qytetarëve të Durrësit në çdo zonë ku ata ndodhen. Një nga investimet e rëndësishme që vijon këtë vit është ai i sistemimit të kanalizimeve të ujërave të zeza i cili është një projekt i Bankës Botërore. Pas zonës së plazhit projekti shtrihet edhe në bregdetin në lagjen 1 të qytetit në zonën e Currilave, projekt me vlerë 5 milion euro dhe në përfundim të tij nuk do të ketë më ujëra të zeza as në këtë pjesë të bregdetit. Sot nga Shkëmbi i Kavajës deri në Agip nuk ka asnjë derdhje të ujërave të zeza në det pasi në sajë të investimit të rëndësishëm të Bankës Botërore ato derdhen në impiantin e përpunimit të këtyre ujërave që ndodhen në Shënvlash dhe është impianti më modern në Shqipëri për këtë qëllim deklaroi Dako, i cili shtoi se më pas në vijim të projektit do të sistemohet edhe zona e Currilave dhe në përfundim të këtij projekti do të stabilizohet përgjithmonë situata e kanalizimeve të ujërave të zeza në qytet. Po kështu kryebashkiaku Dako deklaroi se gjatë këtij viti do të investohet edhe në sistemimin e kanaleve të ujërave të larta gjë që do të sjellë përmirësim të ndjeshëm në situatën e përmbytjeve ku rreth 1 milion dollarë do të investohen në rehabilitimin e kanalit kryesor të ujërave të larta që përshkon qytetin dhe arrin deri në Portoromano. Në investimet e shumta të këtij viti kryebashkiaku foli edhe rreth investimit madhor sheshi Drejtësia pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve, po kështu gjatë këtij viti do të realizohen investime të ndryshme në infrastrukturë në të gjitha zonat e Durrësit, rikontruksioni i Pallatit të Sportit Ramazan Njala, sistemi i ngrohjes në teatrin Aleksandër Moisiu si dhe shumë investime të tjera me qëllimin sipas kryebashkiakut Dako për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve të Durrësit.