Prof. Sazan Guri: Qytetarët do mbrojnë Teatrin

560
Sigal

PATAT (KULLAT) LAJMËRUAN ROMËN (TIRANËN) – QYTETARËT DO E MBROJNË ATË

Tirana u zgjodh nga Kongresistët e Lushnjës si kryeqendër e Shqipërisë, ku deri në prag të viteve `90, ajo klasifikohej si qytet i hijshëm europian, me blloqe ndërtimi të paqme e katror (ish blloku), me lagje me vila elitare karakteristike (rreth RTVSH), me pallate të ulta e të ujdisura me intuitën e arkitektëve gjeometër të asaj kohe (shallvaret, pallatet Agimi), me lagje me shtëpi tipike Tiranase (Kodra e Kuqe) deri në lagje vakëf me shtëpi me qerpiç (Varri i Bomit), me rrugë që nuk dalin dot boje qysh për 200 vjet e më tepër (Bulevardi Madh). Mbi të gjitha, ajo dominohej nga një gjelbërim i krahasueshëm me Berlinin, ku çdo Tiranasi, sikundër dhe një Berlinezi i binte të kishte për hise 15m2 blerim, dhe nëse do të përfshihesh dhe kurora e gjelbërt e saj (vargu Selitë, Farkë, Dajt), Tirana mbetej modeli i bashkëjetesës njeri-natyrë. Po sot?! Ç`po ndodh me Tiranën dhe Tiranasit? Ajo, sot është një qytet burg i vërtetë, sepse qytetarët e mençur ia mbathën drejt perëndimit të largët, qytetarët trima lanë kockat nëpër burgjet e diktaturës dhe qytetarët e ardhur të saj, guxojnë të bëzajnë tinëz dhe “timid” deri në mejhanet kafene, se këta, Tiranët po e betonojnë Tiranën. Fatmirësisht, të tria këto shtresa qytetarësh kanë mundur të prodhojnë koracën e tyre mbrojtëse, pjesën e qytetarëve të shqetësuar (artistët), që guxojnë të maten jo tinëz, por si gardianë të mendimit të lirë e shkencor me bajlozët me topuz betoni, që kësaj radhe vijnë nga Qeveria, dhe jo siç jemi mësuar nga deti. Ku po vete Tirania, sot? Mbasi kemi mbi 25 vjet, që jetojmë në një qytet ku pluhuri ka pak ajër; mbasi ende marrim ujë me racion, aq sa të tjerët në vende të tjera rrëkëllejnë birra; mbasi përballemi me politika mbi ajrin që vrasin çdo vit në Tiranë rreth 600 veta; sot na hidhet një tjetër zar, ai i një projekti Kulla me Teatër brenda. A mund të na thoni ju Tiranët e urbanizimit gri të Tiranës, se cili qytet në Europë ka ndërfutje të së kaluarës me të sotmen. Madje, ka qytete si Berlini, Parisi, Praga, Budapesti e pothuajse të gjitha qytetet e Europës me jetëgjatësi sa Tirana, që nuk kanë lejuar as edhe një ngërdheshje të tillë për hir të konstitucionit arkitekturor të qytetit të vendosur nga intuita popull në kohëra historike. A mund të na thoni ju tiranët e betonizimit të Tiranës, se cili prej Perandorëve, Mbretërve, Presidentëve, apo Kryebashkiakëve ka mundur të ndërhyjë në objektet me vlerë historike, tradicionale, sikundër po bëhet me Teatrin dhe me 72 veprat monumentale përgjatë Bulevardit të Madh? Sa për dijeni për qytetarët, ajri, sot në Tiranë hyn nga veriperëndimi, freskohet në liqenin e madh dhe në kodrat përreth dhe cirkon për të dalë po nga ajo anë, por tashmë duke freskuar qytetin. Megjithëse, për atë, që nuk di ku shkon nuk ka rëndësi drejtimi i erës. Që të bindeni pyesni tiranasit e vjetër, se si gjysma e Bulevardit të Madh nga treni deri tek sheshi Skënderbe ka temperaturë tjetër se ajo nga sheshi deri tek korpusi. Po nesër, kur të kemi kullat, prapa 15 katëshit, prapa muzeut, prapa Bankës Kombëtare e prapa teatrit? Ç`do të bëhet me kondicionerin natyral tonin. Mund të sajohen dhe të blihen kondicionerë, që të freskojnë shtëpitë tuaja, por për ajrin jashtë, kurrë nuk do të gjenden mjete dhe kurrë nuk do të mund t`i blini ato sado të sofistikuara qofshin, për ta freskuar atë. Pastaj paturpësia qenkërka fare e paskrupullt, kur merr vesh se studio gjoja prestixhioze vijnë e paraqiten, për një investim qindra miliona euro, për një investim në një zonë të ndjeshme, për një zonë me rëndësi historike, me projekte që kurrë nuk i bëjnë dot në vendet nga vijnë. Në vendimet e dhëna për këtë zonë lexon se zona e Teatrit dhe vetë Teatri quhet i degraduar. Mirë mor vlla, po kush jeni ju që vendosni mbi jetët tona? Boll vendosët me pallatet lara lara! Bëhet shumë zoti Tiran. Sepse të kemi zgjedhur për të na rregulluar mënyrën e jetesës, dhe jo për të na e vrarë atë. Po si do të thoni ju. Dihet se çdo person thith 8,000-10,000cm3 ajër me oksigjen, mundësisht me ozon për 24 orë. Mirëpo, ajri për hektarë është pothuajse sasi konstante, që do të thotë se ky oksigjen në vend se të përpjestohet për maksimum 100 njerëz/hektarë do të shkojë për 1500 të tillë/ha, pra mua si qytetar më është sekuestruar ose më sakt më vidhet lënda e parë bazë për të jetuar O2 ose O3. At’herë llogaritet që të ndjejmë temperaturën mbi 10 gradë më tepër, që nuk është pak mbi një maksimum të mundshëm (mesatarisht 360-380) të saj gjatë stinës së verës. Tirana, nëse lejohet ky projekt famëkeq e fatkeq dënohet me burg të përjetshëm, sepse do të hapet sipari i uzurpimit “bunker kulla” të qyteteve të tjera në Shqipëri, që presin radhën për deformim urban. Mos harroni se patat e lajmëruan sulmin ndaj Romës, por ishin qytetarët Romak që e mbrojtën atë, kështu dhe ju të dashur Qytetar. Tetri po bëhet sebep që ju qytetarët e Tiranës të dukeni qytetarë.