Prof. Dr. Zamira Çavo: Pa ndryshuar sistemin zgjedhor, nuk ka të ardhme për shqiptarët dhe Shqipërinë. Kriza politikë, e stisur

814
Sigal

Prof. Dr. Zamira Çavo, politologe

Kriza politike tek ne është krizë e stisur për të fshehur krizën e vërtetë ekonomike, sociale e morale të vendit. Kjo elitë politike është e gatshme, sa herë ndjehet e rrezikuar, të “shpikë” një krizë të tillë. Kryetarët e partive duan reformë zgjedhore që t’u sigurojë atyre monopolin politik

 

Pa ndryshuar sistemin zgjedhor, nuk ka të ardhme për shqiptarët dhe Shqipërinë

Jakup B. GJOÇA

 

Prof. Dr. Zamira Çavo, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet skeptike për marrëveshjen mazhorancë-opozitë dhe shprehet se kryetarët e partive politike kërkojnë një reformë zgjedhore pa ndryshuar sistemin zgjedhor, të atillë që t;u garantojë atyre kontrollin dhe monopolin politik. Prof. Çavo thotë se pa ndryshuar sistemin zgjedhor, nuk ka të ardhme për shqiptarët dhe Shqipërinë. Prof. Çavo, duke iu referuar mosdakordësisë së VV dhe LDK në Kosovë, për të mos formuar qeverinë e re, shprehet se “Elitat tona politike nuk kanë asnjë respekt për institucionet dhe, për rrjedhojë, nuk arrijnë të ndërtojnë shtet! As Albin Kurti!”.

-Prof. Çavo a mendoni se Opozita ndryshoi 100 % strategjinë e saj politike derisa pranoi të jetë pjesë e Reformës Zgjedhore kur deri pak ditë më parë deklaronte se nuk pranonte Reformë Zgjedhore me Gjiknurin e Dosjes “184” si bashkëkryetar të Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore?

– Në mendimin tim arsyetimi fillon më atë çka ka ngjarë me opozitën gjatë vitit që lamë pas. Kjo Opozitë, me lënien e mandateve, u shndërruar brenda një kohe rekord në një opozitë gramafonike. Pra një opozitë që përsërit slogane sharje, banalizime dhe tek tuk ndonjë mbështetje të ndonjë revolte të pjesshme (sikundër ishte revolta e banorëve të Unazës së Madhe), por që nuk arriti kurrë të shndërrohej në promotor idesh frymëzuese dhe aktiviteti politik agresiv. Opozita nuk gjeti dot asnjë mundësi për të treguar vlerat e saj politike. Kjo rrugë që zgjodhi zhvlerësoi në maksimum kreditet politike të saj. Krerët e opozitës u bënë më shumë objekt shakash e sarkazmash (nuk po them sharjesh) duke i shndërruar në personazhe që, jo vetëm nuk frymëzojnë, por nuk garantojnë as besim për të ardhmen. Kjo e fuqizoi edhe më shumë Edi Ramën, i cili u ndje komod me plotësimin e parlamentit me “krundet” që vetë kjo opozitë ia kishte ofruar më parë. Rama bëri si deshi vetë dhe opozita reale politike mbeti me gisht në gojë. Me afrimin e datës së mbërritjes së ambasadores së SHBA-s në Tiranë, (ashtu sikundër ka ndodhur fillimisht me çdo ambasador të SHBA-ve) ringjallet dhe nevoja për ta “pasur mirë” me SHBA nëpërmjet syve të ambasadores së re. Nëse do vazhdonin të ishin jashtë tryezave politike, sikundër kishin deklaruar edhe më parë, Opozita përfundimisht dilte jashtë lojës politike. Ndaj vendimi për të marrë pjesë është një hap i detyruar nga klima politike që realisht po krijohet në vend.

– Sipas jush, cilët faktorë e detyruan Opozitën të pranojë të ulet në tryezë për Reformën Zgjedhore?

– Jua thashë më sipër. Reforma zgjedhore është e vetmja mundësi për ta bërë opozitën të jetë pjesë e tryezave politike, por ka edhe një arsye tjetër: Të ruajnë të paprekur reformën zgjedhore, e cila t’u mundësojë edhe më tej kryetarëve të partive të “zgjedhin” cilin të duan , duke pasur kështu në dorë gjithçka që i përket jetës politike në të ardhmen.

– A do të jetë kjo marrëveshje Mazhorancë – Opozitë për Reformën Zgjedhore që të kemi zgjedhje të pranueshme nga të gjitha palët politike?

– Për palët nuk kam asnjë dyshim që do të merren vesh me njëra tjetrën. Madje, ua kam thënë kohë më parë edhe juve në një intervistë. Kurrë mos harroni se kjo elitë politike do ndërmarrë ndonjë reformë që cenon interesat e veta dhe i jep popullit më shumë mundësi! Në mendimin tim Shqipëria ka nevojë për një sistem tjetër zgjedhor, si hap të parë me maxhoritar e më pas me referendum e me një qeverisje si Zvicra. Por kjo mbetet ideal për mua. Shqiptarët do vazhdojnë të votojnë sipas dëshirave të kryetarëve të partive të cilët bëjnë edhe ligjet sipas interesave të tyre. Unë nuk besoj në reformat që bëhen në Shqipëri nga kjo klasë politike. Pra nuk besoj se Reforma zgjedhore do të bëjë ndonjë përjashtim në këtë fushë. Pa ndryshuar sistemi zgjedhor nuk ka rezultate pozitive për të ardhmen.

– Kryesimi i OSBE nga Shqipëria, Samiti i Zagrebit të BE në maj 2020 ku pritet të merret vendimmarrja për hapjen e negociatave për Anëtarësim, kjo marrëveshje për Reformën Zgjedhore a janë parakushte të zgjidhjes së krizës politike?

Kriza politike tek ne është krizë e stisur për të fshehur krizën e vërtetë ekonomike, sociale e morale të vendit. Kjo elitë politike është e gatshme sa herë ndjehet e rrezikuar të “shpikë” një krizë të tillë. Për rrjedhojë njerëzit të “frymëzuar” edhe nga media që u shërben klaneve të kësaj elite, ndjekin më vëmendje çfarë ndodh e si ndodh me pozitë opozitën. Madje kam dëgjuar nga dje dëshira të ngjashme me atë zonjën nga Berati, që dikur thoshte: “Aman se nuk duam as punë e as ujë e drita vetëm ju të merreni vesh me njëri tjetrin”! Me këtë dua të them se “Kriza” politike zgjidhet e më tej rizgjohet përsëri sipas interesave të elitës së korruptuar politike shqiptare.

– Kjo marrëveshje a është prolog për zgjedhje të parakohshme parlamentare? A janë të domosdoshme zgjedhjet e parakohshme parlamentare?

– E mbani mënd? Që nga 2014 e deri më sot, çdo muaj është folur për zgjedhje të parakohshme parlamentare! Nga sot ka mbetur vetëm një vit. Dhe më tej, deri në maj, kur ju përmendët samitin e Zagrebit, nuk ka për të pasur ndonjë shpresë për zgjedhje të parakohshme. Pas majit çdo gjë vjen në rrjedhën e vet, pasi edhe ligjërisht mund të shpallin datë zgjedhjesh, që i bie të jenë në vitin e duhur elektoral! Opozita nuk do zgjedhje të parakohshme. Ajo nuk është e përgatitur për këtë. Madje, nëse nuk merr masa serioze, Edi Rama do jetë sërish fitues! Personalisht mendoj se Opozita ende nuk e ka kuptuar strategjinë e Ramës dhe mënyrën se si ai loz në skakierën politike brenda dhe jashtë vendit, që të mundësojë goditjen në pikat e tij të dobëta politike. Ndonjëherë më vjen ndërmend shprehja e Ramës :“Unë do iki kur të dua vetë e jo kur të duan njerëzit”. A janë të domosdoshme zgjedhjet e parakohshme? Kanë qenë të domosdoshme. Sot është tepër vonë për ta shtruar si problem. E Keqja është OPOZITA, e cila nuk krijon dot besim për të ardhmen.

-Ç’mund të na thoni për ngjarjet në Kosovë?

– Po dëshmojnë edhe njëherë se sa vështirë e kemi ne shqiptarët të jemi të përgjegjshëm e të respektojmë institucionet. E kam thënë që ditën kur shqiptarët e Shqipërisë u ekzaltuan me numërimin e votave në Kosovë: Elitat tona politike nuk kanë asnjë respekt për institucionet dhe, për rrjedhojë, nuk arrijnë të ndërtojnë shtet! As Albin Kurti!

– SPAK u ngrit. Mendoni se u ngrit edhe sipari i fillimit të dënimit të Korrupsionit të zyrtarëve të Lartë?

– Le të shpresojmë. Fundja nuk kemi zgjidhje tjetër.

-Faleminderit!