INTERVISTA/ Kastriot Islami: Skemë makiavelike e Ramës për të vënë nën kontroll Gjykatën Kushtetuese dhe të gjithë Gjyqësorin

446
Jakup B. GJOÇA
Kjo “ngrirje” e Gjykatës Kushtetuese bëhet për të hequr mundësinë e dërgimit nga opozita, apo dikush tjetër në Gjykatën Kushtetuese të ligjeve, marrëveshjeve, apo VKM që konsiderohen prej tyre antikushtetuese. Ky do të jetë momenti i kontrollit politik të sistemit kushtetuese ose, thënë ndryshe, i “vdekjes” së sistemit demokratik
Tashmë Gjykata Kushtetuese nuk mund të funksionojë, sepse ka 5 anëtarë, kur Kushtetua e përcakton, se numri minimal i anëtarëve, duhet të jetë të paktën 6. “Ngrirja” e Gjykatës Kushtetuese, është edhe “ngrirja” e demokracisë, pasi askush nuk mund të gjykojë ndonjë ligj, VKM etj, nëse është kushtetuese apo jo. Prof. Dr. Kastriot Islami, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se ngrija e Gjykatës Kushtetuese i intereson kryeministrit Rama, dhe është skemë makiavelike dhe vendosja e kontrollit të tij mbi vetë Gjyqësorin dhe Gjykatën Kushtetuese. Prof. Islami analizon se problemi filloi me hartimin e miratimin e NJËANSHËM të 7 ligjeve për zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe vazhdoi me hapin e dytë të rrezikshëm nga kryeministri Rama, me ngritjen e institucioneve e përcaktimin e kritereve për filtrimin e gjyqtarëve e prokurorëve dhe emërimit të tyre. 
Prof. Islami, siç po zbatohet praktikisht Vettingu deri tani, a fitoi besueshmërinë e qytetarëve se po bëhet Katharsisi i Gjyqësorit?
– Të gjithë forcat politike miratuan me konsensus ndryshimet kushtetuese për reformën e drejtësisë, sepse ato ishin të konsultuara edhe me Komisionin e Venecias. Problemi filloi me hartimin dhe miratimin e njëanshëm të 7 ligjeve për zbatimin e reformës së drejtësisë; duke hedhur hapin e gabuar drejt vendosjes së gjyqësorit nën kontroll politik, më saktë të Ramës, meqë ai kontrollon i vetëm shumicën parlamentare. Hapi i dytë i rrezikshëm u hodh gjatë zbatimit të të 7 ligjeve, që kishin të bënin kryesisht me dy çështje madhore: 

1) ngritjen e institucioneve e përcaktimin e kritereve për filtrimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve; 
2) dhe, ngritjen e institucioneve për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. 

Edhe institucionet e vetingut edhe ato të emërimeve u “zaptuan” përsëri nga Rama, duke i hapur rrugën kontrollit të plotë të gjyqësorit. Përmes një taktike makiavelike lehtësisht të kuptueshme: 

I. largimin si të korruptuar të të gjithë atyre gjyqtarëve, apo prokurorëve, që Rama i kishte paracaktuar apo cilësuar “kundërshtarë” të kupolës së tij oligarkike; 
II. dhe cilësimin të pastër të të gjithë atyre i konsideronte pjesë të “klientelës” së tij. 

Natyrisht, e gjithë kjo skemë makiavelike dhe diabolike e sofistikuar, e shoqëruar me një “bombardim mediatik” nga media, që Rama e kontrollon, do të krijonte përshtypjen, sikur njerëzit po e mbështesnin këtë reformë. Hilet dhe veprimet tinëzare janë aq të maskuar e kamufluara, që bëhen vështirësisht të zbulueshme edhe nga “arbitrat”, një pjesë e të cilëve, thuhet në media se janë përzgjedhur në mënyrë të dyshimtë. Si përfundim, mund të thuhet se përmes kësaj reforme, Rama po vendos nën kontroll sistemin e drejtësisë, jo vetëm për momentin, por edhe për të ardhmen. Dhe e keqja e madhe është se cilido që zbulon këtë “skenar” të vendosjes nën kontroll të drejtësisë, Rama, përmes medias të tij të paguar me paratë e korrupsionit, krimit dhe të narko-trafiqeve, e etiketon si “mbrojtës të korrupsionit në drejtësi”. 

– Prof. Islami, cilat janë prapaskenat politike, që shkaktuan kolapsin e Gjykatës Kushtetuese?
– Kjo “skemë” e vënies nën kontroll të drejtësisë u aplikua me shpejtësi për dy institucione, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Gjykatën Kushtetuese. Prokurori i Përgjithshëm me mandat të përkohshëm u zëvendësua në mënyrë antikushtetuese, të njëanshme politikisht, në një klimë tensioni në Kuvend. Unë nuk merrem as me emrin e prokurorit të larguar, as të asaj të emëruar, por me procedurën, e cila është antikushtetuese, nëse i referohemi direkt ndryshimeve të fundme kushtetuese, por nëse i referohemi atyre në mënyrë indirekte, përmes ligjit, që është ndryshuar tinëzisht dhe në mënyrë të njëanshme, që realisht është në dhunim të Kushtetutës. Perceptimi politik, por edhe i një pjese të madhe të publikut është se Rama ka vënë nën kontroll institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe po e përdor atë për gjueti shtrigash, pavarësisht lojës që Rama bën me median e tij mjerane që e kontrollon. Kurse, për sa i përket Gjykatës Kushtetuese, Rama ka hedhur vetëm hapin e parë, përmes kontrollit të institucionit të Vettingut, duke paralizuar kështu funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo “ngrirje” e Gjykatës Kushtetuese do të vazhdojë deri kur në fazën e dytë të emërimeve të anëtarëve të saj, nga “rezervuari” i gjyqtarëve të seleksionuar nga institucioni nën kontroll i Vettingut, Rama do të vendosë nën kontroll të plotë edhe Gjykatën Kushtetuese. E gjithë kjo bëhet për të hequr mundësinë e dërgimit nga opozita, apo dikush tjetër në Gjykatën Kushtetuese të ligjeve, marrëveshjeve apo VKM, të cilët konsiderohen prej tyre antikushtetuese. Ky do të jetë momenti i kontrollit politik të sistemit kushtetuese, ose thënë ndryshe, e “vdekjes” së sistemit demokratik. 

– A duhet të jetë edhe Gjykata Kushtetuese subjekt i Vettingut, derisa anëtarët e saj i voton Parlamenti dhe kuptohet që votat e dhëna nga Parlamenti nuk janë Vettingu?
– Askush nuk është kundër, që edhe Gjykata Kushtetuese të reformohet, sipas parimeve dhe kritereve që do të aplikohen për të gjithë sistemin e drejtësisë. Problemet janë dy. 

Së pari, sistemi i reformimit të drejtësisë, pra më konkretisht, edhe Vettingu dhe Emërimet në gjyqësor, janë nën kontrollin e Ramës; për rrjedhojë edhe Gjykata Kushtetuese do të vendoset nën kontrollin e Ramës, duke “pastruar nga Gjykata Kushtetuese të gjithë kundërshtarët” dhe duke “emëruar në Gjykatën Kushtetuese të gjithë anëtarët e klientelës së tij”; ky është problem. Askush, as opozita dhe as kundërshtarët e kësaj skeme makiavelike të Ramës, nuk janë kundër reformës në drejtësi dhe nuk mbështesin emra konkretë, madje i kanë mbështetur me konsensus të gjithë ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi, por janë kundër vendosjes së Gjykatës Kushtetuese nën kontrollin e Ramës. 

Së dyti, zbatimi i të dy fazave të reformës në drejtësi për Gjykatën Kushtetuese, si dhe për të gjithë pjesët e tjera të gjyqësorit, duhet të realizohej sipas një kalendari, që nuk e paralizon Gjykatën Kushtetuese apo gjyqësorin në pjesë të ndryshme të tij. 

Si përfundim, mund të them, që gjithçka po ndodh, është një “skemë makiavelike” e Ramës për të vënë nën kontroll Prokurorinë e Përgjithshme, Gjykatën Kushtetuese dhe Gjyqësorin në tërësi. Po aq makiavelike është edhe bombardimi i opinionit publik me me median e klientelës, që paguhet me paratë e pista të korrupsionit, të lidhjeve të qeverisë me klanet mafioze dhe nga narko-trafiqet. Edhe sulmi politik nga vetë Rama, apo mediatik që i bëhet të gjithë atyre që e akuzojnë Ramën për vënie të drejtësisë në kontroll është po ashtu makiavelik dhe i ngjashëm me gjyqet politike të diktaturës.

– Vettingu edhe i Gjykatës Kushtetuese a mund të shikohet të konceptohet të kujtohet si “katharsis” politik i saj nga maxhoranca e cila, me përzgjedhjen e saj të anëtarëve të Komisionit përkatës të Vettingut, rrëzon dhe zgjedh këdo anëtar që te Gjykata Kushtetuese?
– Përmes kësaj skeme makiavelike Rama dhe kupola e tij klienteliste po vendosin nën kontroll të plotë edhe gjyqësorin. Gjyqësori i duhet për:
I. gjueti shtrigash kundër çdo opozitari dhe kundërshtari të ndershëm e të pastër dhe 
II. për të bërë pastrimin e parave dhe të figurës së anëtarëve të kupolës oligarkike, korruptive, të inkriminuar dhe të lidhur me narkotrafiqet. 
Me aplikimin e kësaj skeme makiavelike Rama dhe kupola do të kenë nën kontroll te plotë:
a) zgjedhjet dhe institucionet zgjedhore
b) biznesin; 
c) median, 
d) shoqërinë civile; 
e) dhe më së fundmi edhe Gjyqësorin në përgjithësi deri në Gjykatën Kushtetuese. 

Kështu i hapet rruga një regjimi jo thjesht “korruptiv-oligarkik” të një grushti njerëzish të pasur ,por edhe “autoritarist e deri diktatorial”, sepse përmes kontrollit të gjithçkaje Rama dhe kupola e tij do të tentojnë edhe të dobësojnë, rrudhin, kompromentojnë, shkatërrojnë e burgosin opozitën dhe kundërshtarët politikë, ndërkohë, që do të sigurojnë pushtetin, duke blerë votat dhe kërcënuar votuesit. Sigurisht, që ekonomia e rrënuar do të shkojë shumë shpejt në humnerë. Papunësia dhe varfëria do të rriten me shpejtësi. Gjithnjë e më shumë qytetarë do të emigrojnë drejt BE dhe SHBA. Këto nuk janë deklarata politike, shumë shpejt qytetarët do të ndeshen me këto rreziqe. Ndërkohë, që Rama, duke i varfëruar çdo ditë dhe duke i kërcënuar me burgosje, i ka vrarë ndjenjën e reagimit dhe të shpresës. Vendi është në një udhëkryq të rrezikshëm.
Sigal