Prof.Dr.Tritan Kalo/ Shëndetësia,”kurbani” më i madh në 26 vjet tranzicion

835
Sigal

Gazeta Telegraf/ 



Prof. Dr. Tritan Kalo



Pa dashur të justifikoj askënd, sepse në fund të fundit “erratum
humanum est” (“gabimi është njerëzor”), jam i detyruar si mjek, që më dhimbset
bluza/manteli i bardhë të cilën mbaj mbi supe, si dhe 41 vitet e kaluara në
mjedisin tonë mjekësor, fillimisht si student dhe më pas si profesionit i këtij
mjedisi, të bëj komentin e mëposhtëm…

Në këtë kohë kakofonie kanabisore, në këtë kohë moszbatimesh të
Ligjit të Dekriminalizimit apo të ashtuquajtures Reformë në (Pa)Drejtësi, duhet
me patjetër larguar vëmendja nga problemet madhore egsistencialiste të këtij
populli:

1.         pasiguria ose
pamundësia për të patur bukë në sofër tre herë në ditë;

2.         frika për
sigurinë e jetës;

3.         frika për
ardhmërinë e arsimimit e edukimit të fëmijëve;

4.         pamundësia për
të patur një të ardhur të qëndrueshme nga mungesa e vendeve të punës;

5.         harbutëria,
cinizmi dhe aprofesionalizmi ulëritës i administratës shtetërore dhe e prijësve
të tyre në çdo qelizë funksionale të saj;

6.         papërgjegjshmeria
dhe padurueshmëria për t’u ulur dhe dëgjuar problemet që shqetësojnë këdo në
këtë vend dhe jo për të marrë opinione prej bythëlëpirësve kronikë të çdo
qeverie; etj, etj, dhe largimi më i mirë i vëmendjes është bërja e
“kurbanit” të rradhës, një kurban i cili gjindet më lehtë,
perceptohet më lehtë nga publiku si dhe i shitet atij edhe më lirë…

“Kurbani” më i madh i këtyre 26 viteve tranzicion ishte,
është dhe do të mbetet edhe për disa kohë Shëndetësia Publike. Me të janë bërë
dhe vijojnë të bëhet eksperimente nga më të ndryshmet, por në asnjë çast nuk
është ulur e biseduar seriozisht me grupet e interesit, për shqetësimet e tyre
si dhe për mënyrën e rrugët që duhen ndjekur në zgjidhjen e tyre, sepse
Shëndetësia jonë Publike ka një çerek shekulli që lëngon e pasojat e këtij
lëngimi i vuan në rradhë të parë qytetari i këtij vendi, meqënëse shtetarët e
tij e kanë patur dhe e kanë atë mundësi financiare për t’u kuruar si në
institucionet më të mira shëndetësore private të vendit apo jashtë tij…

Por çfarë ka ndodhur me Shëndetësinë tonë Publikë në këto 26 vite
zhagitjesh “demon-grafike”?…

1.         Për ta drejtuar
atë janë caktuar të gjithë, përveç profesionistëve të aftë, menaxhuesve të aftë
dhe idealistëve të përkorë të kësaj fushe esenciale për mbarëvajtjen e
zhvillimin dhe egzistencën e vetë KOMBIT, të substraktit të saj njerëzor.

2.         Për të
përgatitur profesionalsiht e cilësisht në një shkallë të admirueshme Mjekët dhe
Teknicienët e ardhshëm, ruajtësit dhe kujdestarët e ardhshëm të këtij substrakti
njerëzor, pak është vrarë mendja në cilësitë objektive të kurrikulave dhe në
cilësitë profesionale të kurrikulzbatuesve. Më shqetësues është fakti se pak
ose shumë pak punohet për integrimin e tyre sa më të shpejtë në profesion, duke
i “yshtur” ata të largohen përditë jashtë vendit, edhe pse ne kemi 2.5-3 herë
më pak mjekë dhe infermjerë, për të njëjtin numër banorësh në raport me vendet
e Bashkimit Europian.

3.         Organizimi dhe
shpërndarja racionale e dhënies së ndihmës shëndetësore, të shërbimit parësor
kudo që ka banorë ky vend, kudo që ndihet e nevojshme ajo, është thembra e
Akilit të këtij sistemi të rrënuar.

4.         Qytetet dhe
Spitalet Rajonale, pa folur për Qendrën e vetme terciare të Vendit, Qendrën
Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, janë mbushur me mjekë të pafundë në
kurriz të mungesës së tyre aty ku ata më shumë nevojiten. Qytetet tona janë të
tejmbushura me klinika të pafundme, kur reklamohet të ofrohet gjithçka, porse
jam plotësisht i bindur se ajo që realizohet aty pak ose shumë pak e justifikon
cilësisht reklamimin e shërbimeve që ofrohen.

5.         Ndër vite, por
sidomos vitet e fundit ka një babëzi për marrje titujsh shkencorë në kurriz të
cilësisë shkencoro-profesionale sa shpejt do të vij një ditë, që në trupën e
“shërbëtorëve” të Shëndetësisë do të ketë më shumë Doktor Shkencash e
Profesorë, se sa mjekë të thjeshtë, të cilët janë ata që shërbejnë dhe
përkujdesen për shëndetin e popullit në “linjën e parë të betejës për jetën”.

6.         Në drejtimin e
shërbimeve dhe të klinikave jo vetëm në QSUT po kudo, në më të shumtën e
rasteve janë po ato “monumente të shëndetësisë” të mbrojtura prej dhjetra
vitesh nga Partia/Partitë, nga meskinitetet, nga nepotizimi, nga kioskëzimi i
tyre, nga mosdëshira për të bërë ndryshime rrënjësore në përmbajtje dhe jo në
formë, sepse për forma e bojatisje, ja kalojmë në shumë raste edhe vetë
“piktorit qeveridrejtues”.

7.         Politikbërja
profesionale në fushat e ndryshme të Shëndetësisë Publike, me aq sa ajo lejohet
të bëhet nga politikbërësit politik të rradhës, u “ka rënë për barrë” disa
veteve, edhe ato/ata “momumente poltikbërëse” dhjetra vjeçare, të cilët përveç
meskinitetit për të ruajtur me çdo kusht dhe me çdo çmim atë kënaqësi
opinionare dhe financiare të cilën ua jep ai vend pune, pak ose shumë pak janë
në gjendje të justifikojnë ritmet e zhvillimeve të kohës si dhe kërkesat e saj
në lëmitë që ato/ata mbulojnë. NUKU dua të flas këtu për drejtimin e majës së
piramidës drejtuese të Shëndetit Publik, Ministrisë së Shëndetësisë, ku gëlojnë
aq pak mjekë sa të vjen turp ta quash të tillë, sepse nuk deshiroj të heq nga
koka edhe ato pak tru që më kanë mbetur…..Shëndetësia jone Publike jo vetëm po
lëngon, por ajo qëllimtazi po konçensionohet, po deprofesionalizohet, po
rrënohet në dobi të Sektorit jopublik, në dobi të Sektorit Privat. Jam 100% i
bindur se ky Sektor Privat, i cili jo pak po “oksigjenohet financiarisht” sot
nga fondet publike do të menaxhohet në të ardhmen e shpejtë, në mos edhe ka
filluar nga vetë rrënuesit e Sistemit Publik, nga ata të cilët maramendshëm po
pasurohen në kurriz të saj, duke e bërë “Kurban” fëmijën që populli u ka vënë
në dorë për tu kujdesur e mbarërritur, Shëndetësinë tonë Publike…Ndjej neveri
të paskajshëm për këtë sërë “qytetarësh”, që fatkeqësisht flasin të njëjtën
gjuhë me mua dhe të gjithë popullin Shqiptar!