Engjëll MUSAI/ Ja si bëhen rrush e kumbulla paratë e amerikanëve

516
Sigal

Gazeta Telegraf/ 


Engjëll Musai

Organi më prestigjioz në botë Transparencë Internacional
vlerëson KLSH-në, si i vetmi organ që po lufton korrupsioni e administratës shqiptare,
kurse Komiteti Shqiptar i Helsinkit hidhet në sulm për të mbrojtur shtetarët
dhe tenderaxhinjtë e qeverisë, duke përfituar paratë e Komisionit për Demokraci
në Ambasadën e SHBA

 

Dje,
Komiteti Shqiptar i Helsinkit dha një konferencë shtypi, ku çuditërisht ishin
vetëm 4 vetë dhe një nga ata që denjova isha edhe unë. Sigurisht lajmi që KSHH
(Komiteti Shqiptar i Helsinkit) do të publikonte një raport, ku do të prezantoheshin
gjetjet që kanë rezultuar nga studimi i ecurisë së kallëzimeve penale të
Kontrollit të Lartë të Shtetit, gjatë vitit 2014, ku administrata e “Rilindjes”
ka gllabëruar miliona të taksapaguesve amerikanë, por që çuditërisht shifra se
sa ishin përfituar, nuk u bë publike. Do të ishte mirë që të veprohej pak a
shumë si puna e një tenderi rruge, që kur fillojnë punimet vendosin projektin
dhe fondin e vënë në dispozicion. Dhe qytetarët, ekspertët, specialistët, por
edhe indiferentët ta dinë që për këtë rrugë sa është shuma e harxhuar dhe nëse ia
vlejti ky investim apo jo, pikërisht nëse kjo dhe të tjera elemente të fillimit
të projektit mungojnë, atëherë institucionet ligj-zbatuese, kontrolluese dhe
vëzhguese reagojnë. Dhe KSHH (Komiteti Shqiptar i Helsinkit) këtë kishte pasur
parasysh kur publikoi lajmin se do bënte publike denoncimet e KLSH për vjedhjet,
abuzimet dhe grabitjet që ka mbërthyer qeverinë, pjesë vendimmarrëse e së cilës
janë edhe pasardhësit e ish-Kryetares së Komitetit Shqiptar të Helsinkit, sot
deputete e Partisë Socialiste. Por kur dikush kërkon që të nisë një investigim për
një prokurim apo donacion dhe vet e mban të fshehtë shumën, kjo përbën një
paradoks dhe një shembull të keq, që më thjesht do të komentohej “dëgjoni si
them unë, por mos bëni si bëjë unë”. E teksa raporti nisi të lexohej nga
Drejtoresha e re Ekzekutive e KSHH, znj. Erida Skëndaj, të 5 të pranishmit në
sallë besuan se ky raport i KSHH (Komiteti Shqiptar i Helsinkit) do të ishte
ndryshe dhe fryma e re do ishte një shenjë e mirë që institucionet prestigjioze,
të lakuara si të njëanshme dhe partiake do të ndryshonin dhe e vërteta e
drejtësia do të triumfonin më në fund tek ky institucion i paragjykuar në këto
15 vitet e fundit. Por nuk ishte e thënë, sepse edhe drejtuesja e re vazhdonte
të njëjtën melodi, duke i rënë fyellit në të njëjtën vrimë. Nuk e di pse, po
ndjeva keqardhje për titullaren anonime, e cila ishte pjesë e vazhdimësisë së
kukullave ruse, por që përtëriheshin me paratë e popullit amerikan në shërbim
të qeverisë më të korruptuar në Evropë. Ndoshta, e shkreta e kuptoi edhe vetë
se nuk dinte ku ishte dhe se çfarë fliste, ndaj lexoi atë që i kishin
përgatitur “tutorët” e dikurshëm të organizatës, por që ligjërisht quhet
Komitet. Në këtë çast m’u kujtua shprehja brilante e ikonës së letërsisë dhe
një nga publicistët më të mëdhenjtë në këto 100 vite, Dritëro Agolli, të cilin
kur e pyetën për dikë që e kishin vënë për figurë në një pozicion, u shpreh “Ta
vësh përpara, nuk di rrugën; Ta lësh prapa, e hanë qentë”. E tillë m’u duk edhe
Drejtoresha Ekzekutive, për të cilën shpreh keqardhje për 
keqpërdorjen e saj ndërkaq që shembull pozitiv brenda radhëve të Komitetit vet ka dhe mirë do ishte të dëgjonte edhe ndonjë personalitet brenda radhëve të tij.Duhet
pranuar fakti që Transparency International vetëm para disa ditësh bëri publike
faktin se në Shqipëri ka një institucion, i cili po shërben si një dritë
shprese në tunelin e errët të korrupsionit dhe ai është Kontrolli i Lartë i
Shtetit. Por, me sa duket, të vetmit që nuk e paskan dëgjuar, parë e lexuar
qenkan ata që duhet të jenë vigjilentë dhe që vetëquhen Komiteti Shqiptar i
Helsinkit. Ndoshta do ishte mirë që ky institucion të bëjë publike se sa
projekte ka marrë në këto 15 vitet e fundit, për çfarë qëllimi dhe si qëndron e
vërteta e projekteve me Ministrinë e Drejtësisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme
të Burgjeve që nga koha kur në krye të dikasterit të Drejtësisë qëndronte
Fatmir Xhafa dhe në krye të KSHH, ishte Vasilia Hysi. Por edhe kjo do jetë
pjesë e padiskutueshme që “Telegraf” do të fusë në axhendën e vet dhe ashtu
sikurse ka zbardhur maskaradën me tenderat e energjetikës, rrugëve, ushqimeve, kulturës,
financave, koncesioneve, spitaleve, ilaçeve, tenderave të mbrojtjes, rendit, doganave,
tatimeve, ambasadave, pushtetarëve lokalë e shumë e shumë të tjerave. KSHH
deklaron se objekt i analizave është viti 2014, kur KLSH ishte me një ligj
gjysmak, të cilën Komisioni Parlamentar dhe Kuvendi e ndryshuan pas propozimeve
të ekspertëve të fushës së auditit vendas dhe të huaj. Dhe KSHH kishte zgjedhur
dy prokurori atë të Tiranës dhe Durrësit ku sipas raportit të Komitetit
Shqiptar të Helsinkit këto denoncime përbëjnë 65. 6% të gjithë abuzimeve të
kryera nga administrate shqiptare. Atëherë çfarë kërkohet më shumë. Nëse do të
shikojmë raportin e KLSH, për vitet 2008 deri 2011, personat e kallëzuar
penalisht janë 134, ndërsa numri i kallëzimeve penale është 52. Nga viti 2012
deri në vitin 2015 ku në krye të KLSH ka ardhur Z. Leskaj, personat e kallëzuar
penalisht janë 527, ndërsa numri i kallëzimeve penale është 170. Pra, këto janë
fakte që nuk duan koment. Vetëm për këtë vit janë kallëzuar 1 ministër, 1
Sekretar të Përgjithshëm, 1 avokat shteti, 3 Drejtor i Përgjithshëm, 60 Drejtor
Drejtorie, 15 Kryetar dhe Zv/Kryetar Bashkie, 5 kryetar komune, 2 kancelarë
Universitetesh dhe 220 nëpunës të nivelit mesëm civilë. Ja këto janë fakte, këto
janë prova, por me sa duket Drejtoresha e KSHH, ka pasur si qëllim vetëm të
lexojë dhe të justifikojë milionat e përvetësuara nga Komisioni për Demokraci i
Granteve, në Ambasadën Amerikane në Tiranë. KSHH deklaron se KLSH ka bërë kallëzim,
por ndihet i pakënaqur se përse ky organ nuk e ndoqi edhe më gjatë hetimin. Po
hetimin e bënë një organ tjetër i pavarur dhe askush nuk mundet të ndërhyjë në
kompetencat e të tjerëve. Nga ana e vet KLSH, i ka dërguar përsëri në gjykatë
dhe ka rivënë në dijeni me shkresa zyrtare organet ligjzbatuese. Por KSHH, nuk
zë në gojë faktin se përse mbi 600 nëpunës të administratës së Edi Ramës të
korruptuar gjer në fyt, të fryrë prej babëzisë, maskaradës me diplomat e
shkollës, dokumenteve të falsifikuar në tendera, çmimeve të fryra etj., nuk
janë ndëshkuar nga titullarët. Arsyeja kuptohet se këta nëpunës kanë zbatuar
urdhrat e drejtorëve, drejtorë të sekretarëve të përgjithshëm, të ministrave, kryeministrit
dhe me radhë. Shkurt, Komiteti Shqiptar i Helsinkit akuzon KLSH pse kontrolloi
dhe kallëzoi në prokurori hajdutët, ndërkohë që nuk thotë asnjë fjalë për
hajdutët që vazhdojnë të kapardisen në zyrat e shtetit. Jo më kot, i madhi Luftar
Paja kur u ankua se i vodhën lopën, në vend të ngushëllimit mori kritikat dhe
akuzat se përse nuk e kishte ruajtur lopën. Mor po ma vodhi “filani “ u thoshte
i madhi Lufttar ! Jo i thoshin ata, fajin e ke ti, pse nuk e ruajte. Po mirë
more vëllezër hajduti nuk ka fare faj?!. Ja kështu është edhe me KSHH që në
vend të hajdutëve kritikon KLSH, pse zbuloi hajdutët e qeverisë, deputete e së
cilës është edhe ish Drejtoresha Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. 

 

 

Devijimi i projekteve

Është
në nderin e Ambasadës Amerikane të distancohet nga këto rudimente, një pjesë e
së cilës i përkasin sistemit komunist dhe ambasadën amerikane e përdorin si
instrument përfitues të milionave ekonomike, por edhe fasadë politike. Si ka
mundësi që projekti është marrë në vitin 2014 dhe pas gati tre vitesh KSHH bën
publike studimin për dy prokurori me 25 kallëzime?! Nëse KSHH do ta fillonte
nga 2016, 2015, 2014 dhe deri në vitin 1992 kur filloi demokracia, atëherë të
gjithë do kishin mundësinë të bënin krahasimet, por edhe të vendosnin me
shpatulla pas murit këto abuzues dhe batakçinj. Por fakti që pas tre vitesh deklaron
se, u investiguan 25 kallëzime dhe në 65% tërasteve janë zbuluar hajdutllëqet e
shtetarëve, kjo meritonte jo vetëm një vlerësim, por edhe falënderim për KLSH, por
që KSHH nuk e bën, sepse ata që e dirigjojnë janë pjesëtarë të kësaj babëzie
shtetërore.

 

Fenomeni i vazhdimësisë


Pas
pak kohësh askush nuk duhet të surprizohet, nëse edhe ndonjë organizatë tjetër,
levë e Rilindjes të bëjë një raport të dytë, duke kritikuar organin e
kontrollit. Ndoshta SOROS është i gatshëm ta kryejë këtë mision, por ne le të
presim dhe të shohim. E nëse ndodh, atëherë do të themi përsëri se mafia
sorosiane dhe ajo e së “drejtës” është zhytur kokë e këmbë në llumin e mafies
dhe trafikantëve të hashashit.


Qëndrimi zyrtar i KLSH


Askush
nuk mund të na trembë dhe të na bëjë presione në misionin tonë, për të vënë
para përgjegjësisë këdo, që abuzon me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Shumë 
shpejt, sapo të fillojnë punën institucionet e reja ligjore, të miratuara në
kuadrin e Reformës në Drejtësi, të gjitha dosjet do të rivihen në dispozicion
të organeve të specializuara me fakte dhe argumente për Ministra, Sekretarë të
Përgjithshëm, Drejtor Drejtorie, Nëpunës të administratës, enteve të prokurimit
dhe kushdo që ka futur duart dhe ka përvetësuar paratë e taksapaguesve
shqiptarë apo abuzuar me donacionet që vendet e huaja dhe partnerët kanë
akorduar për popullin shqiptar.