Prof. Dr. Lisen Bashkurti: Çamëria nuk zgjidhet nga Shqipëria. Ajo kërkon ndërkombëtarizim

34
U themelua në Holandë më 29 shtator 2015 me iniciativë të Democratic Foundation of Camëria drejtuar nga Festim Lato, u themelua Këshilli Ndërkombëtar i Çamërisë (IÇ) në Holandë i përbërë nga 50 anëtarë që përfaqësojnë pjesëmarrës nga SHBA, Gjermanisë, Shqipërisë, Francës, Kosovës, Maqedonisë, Italisë, Belgjikës dhe Luksemburgut. Sekretar i Përgjithshëm u zgjodh Prof. Dr Lisen Bashkurti, i cili në intervistën për gazetën “Telegraf” zbardh strategjinë dhe misionin patriotik të Këshillit Ndërkombëtar të Çamërisë. 
Prof. Bashkurti, cila është domosdoshmëria e krijimit të Këshillit Ndërkombëtar për Çamërinë dhe kush janë iniciatorët?

Deri tani problemi i Çamërisë është ngritur nga brenda Shqipërisë, pastaj jashtë saj. Ndërkohë që kompleksiteti i çështjes është i atillë që kërkon angazhim më të madh nga jashtë brenda. Çamëria nuk zgjidhet nga Shqipëria. Ajo kërkon ndërkombëtarizim. Për këtë nevojitet të krijohen organizma ndërkombëtare, siç është Këshilli Ndërkombëtar i Çamërisë, IÇ me qendër në Hagë, Holandë. IÇ nuk bazohet në konjukturë, sepse nuk është forum konjuktural. IÇ është organizëm ndërkombëtar strategjik. IÇ është bazuar në burime shkencore, fakte dhe akte juridike si dhe në përvojat analoge të suksesshme në botë, sidomos mbas Luftës së Dytë Botërore. Në Këshillin Drejtues të IÇ ka pesëdhjetë anëtarë nga shtete të BE dhe të SHBA. Ka përfaqësim nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe diaspora. Kryetar është biri i Çamërisë Festin Lato. Kam kënaqësi që IÇ më zgjodhi Sekretar të Përgjithshëm.
– Është me karakter politik

– Këshilli Ndërkombëtar për Çamërinë, IÇ është organizëm ndërkombëtar, i bazuar në ekspertizë juridike e diplomatike ndërkombëtare dhe përfaqësim ndërkombëtar nga vende të BE dhe ShBA. Shqiptarët janë në qendër.
– Partitë politike në Shqipëri, që janë shprehëse të Çështjes Çame a janë pjesë e këtij organizmi ndërkombëtar për Çështjen Çame?
– Faktorët politikë lokalë nuk janë pjesë e këtij organizmi ndërkombëtar, të Këshillit Ndërkombëtar për Çamërinë, IÇ. Si organizëm ndërkombëtar IÇ përbëhet nga pjesëmarrës nga ShBA, Itali, Gjermani, Belgjikë, Francë, Luksemburg, Holandë, si nga shqiptarë prej gjithë botës. Faktorët lokalë janë të mirëpritur për bashkëpunim.
– Cila është brendia dhe strategjia juaj?

– IÇ miratoi në Holandë strategjinë afat shkurtër 2015-2016. Miratoi gjithashtu katër prioritete themelore dhe planin e veprimit ndërkombëtar. Gjithçka në partneritet ndërkombëtar. IÇ ka përcaktuar katër prioritete themelore. Këto prioritete janë: Njohja e genocidit dhe krimeve kundër njerëzimit, të bëra nga qeveria greke nga 1913 deri 1944 kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë; njohja e të drejtës së ripatriotizimit të popullsisë Çame në vendin e vet; njohja e të drejtave të pakicës etnike Çame në Greqi, si dhe të drejtat e njeriut për secilin; njohja e rikthimit të pronave civile të çdo njërit, si pronat publike e fetare të shqiptarëve të Çamërisë.
– Cila do jetë taktika për njohjen dhe ndërkombëtarizimin e Çështjes Çame e Këshillit Ndërkombëtar të Çamërisë?

– IÇ nuk ka asgjë sekrete. Taktika synon të harmonizojë tre elemente: Ndërkombëtarizim të opinionit publik ndërkombëtar, sigurim mbështetje politiko-diplomatike ndërkombëtare dhe mbështetje nga institucionet e të Drejtës Ndërkombëtare. Këto tre elemente do ecin paralelisht.
– Ju do të bëni përpjekje për t’u ulur në bisedime, qoftë edhe të karakterit diplomatik, me palën greke?

– Jo! Këshilli Ndërkombëtar i Çamërisë, IÇ nuk do jetë palë në bisedimet me Greqinë. IÇ do ndërkombëtarizojë problemin e Çamërisë, do lobojë politikisht e diplomatikisht, si dhe do punojë me institucionet e të Drejtës Ndërkombëtare në Hagë, Gjenevë dhe Strasburg.
– Sa rrezik mbart misioni juaj si organizëm, që të mos ju cilësojnë sidomos nga lobi grek(që është me ndikim në diplomacinë ndërkombëtare) si shprehës të nacionalizmit shqiptar dhe ” Shqipëria e Madhe”?

– Asnjë rrezik. Politika e Greqisë është e njohur tanimë, si false, mashtruese dhe thellësisht e korruptuar. IÇ është themeluar në Hagë, sepse atje do mbrojë kauzën e Çamërisë. Bazuar në të drejtën ndërkombëtare e në konsultim me ekspertë në Hagë, do ecim në katër faza. Ky proces është paraparë nga IÇ të kalojë në katër faza: sensibilizim publik; lobing politiko-diplomatik; angazhim shkencor për zbardhje mbledhje faktesh, të dhënash e dokumentesh; së fundi paraqitja e rastit për gjykatat relevante ndërkombëtare.