Prof. Asoc. Dr. Jordan Daci: Anti- KÇK mohon Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, instalon Diktaturën

379

Prof. Asoc. Dr. Jordan Daci, Pedagog i së Drejtës Kushtetuese dhe i të Drejtave të Njeriut

Dhënia Policisë së Shtetit e kompetencave që parashikohen në një projekt që qarkullon, është fundi i kuptimi të një shteti të së drejtës dhe varrosje e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të cilat Kushtetuta jonë ia njeh çdo njeriu

Jakup B. GJOÇA

Gazetar i “Telegraf”

 

Prof. Asoc. Dr. Jordan Daci, Pedagog i së Drejtës Kushtetuese dhe i të Drejtave të Njeriut në intervistën për gazetën “Telegraf”  pohon se Paketa Anti-KÇK që përgatit kryeministri Rama varros Shtetin e së Drejtësi, të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut që ia njeh edhe Kushtetuta jonë. Prof. Daci argumenton se as qëllimi, që predikon kryeministri Rama për Anti – KÇK, nuk e justifikon, sepse di të them që korrupsion në asnjë vend demokratik nuk luftohet me paketë “Anti KÇK. Kjo pasi këto norma dhe zbatimi i tyre cënojnë thelbin e një shoqërie demokratike. Prof. Daci thotë se ka ardhur koha që  duhet një vetting urgjent dhe të menjëhershëm për gjithë politikën nëpërmjet ndëshkimit të tyre me votë, si dhe prokuroria dhe gjyqësori duhet t’ju japin ndëshkimin e duhur ligjor. Prof. Daci kundërshton edhe çuarjen e krizës së Gjykatës Kushtetuese në Komisionin e Venecias, sepse “Gjykoj që Komisioni i Venecia nuk mund të angazhohet për çdo problem që ne kemi, aq më pak që kur normat janë të qarta s’ka përse angazhohet”. Prof. Daci kundërshton në mënyrë kategorike çdo mundësi që Parlamenti të bëjë ndryshime kushtetuese që t’i japë KQZ-së të drejtën kushtetuese të caktojë datë zgjedhjesh, sikurse pohoi ish-zvkryeministrja Mesi, ditë më parë, sepse “Me këtë Kushtetutë që kemi nuk mund të ndodhë kurrë që parlamenti t’i japë të drejtë KQZ-së të shpallë datë zgjedhjesh”.

-Prof. Daci a mund të luftohet nga Qeveria korrupsioni, duke i dhënë me ligj policisë së shtetit kompetenca hetimore dhe vendimmarrëse të cilat Kushtetuta ua jep Prokurorisë dhe Gjykatave?

– Kushtetuta e RSH, e përcakton vendin tonë si Republikë Parlamentare ku sovraniteti i takon popullit dhe sistemi i qeverisjes bazohet në parimet bazë si, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë duke përfshirë parimin e ndarjes së pushteteve dhe një seri parimesh të tjera themelore kushtetuese. Midis të tjerash, Kushtetuta e bën Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (në vijim KEDNJ) pjesë të saj dhe i njeh asaj dhe të Drejtës Ndërkombëtare epërsi mbi të drejtën e brendshme. Në të njëjtën kohë, Kushtetuta parashikon se kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik, ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë. Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Nga ana tjetër, doktrina Kushtetuese dhe e të Drejtave të Njeriut, ndalon kufizimin për disa të drejta të cilat konsiderohen si të pakufizueshme në çdo lloj kohë dhe pavarësisht çdo lloj shkaku. Ndër të drejtat që nuk lejohet asnjë lloj kufizimi është e drejta e jetës, e drejta për të mos ju nënshtruar torturës, çdo lloj dënimit çnjerëzor ose poshtërues, e drejta për proces të rregullt ligjor, e drejta e mos dënimit pa ligj dhe një seri të drejtash të tjera pa të cilat demokracia do të ishte krejtësisht utopike. Nga ana tjetër, policia gjithmonë është pjesë e ekzekutivit dhe përfaqësuesja e monopolit të forcës së shtetit, e cila për nga vetë funksioni, është në konflikt të hapur me këto parime, pasi ajo është pjesa që e shtynë në skaje ekuilibrat dhe roli kontrollues dhe ekuilibrues i interesave shoqërore në një vend demokratik i është lënë pushtetit gjyqësor, i cili është i pavarur dhe nuk është në konflikt interesi me interesat që ajo shqyrton dhe gjykon. Pa shumë analizë të mëtejshme, dhënia Policisë së Shtetit kompetencat që parashikohen në një projekt që qarkullon është fundi i kuptimi të një shteti të së drejtës dhe varrosje e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut që Kushtetuta jonë i njeh çdo njeriu. Për më tepër, që plani që ndryshimet të kalojnë më akt normativ të Këshillit të Ministrave bie ndesh haptazi me Kushtetutën dhe praktikën e Gjykatës Kushtetuese në çdo lloj këndvështrimi që mund të merret.

– Derisa në zbatim të Reformës në Drejtësi do të ngrihen së shpejti SPAK dhe BKH, a e lejon Kushtetuta e Shqipërisë  qeverinë të ngrejë struktura  të saj paralele hetimore ndaj Krimit dhe Korrupsionit?

– Policia kryen veprimtari hetimore dhe parandaluese edhe me kornizën ekzistuese, por sot policia kontrollohet nga prokuroria, prokuroria nga gjykatat e shkallës parë, gjykatat e shkallës parë nga gjykatat e apelit, gjykatat e apelit nga Gjykata e Lartë, Gjykata e Lartë nga Gjykata Kushtetuese dhe kjo e fundit kontrollohet nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut porsa i përket të drejtave të njeriut. Përveç kontrollit shumënivelësh që përmenda, kontrolli shumëfishohet nga kontrolli kolegjial me trupa gjykues, nga me një anëtarë, me tre anëtarë, me pesë anëtarë ose e Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë dhe me 9 anëtarë Gjykata Kushtetuese  etj. Sigurisht, kalimi që parashikohet të bëhet kuptohet qartë që do të ekzekutohet përfundimisht nga një oficer policie me gradë nënkomisiar dhe nuk do të ketë asnjë lloj kontrolli efektiv dhe kontrolli efektiv nënkupton mundësinë e riparimit të menjëhershëm dhe pa lejuar ardhjen e pasojave të pariparueshme. Pra qytetarët duhet të kuptojnë që polici i “lagjes” mund t’iu marrë pasaportën, mund t’i kufizojë të lëvizin nga shtëpia, mund t’i “internojë” duke kërkuar të shkojnë në një vendbanim tjetër, mund t’iu përgjojë telefonin, mund t’iu filmojë e vëzhgojë në ambientet e shtëpisë, në publik, mund t’iu konfiskojë pronën etj.

Qytetarët duhet të kuptojnë që polici i “lagjes” mund t’iu marrë pasaportën, mund t’i kufizojë të lëvizin nga shtëpia, mund t’i “internojë” duke kërkuar të shkojnë në një vendbanim tjetër, mund t’u përgjojë telefonin, mund t’iu filmojë e vëzhgojë në ambientet e shtëpisë, në publik, mund t’iu konfiskojë pronën etj

Të gjitha këto jashtë kontrollit efektiv të gjykatës dhe duke krijuar një mbivendosje dhe duke rënë ndesh tërësisht me një seri ligjesh ekzistuese si: “Ligji për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar”, “Ligji për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit”, “Ligji për përgjimin e komunikimeve elektronike”, “Ligji për masat kundër financimit të terrorizmit”, si dhe mbi të gjitha me Kodin e Procedurës Penale, i rishikuar në tërësi që është një ligj i miratuar në kuadër të reformës në drejtësi dhe që është ligj që qëndron mbi ligjet e tjera të zakonshme në hierarkinë e normave juridike në RSH.

– A besoni se Paketa Anti KÇK ka qëllim të luftojë Korrupsionin dhe Krimin?

Nuk di të them me saktësi kush është qëllimi i vërtet pasi këtë gjë e dinë vetëm hartuesit dhe ideatorët e tij, por di të them që korrupsion në asnjë vend demokratik nuk luftohet me të tilla norma. Kjo pasi këto norma dhe zbatimi i tyre cënojnë thelbin e një shoqërie demokratike dhe i lënë vend diktaturave dhe/ ose shteteve policore që bota perëndimore demokratike i ka lënë pas që në fillimet e shekullit të shkuar madje edhe me herët sikurse në rastin e SHBA, Anglisë, Francës etj. Të luftosh krimin sikurse korrupsionin,  duke bërë një krim më të rëndë sikurse është ai i shkeljes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut është gjëja me e keqe që mund të bëhet.

Zoti Daci, në kuadrin ligjor mbi Reformën në Drejtësi parashikohet, midis të tjerash, që gjyqtarët e prokurorët që dorëhiqen nuk do të hetohen. A mundet tani qeveria të harrojë Ligj e të ndjekë penalisht gjyqtarët dhe prokurorët pse kanë pasuri të pajustifikueshme?

Në gjykimin tim, dorëheqje të rregullta kanë qenë në Shqipëri vetëm dy ose 3 raste që u bënë sipas afatit që parashikonte ligji dhe të tjerat janë bërë në mbështetje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë, në praktikë kemi edhe dorëheqje pak ditë para se të shkarkohen, në thelb gjykoj që dorëheqjet që bëhet në momentin e fundit janë në thelb të dyshimta dhe më e dyshimtë është sidomos veprimtaria nga kur është miratuar ligji deri kur këto japin dorëheqjen dhe këtu ndaj të njëjtin shqetësim me arsyetuesit e këtyre ndryshimeve. Megjithatë, për mua gjykoj që është më e saktë të ndryshohet ligji dhe të rivendoset një afat tjetër për dorëheqje dhe më pas të mos lejohen më dorëheqjet, duke u prerë rrugë abuzimeve, sesa të miratohet një kuadër i tillë, i cili dërmon thelbin e asaj që në besojmë se është demokracia dhe një shtet i së drejtës.

Di të them që korrupsion në asnjë vend demokratik nuk luftohet me paketë “Anti KÇK”. Kjo pasi këto norma dhe zbatimi i tyre cënojnë thelbin e një shoqërie demokratike dhe i lënë vend diktaturave dhe/ ose shteteve policore që bota perëndimore demokratike i ka lënë pas që në fillimet e shekullit të shkuar

Ndërkohë, duhet thënë që kuadri aktual ligjor nuk ndalon hetimin për mungesën e justifikimit të pasurive edhe midis radhëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar, por është çështje vullneti dhe mungesë vizioni, mungesë burimesh dhe mungesë strukturash efikase që zbatojnë ligjin.

– Pse Qeveria nuk kërkon të bëhet Veting analog edhe për politikanët e zyrtarët?

Mendoj që çdo qeveri është në konflikt interesi me pushtetin gjyqësor, pasi ky i fundi kufizon pikërisht veprimtarinë e saj dhe së fundmi edhe të legjislativit i cili pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 është bërë një me qeverinë. Po ashtu, asnjë qeveri në botë nuk ka dënuar vetveten, por dënimin e ka marrë nga pushteti gjyqësor dhe nga populli nëpërmjet votimeve të lira e demokratike. Mendoj që vendimi ynë duhet të mendoj për një vetting urgjent dhe të menjëhershëm për gjithë politikën nëpërmjet ndëshkimit të tyre me votë, si dhe prokuroria dhe gjyqësori duhet t’ju japin ndëshkimin e duhur ligjor, kjo për arsyen e thjeshtë sepse politika në këtë vend është shkaku i çdo problemi që kemi pasur në këto 30 vite dhe është përgjegjëse për shkatërrimin e përgjithshëm të vendit dhe shoqërisë tonë.

Të luftosh krimin sikurse korrupsionin,  duke bërë një krim më të rëndë sikurse është ai i shkeljes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut është gjëja me e keqe që mund të bëhet

Kjo klasë politike duhet të shporret me votën e qytetarëve dhe vetëm atëherë mund të fillojmë të shpresojmë tek një Shqipëri e Re, larg asaj që jemi mësuar të shohim këto 30 vite dhe që republika është në shërbim të qytetarëve dhe jo e kundërta sikurse ka qene dhe është aktualisht.

Zoti Daci Parlamenti i kërkoi opinion Komisionit të Venecias për Dekretin e 30 qershorit me kërkesën në kuadër të procedurës për shkarkimin e Presidentit. Derisa “Venecia” u shpreh dhe Parlamenti e shpërfill atëherë përse sërish Parlamenti i kërkon opinion “Venecias” për Gjykatën Kushtetuese?

-Gjykoj që Komisioni i Venecia nuk mund të angazhohet për çdo problem që ne kemi, aq më pak që kur normat janë të qarta s’ka përse angazhohet. Për më tepër, në Opinionin  për dekretin e Presidentit të 30 qershorit 2019 Komisioni i Venecias veproi më shumë si organ politik sesa organ i specializuar kushtetuese. Kjo pasi mendimi ishte sikurse i thotë populli “as mish, as peshk”, qasje tipike e institucioneve që duan të jenë politikisht korrekt, por që nuk kanë asnjë lidhje me organet që shprehen mbi kushtetutshmërinë e një dekreti. Në një konflikt sikurse ai për votimet e 30 qershorit, nuk mund të kenë të dy palët të drejtë, por vetëm njëra dhe një institucion juridik i jep të drejtën vetëm atij që ka dhe nuk pyet për pasojat që shkakton qëndrimi i shprehur kjo pasi për drejtësinë baza është maksima “Fiat iustitia, et pereat mundus” ose  “Le të bëhet drejtësia, edhe nëse duhet të shkatërrohet bota”. Kjo gjë bën dallimin midis Komisionit të Venecias dhe Gjykatës Kushtetuese, nëse ajo do të ishte funksionale.

Mendoj që vendimi ynë duhet të mendoj për një vetting urgjent dhe të menjëhershëm për gjithë politikën nëpërmjet ndëshkimit të tyre me votë, si dhe prokuroria dhe gjyqësori duhet t’ju japin ndëshkimin e duhur ligjor

Për më tepër, që po bëhemi tërësisht qesharak në sytë e botës që po i kërkojmë Venecias mendime për çdo gjë, tani do fillojmë t’i kërkojmë edhe për shkresat e ministrive. Turp për një vend që e quan vetën sovran dhe shtet anëtarë të NATOS dhe Këshillit të Evropës etj. Për ta përfunduar, mendimi i Venecias përveçse do të ishte “as mish as peshk”, nuk do të ketë as vlerë detyruese dhe nuk do e zgjidhi krizën, por vetëm do të ushqejë politikën në të gjithë anët me argumente për të bërë zhurmë dhe për të shtyrë status quo-në edhe për shumë kohë pa ndryshuar asgjë dhe pa marrë përsipër përgjegjësitë për nxjerrjen e vendit nga kriza e gjithanshme që e ka pllakosur.

– Kaq e paqartë është Kushtetuta e Shqipërisë dhe Ligji ” Për organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” sa Parlamenti, të mos dinë si interpretohet?

– Kushtetuta është shumë e qartë, thjesht po interpretohet në funksion të veprimeve që po mbanë shumica aktuale qeverisëse. Latinet kishin shprehjen In claris non fit intepretatio ose kur norma është e qartë nuk mund të bëhet interpretim.

Gjykoj që Komisioni i Venecia nuk mund të angazhohet për çdo problem që ne kemi, aq më pak që kur normat janë të qarta s’ka përse angazhohet. Për më tepër, në Opinionin  për dekretin e Presidentit të 30 qershorit 2019 Komisioni i Venecias veproi më shumë si organ politik sesa organ i specializuar kushtetuese

Ndërkohë, mungesa e Gjykatës Kushtetuese ka ligjëruar çdo lloj qasje përfshi edhe amullinë aktuale juridike të gjithanshme pasi askush nuk shqetësohet se do të vlerësohet gabim qëndrimi ose veprimi ose mosveprimi i tij, kjo pasi nuk ka kush ta gjykojë dhe konstatojë një gjë të tillë.

Prof. Daci ish-zëvendësKryeministrja dhe deputetja Mesi zbardh strategjinë e PS për zgjidhjen e ngërçit të Bashkinë Shkodër. Sipas Mesit  Parlamenti do miratojë ndryshim Kushtetues që KQZ-ja të ketë kompetencë Kushtetuese të shpallë datë zgjedhjesh. A ka mundësi të ndodhë kjo  që KQZ-ja të marrë këtë kompetencë kushtetuese?

– Me këtë Kushtetutë që kemi nuk mund të ndodhi kurrë. Ndërkohë, nëse do të kemi ndryshime kushtetuese dhe këto ndryshime do të bëhen nga Kuvendi aktual, do të ishte një atentat kushtetues mbi rendin juridik dhe vetë kushtetutën në këtë vend, pasi ky Kuvend me përbërjen e paplotë dhe të parregullt në tij, por mbi të gjitha me mungesën e integritetit të shumicës së anëtarëve të tij, zhbën në thelb legjitimitetin e këtyre ndryshimeve. Për më tepër, këto ndryshime që bëhen në kohë krize dhe në konflikt të hapur interesi deligjitimohen në thelb.

Me këtë Kushtetutë që kemi nuk mund të ndodhë kurrë që parlamenti t’i japë të drejtë KQZ-së të shpallë datë zgjedhjesh. Nëse do të kemi ndryshime kushtetuese dhe këto ndryshime do të bëhen nga Kuvendi aktual, do të ishte një atentat kushtetues mbi rendin juridik dhe vetë kushtetutën në këtë vend

Nga ana tjetër, duhet të themi që nisur nga parimet e shtetit të së drejtës, si ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 edhe ato të vitit 2016 janë jo në përputhje me Kushtetutën, pasi nuk janë miratuar me referendum, sikurse edhe vetë Kushtetuta në vitin 1998. Kjo pasi çdo ndryshim duhet të bëhet më të njëjtën mënyrë dhe mjetë sikurse edhe miratimi i aktit që ndryshojnë.

-Faleminderit!