PRESIDENTI SHQIPTAR MIKPRITET NGA PRESIDENTI AUSTRIAK

473
Sigal

Presidenti Meta mikpritet nga Presidenti austriak, Alexander Van der Bellen

Presidenti Ilir Meta: Falënderoj Austrinë për mbështetjen për rrugën evropiane të Shqipërisë!

Presidenti i Republikës,. Ilir Meta nisi dje vizitën zyrtare në Republikën e Austrisë, me ftesë të homologut austriak Alexander Van der Bellen. Presidenti Meta u mikprit me ceremoni zyrtare nga Presidenti austriak Alexander Van der Bellen, me të cilin zhvilloi bisedime dypalëshe në krye të dy delegacioneve respektive. Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Presidenti Meta: Shqipëria dhe Austria janë mike tradicionale dhe aleate të ngushta

“Kam nderin dhe kënaqësinë që të zhvilloj këtë vizitë të parë zyrtare në vendin tuaj dhe njëkohësisht t‘ju falënderoj për bujarinë tuaj, por edhe për gjithë mbështetjen që keni konfirmuar për rrugën europiane të Shqipërisë! Gjatë takimit tonë ne vlerësuam së bashku marrëdhëniet mes dy vendeve si të shkëlqyera në pikëpamjen institucionale, por edhe njerëzore dhe u angazhuam për t‘i forcuar e intensifikuar ato edhe më shumë në të ardhmen. Dihet se Shqipëria dhe Austria janë mike tradicionale dhe aleate të ngushta prej më së shumti një shekull. Me këtë rast i shpreha Presidentit Van der Belle, dhe nëpërmjet tij, qeverisë dhe popullit austriak, mirënjohjen për gjithçka vendi juaj ka bërë që nga krijimi i shtetit modern shqiptar. Çdo 28 Nëntor ne festojmë pavarësinë e Shqipërisë dhe krijimin e shtetit tonë modern, dhe jo për shkak të rendit alfabetik, vendi i parë që kujtojmë me mirënjohje për mbështetjen që na ka dhënë, është Austria, ose më saktë Austro-Hungaria e asaj kohe.

Meta: Mirënjohës për ndihmën bujare dhe aleancën solide të Austrisë

Shqipëria është mirënjohëse për ndihmën bujare dhe aleancën solide të Austrisë, tek e cila kemi gjetur gjithmonë një mirëkuptim dhe mbështetje të plotë të interesave strategjike të ndërsjella. Me këtë rast përgëzova Presidentin Van der Bellen për kryesimin e suksesshëm austriak të Presidencës së BE-së duke çmuar vëmendjen që ajo i kushton Ballkanit Perëndimor, si një prioritet i rëndësishëm për Bashkimin Evropian. Ne po punojmë fort, që bashkë me vendin të çelim negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian sa më parë të jetë e mundur. Në këtë kontekst, ndamë qëndrimin e përbashkët se votimi në Kuvendin e Maqedonisë pro nismës për ndryshimet kushtetuese është një hap shumë i rëndësishëm, që nxit shpresën dhe besimin e përbashkët që procesi i anëtarësimit të saj në NATO dhe BE po shkon në drejtimin e duhur. Ky është viti i përbashkët i kulturës Shqipëri-Austri. Ai do t’i shërbejë veçanërisht Diasporës Shqiptare në Austri, e cila është e mirëintegruar, dhe vazhdon të gjenerojë personalitete të spikatuar në art, kulturë, shkencë, dhe në fusha të tjera.

Meta: Shqipëria dhe Austria kanë një bashkëpunim shumë të mirë

Katalizatorë të një bashkëpunimi më të ngushtë janë padyshim edh investitorët e rëndësishëm austriakë në Shqipëri, të cilët janë dëshmitarë të besimit mbi potencialin e madh për bashkëpunim mes dy vendeve tona. Dua gjithashtu të theksoj kontributin e vlefshëm që Austria jep në drejtim të arsimimit profesional të të rinjve shqiptarë, në ndërveprim me biznesin dhe nevojat që ai ka për të përsosur më shumë tregun e punës. Shqipëria dhe Austria kanë një bashkëpunim shumë të mirë dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Dhe në këtë drejtim shpresojmë shumë për mbështetjen e Austrisë ndaj kërkesës sonë për realizimin e kryesimit të OSBE-së në 2020.

Meta: Shqipëria qëndron përkrah partnerëve të saj strategjikë

Shqipëria qëndron përkrah partnerëve të saj strategjikë, dhe në lartësinë e zbatimit të detyrimeve si vend anëtar i NATO-s, dhe si një vend që e shikon të ardhmen e saj vetëm Bashkimin Evropian dhe për këtë do të kontribuojë gjithmonë në drejtim të stabilitetit politik të rajonit tonë, të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal. Meqenëse pak ditë na ndajnë nga kremtimi i festës tuaj kombëtare, dhe atmosfera ndihet edhe pranë këtij Pallati, dëshiroj t’ju uroj i nderuar President Van der Bellen, dhe nëpërmjet jush, qeverisë dhe popullit tuaj për paqe dhe begati si dhe njëkohësisht për të forcuar akoma edhe më tej këtë miqësi të jashtëzakonshme mes shqiptarëve dhe austriakëve!”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vlerësoi Eno Peçin me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në nisje të vizitës së Tij zyrtare në Austri, vlerësoi balerinin dhe koreografin e famshëm shqiptar, Eno Peçi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të dhënë si ambasador i kulturës shqiptare në skenat austriake dhe ato botërore”. Presidenti Meta u shpreh: “Është vërtetë kënaqësi të jem me ju në këtë mbrëmje dhe më lejoni fillimisht të përgëzoj producentin e filmit, Gjergj Mazi dhe balerinin Eno Peçi për momentet e mrekullueshme që na kanë sjellë përmes filmit “Solisti”. Ndihem krenar dhe i lumtur që ai është i admiruar dhe i duartrokitur këtu në Austri dhe në shumë skena prestigjioze botërore. Mund të them se ai u rrit artistikisht këtu në Austri, duke ndjekur traditën më të mirë të poetëve, gjuhëtarëve dhe artistëve të shquar shqiptarë para Luftës së Dytë Botërore dhe më tej pas ndryshimeve demokratike në fillim të viteve ‘90.