Presidenti Meta nderon personalitete të sportit në Berat

853
Sigal

Në Bashkinë e qytetit, u zhvillua ceremonia e dhënies së dekoratave për disa nga sportistët më të shquar të Beratit, ku Presidenti i Republikës vlerësoi me Titullin “Naim Frashëri” peshëngritësin dhe trajnerin Vasil Hoço dhe futbollistin e paharruar, tashmë edhe ai trajner Përparim Kovaçi, kurse me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” u nderuan ping-pongisti Ilir Shabanaj dhe volejbollistja e njohur e ekipit të ‘Tomorit’, Ollga Gjoku. Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës iu drejtua të pranishmëve duke u shprehur: “Është një kënaqësi e veçantë për mua të jem sot në qytetin e Beratit për disa veprimtari mjaft domethënëse, të cilat e bëjnë atë një qytet edhe më të rëndësishëm në nivel kombëtar, por edhe në nivel ndërkombëtar, sikurse ishte sot edhe Maratona e Beratit, por edhe Olimpiada Mbarëkombëtare e Matematikës! Me këtë rast është kënaqësi të takohem me përfaqësues të një komuniteti mjaft të rëndësishëm e të spikatur të Beratit, që është ai i sportit. Besoj se më shumë vëmendje ndaj sportit, Berati i ka të gjitha mundësitë, sepse nuk i kanë munguar asnjëherë talentet, për të luajtur një rol edhe më të rëndësishëm në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.