Presidenti Ilir Meta: Takohet me Danielson: Duhet zgjidhje të çështjeve emergjente të shtetit ligjor dhe të së Drejtës

555
Sigal

Duhet zgjidhje të çështjeve tashmë emergjente, që lidhen me shtetin ligjor dhe të së drejtës

Presidenti Ilir Meta takohet me kreun e Negociatave për Anëtarësimin në BE, Kristian Danielson

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti Drejtorin e Përgjithshëm për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Anëtarësimit në Komision Evropian, Kristian Danielson. Presidenti Meta theksoi domosdoshmërinë e zbatimit pa vonesë të 5 prioriteteve kyçe, të cilat kushtëzojnë vendimin e ardhshëm për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Duke ndarë vlerësimin e shprehur edhe në projekt-rezolutën e miratuar dje në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, Kreu i Shtetit vuri në dukje se nevojiten përpjekje të shumëfishuara dhe trajtim përparësor i sfidave madhore, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në ekonominë e vendit. Presidenti bëri thirrje që të gjitha palët, sipas përgjegjësive institucionale që mbajnë, të angazhohen në një dialog të institucionalizuar dhe strukturuar për t’u dhënë zgjidhje çështjeve tashmë emergjente që lidhen me shtetin ligjor dhe të së drejtës.

Presidenti Meta për Ditën Botërore të Shëndetit Mendor: Familja ka rol të pazëvendësueshëm

Në ditën Botërore të shëndetit mendor, presidenti i Republikës Ilir Meta, u bën apel mësuesve dhe prindërve për të mbështetur psikologjikisht të rinjtë të përballojnë sfidat në shkollë edhe në jetë, për të parandaluar sëmundjet mendore. “Sot në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, dua të theksoj rolin e pazëvendësueshëm të familjes dhe komunitetit, për ekuilibrin mendor të një personi. Duke iu bashkuar sloganit të OKB-së, “Të rinjtë dhe shëndeti mendor në një botë që ndryshon”, apeloj domosdoshmërinë për të parandaluar sëmundjet mendore, përmes një angazhimi edhe më të madh të mësuesve e prindërve për të mbështetur psikologjikisht të rinjtë dhe për t’i ndihmuar ata të përballojnë sfidat në shkollë dhe në jetë.”, – shkruan Presidenti Meta.

Ambasadori i ri i Republikës së Koresë, Lim Soo-Suk, i paraqiti Letrat Kredenciale Presidentit Meta

Presidenti i Republikës, Ilir Meta pranoi Letrat Kredenciale nga Ambasadori i ri i Republikës së Koresë në vendin tonë, zoti Lim Soo-Suk, me rezidencë në Athinë. Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira e miqësore midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Koreja e Jugut i ka dhënë Shqipërisë përmes Fondit Korean për Zhvillim Ekonomik (EDCF) dhe programeve të mbështetjes për bashkëpunim KOICA. Duke nënvizuar praninë e kompanive të mirënjohura koreane në tregun shqiptar, si Samsung, Hyundai dhe Kia, Presidenti Meta shprehu besimin se edhe me emra të tjerë koreanë do t’i bashkëngjiten atyre në të ardhmen, veçanërisht në fushat e energjisë, elektronikës, industrisë kimike, turizmit, etj. “Përmes rritjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar, dy vendet do t’i japin më shumë substancë marrëdhënieve shumë të mira e miqësore që ekzistojnë”, – nënvizoi Presidenti Meta. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan mesazhet pozitive të kohëve të fundit lidhur me denuklearizimin e Gadishullit Korean.

Presidenti Meta jep gradën “gjeneral major” për Nazmi Cahanin

Presidenti Meta dekreton gjeneral brigade Nazmi Cahanin me gradën “gjeneralmajor”. Presidenti Ilir Meta ka dekretuar dhënien e gradës “gjeneral major” për gjeneral brigade Nazmi Cahani. Nazmi Cahani aktualisht është me detyrë Komandant i Komandës së Forcës Tokësore. Gjeneral Cahani ka kryer një sërë kualifikimesh, ka ndjekur, Akademinë e Forcave Tokësore (Dega Artileri Tokësore), kursin e Avancuar të Oficerit të Shtabit, Akademia e Mbrojtjes, kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Bashkuar UK, kursin për Menaxhimin e Burimeve të Mbrojtjes, NPS Monterey, CA, USA, kolegjin e luftës së Forcave Tokësore Amerikane, PA, USA si dhe kursin i Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen, AFA, Tiranë. Ndërsa pjesë e eksperiencës së tij janë edhe detyrat ushtarake si : Shef i Kabinetit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, FA Komanda e Forcës së Bashkuar, Zëvendëspërfaqësues ushtarak në Përfaqësinë Ushtarake Shqiptare në NATO, HQ , (Planifikim), Shtabi i Përgjithshëm i FA, Drejtor i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Komandant i Forcës Tokësore.

Ambasadori i ri i Afrikës së Jugut, Shirish Manaklal Soni, i paraqiti Letrat Kredenciale Presidentit Meta

Presidenti i Republikës, Ilir Meta pranoi Letrat Kredenciale nga Ambasadori i ri i Republikës së Afrikës së Jugut në vendin tonë, zoti Shirish Manaklal Soni, me rezidencë në Romë. Presidenti Meta vlerësoi interesin dhe vullnetin e përbashkët për të inkurajuar dhe intensifikuar marrëdhëniet midis dy vendeve, si në nivel dypalësh ashtu edhe në atë shumëpalësh. Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta nënvizoi nevojën e nxitjes së kontakteve të drejtpërdrejta mes përfaqësuesve të biznesit dhe të identifikimit të fushave me interes për bashkëpunim ekonomik e tregtar.