Shqipëria lavatriçe e pastrimit të parave të pista në Evropë dhe Azi

851
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Indeksi i Bazelit mat riskun e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit dhe zbardh raportin për Qeverisjen 2018

Shqipëria është cilësuar nga vendet e BE-së si “Columbia” e Evropës, për shkak sepse është bërë vendi i origjinës së kultivimit dhe trafikimit të hashashit, por edhe të lëndëve të forta si kokainë dhe heroinë, e cila vjen nga Amerika Latine, siç ishte rasti i 613 kg kokainë të sekuestruar në Portin e Durrësit, ose përpunohet edhe në laboratorët në Shqipëri, siç u zbulua në Xibrakë. Trafikantët shqiptarë të lëndëve narkotike tashmë janë në krye të bandave kriminale edhe në shumë vende të Bashkimit Evropian. Indeksi i Bazelit, i cili mat riskun e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit zbardh raportin për Qeverisjen 2018, ku e rendit Shqipërinë në 10 vendet e para në Evropë dhe Azi, si “parajsa” të pastrimit të parave. Shqipëria ende nuk po zbaton luftën kundër korrupsionit, drejtësia është e mbërthyer në kolapsin e Gjyqësorit dhe këto faktorë mund të rrezikojnë mos hapjen e negociatave edhe në qershorin e 2019-s.

 

Shqipëria, “parajsa” e pastrimit të parave

Para disa kohësh në Portin e Durrësit u kap një makinë Yaris, në të cilën gjetën thuajse 5 milionë euro, të cilat vinin nga Brukseli dhe natyrisht janë para të fituara nga trafiqet dhe veprimtaritë e tjera kriminale të personave kriminalë shqiptarë, ose të personave të tjerë, që bashkëpunojnë me botën e krimit në Shqipëri. Këto miliona euro erdhën nga Brukseli ën Shqipëri, që këtu të bëhej pastrimi i tyre, domethënë të investohen në Shqipëri. Shqipëria së bashku me Rumaninë, Marokun, Kinën e Pakistanin është një nga destinacionet kryesore të dërgesave me shuma të dyshuara financiare, të nisura nga Italia përgjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2018. Shqipëria renditet në 5 vendet e para të transferimit të parave të dyshimta përmes sistemit Money Transfer. Me anë të këtij sistemi në 6 muajt e parë të vitit 2018 nga Italia në Shqipëri janë dërguar 551 mijë euro, të konsideruara të dyshimta nga autoritetet italiane. Lajmi është bërë i ditur nga Njësia Informative Financiare e Sistemit të Anti-riciklimit të Bankës Shtetërore Italiane, e cila sapo ka publikuar raportin e gjashtë mujorit të parë të 2018 me konkluzionet se operacionet financiare të dyshuara për financim terrorist janë rritur me 38%, ndërsa ato për riciklim parash me 5.3 % në krahasim me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë.

Instituti i Bazelit: Shqipëria ndër 10 vendet e para në Botë për pastrimin e parave

Instituti i Bazelit për Qeverisjen e klasifikoi Shqipërinë në listën e 10 vendeve me riskun më të lartë të pastrimit të parave në Evropë dhe Azinë Qendrore. Në indeksin e sapo publikuar, Basel AML Index 2018, Instituti ka marrë në analizë 129 vende në të gjithë botën për rrezikun e pastrimit të parave dhe financimeve terroriste, bazuar në të dhëna publike. Më konkretisht Shqipëria është renditur në vendin e 55 në botë ose në të 10-tin për sa i përket rajonit të Evropës dhe Azisë Qendrore për riskun më të madh të pastrimit të parave. Sipas Indeksit Shqipëria vlerësohet me 5.57 pikë, në një renditje ku 0 nënkupton rrezik të ulët, ndërsa nota 10 përbën rrezik të lartë. Krahasuar me një vit më parë, vlerësimi i Shqipërisë ka shënuar një përmirësim thuajse të papërfillshëm me 0.08 pikë. Por pavarësisht këtij përmirësimi minimal, sërish vendi ynë klasifikohet sërish si një nga 10 lavatriçet më të mëdha të pastrimit të parave në Evropë dhe Azinë Qendrore. Sipas renditjes, lista botërore e pastrimit të parave kryesohet nga Taxhikistani, i cili vlerësohet me 8.3 pikë. Pas tij renditen Kazakistani dhe Kirgistani, ndërsa në vendin e katër renditet Turqia. Ndërkohë nga rajoni i Ballkanit, veç Shqipërisë, në dhjetëshen e vendeve me riskun më të lartë për pastrimin e parave në Evropë dhe Azi, gjenden dhe Serbia me Bosnjën. Ndërkohë dy fqinjët e tjerë të Shqipëri, Maqedonia dhe Mali i Zi, janë në dhjetë vendet që kanë shënuar përmirësimin më të madh për riskun e pastrimit të parave gjatë vitit 2018.

Indeksi i Bazelit

Indeksi i Bazelit mat riskun e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit të vendeve bazuar në burimet publike të disponueshme. Një total prej 14 indikatorësh që lidhet me rregulloret kundër pastrimit të parave dhe luftën kundër terrorizmit, korrupsionin standardet financiare, ndikimin politik dhe zbatimin e ligjit agregohen në një vlerësim total risku. Ashtu siç thuhet edhe në raport synimi i Institutit të Bazelit për Qeverisje nuk është që të verë vendet në krahasim me njëra tjetrën për nivelin e riskut që ka secila për pastrimin e parave por që të shërbejë si një indikator referimi individualisht për çdo vend për të parë ku ka ecur dhe për të orientuar politikat drejt përmirësimet të këtij treguesi me vetveten.