Koronavirusi/ Ashpërsohen masat në Kosovë: Nga e mërkuara, qytetarët do të lëvizin vetëm 90 minuta në ditë

203
Sigal

Gjatë një konference për mediat, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur masat e reja të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, të cilat do të hyjnë në fuqi të mërkurën më 15 prill, duke nisur nga ora 06:00.

Vitia njoftoi se qytetarëve u lejohet të dalin nga shtëpitë dhe banesat e tyre një herë në dite vetëm për 1 orë e gjysmë.

“Morëm vendimin që përfshijnë masat e reja për parandalimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19. Ky kujdes tash e tutje duhet të jetë edhe më i shtuar. Nuk mundemi dhe nuk duhet të tolerojmë edhe lëshimet më të vogla kur në lojë është jeta e qytetarëve tanë. Masat do të hyjnë në fuqi të mërkurën nga ora 06:00 dhe organet përgjegjëse do të përkujdesen që këto masa të zbatohen në përpikëri”, tha Vitia, përcjell Telegrafi.

“Prej datës 15 prill, nga ora 06:00 ndalohet qarkullimi i personave fizikë, jashtë banesave e shtëpive të tyre, përveç atyre mbi moshën 16 vjeçare, të cilëve u lejohet qarkullim për furnizim me ushqim për barëra dhe prokukte higjienike dhe për të kryer obligimet si: pagesa apo punë bankare.

Kjo lëvizje vetëm për një orë e gjysmë në ditë, bëhet në bazë të shifrës së parafundit të numrit peronal të letërnjoftimit. Për shtetasit e huaj, të cilët nuk posedojnë letërnjoftimin e Kosovës, orari i tyre bëhet në bazë të shifrës së fundit të numrit të pasaportës”, bëri të ditur Vitia.

Vitia tha se ndalohet shoqërimi me ndonjë person përveç në dy raste.

“Nuk lejohet shoqërim nga asnjë person tjetër, përveç nëse janë persona me aftësi të kufizuara, dhe personat nën 16-vjeç, me kusht që të jetë i shoqëruar nga një anëtar i të njëjtës bashkësi familjare. Për shkak të rrezikut të lartë për personat në moshë, ju lutemi që personat mbi moshën 65-vjeçare të mos dalin nga shtëpia apo banesa përveç në raste urgjente dhe të domosdodhme për ta”, bëri të qartë Vitia.