Basha thirrje qeverisë: Të mbështeten mediat si në vendet fqinje. Shkodra të paraqitet problem!

347
Sigal

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, thotë se nuk është vetëm Shkodra problem por edhe Fieri dhe Elbasani.

Sipas Bashës, qeveria duhet të rrisë mbështetjen edhe për median në këtë periudhë të vështirë.

Në një intervistë në “Report Tv”, Basha deklaroi gjithashtu se duhet të merren masa reale për të mbështetur ekonominë.

“Masat duhet zbatuar kudo në Shqipëri. Ne kemi bërë edhe spote dhe të tjera mesazhe sensibilizuese për qytetarët që të zbatojnë masat. Ne kemi treguar mbështetjen tonë totale për këto masa. Askush nga qeveria dhe autoritetet shëndetësore nuk e kanë paraqitur Shkodrën si problem.

Papritur në një fundjavë çuan ministrin e Brendshëm dhe thanë se Shkodra është problem. Shkodra është problem por jo për shkodranët. Problem është edhe Elbasani dhe Fieri që nuk kanë tre pika kalimi kufitar.

Dua të bëj thirrje që çdo kush të bëjë detyrën e vet dhe detyra e qeverisë sot është që t’u përgjigjet masave shtrënguese ndaj qytetarëve me masa mbështetëse për njerëzit në nevojë, me masa për personelin shëndetësor dhe mbështetjen për ekonominë me masa reale pa diskriminuar për çdo punëdhënës, përfshirë bizneset e mesme dhe të mëdha. Përfshirë edhe ata në krye të detyrës siç është personeli policor, por siç kemi edhe median.

Vendet fqinj po mbështesin mediat, transparenca është kyç në këtë betejë. Nuk mund të kemi ne gazetarë dhe kameramanë që hiqen nga puna, staf minimal për të mbështetur median, për shkak të paaftësisë të diktuar nga kriza paguese të mediave. Duhet urgjentisht të mendohet që transparenca dhe media po kështu të ketë mbështetjen e nevojshme si aleatë bashkë me të tjerët në këtë betejë për të cilën Shqipëria dhe shqiptarët do ta fitojnë”, -u shpreh Basha.