Premtimi i Ramës: Tiranë-Elbasan mbyllet brenda vitit

614
Kryeministri mbledh qeverinë në qytetin e Metalurgjisë dhe cakton një tjetër afat për përfundimin e autostradës
Kryeministri Edi Rama premtoi dje se rruga Tiranë- Elbasan do të finalizohet brenda këtij viti, ndërkohë që do të ecet më tutje me aksin rrugor që lidh Elbasanin me Korçën. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, e cila këtë muaj u zhvillua në Qarkun e Elbasanit, kryeministri Rama u ndal te investimet kryesore në këtë qark si dhe te projektet prioritare ku do të investohet në vazhdim. “Sipas kalendarit të përmuajshëm, çdo muaj ne jemi në një qark jo për ekskursion e turizëm, por për të shkuar në çdo zonë dhe për të kontaktuar drejtpërdrejt me njerëzit, për t’u bërë me dije projektet tona e për t’u mbajtur fort të lidhur me realitetin”, tha Rama. Sa i takon qarkut të Elbasanit, shefi i qeverisë theksoi se “kemi dy probleme të trashëguara, dy gropa të cilat kemi bërë përpjekje për t’i mbushur por ende nuk i kemi mbushur dot plotësisht për arsye të marrëzive të së shkuarës të babëzisë të së tashmes”. Kryeministri iu referua projektit të rrugës Elbasan-Tiranë dhe rrugës tjetër Qukës-Qafë Plloçë. “Kishim dy projekte skandaloze, kontrata skandaloze, menaxhim skandaloz dhe rritje skandaloze të kostos. Ne jemi të angazhuar dhe të vendosur t’i realizojmë këto projekte dhe rruga Tiranë-Elbasan do të finalizohet brenda këtij viti”, tha kryeministri. Sipas Ramës, hapet përfundimisht ky aks rrugor duke lidhur përfundimisht përmes kësaj rruge të re Elbasanin me Tiranën, ndërkohë që ecet më tej me segmentin Qukës-Qafë Plloçë që lidh Elbasanin me Korçën. “Po ashtu është shumë e rëndësishme që po finalizohet një aks i ri rrugor i nisur mandatin e parë që krijon kushtet për forcimin e një poli të natyrshëm ekonomik mes Elbasanit dhe Beratit, duke bashkuar Cërrikun, Belshin, Urën Vajgurore dhe Kuçovën, që janë zona ku ka një zhvillim të vazhdueshëm dhe të rëndësishëm bujqësor dhe ku i jepet mundësi e re dhe e shumëpritur të gjitha sipërmarrjeve bujqësore për një lëvizje normale drejt tregjeve”, tha Rama. Një sërë projektesh të tjera në portofolin e 4 viteve të ardhshëm për qarkun e Elbasanit, sipas tij, lidhen me infrastrukturën, ujësjellësit dhe energjinë. Rama veçoi projektin e interkonjeksionit 400 kilovolt që lidh Fier-Elbasan-Manastir, dhe që do të sjellë një tjetër zhvillim pozitiv në sektorin energjetik dhe në lidhjen e rrjetin tonë me Maqedoninë dhe zonën tjetër të Ballkanit.
Sigal