Benet Beci, kandidat për deputet i PS jep 1.3 miliardë lekë tendera në 1 vit, shumica pa garë

741
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare e drejtuar nga Benet Beci, i cili është kandidat për deputet i PS-së vetëm gjatë vitit 2020 ka prokuruar 1.3 miliardë lekë të reja në 31 tendera, shumica e të cilave rezultojnë pa garë. Fenomeni i konstatuar më shpesh janë procedurat, ku ka marrë pjesë vetëm 1 kompani, që automatikisht është shpallur edhe fituesja. Në këtë mënyrë, ndërmarrja me në krye Becin ka nënshkruar 15 kontrata. Një rast i tillë është edhe ajo për sigurimin e shëndetit dhe nga aksidentet personale të punonjësve të KESH-it me një fond limit 143 milionë lekë. I vetmi konkurent pjesëmarrës ishte bashkimi i operatorëve Sigma, Sigal, Sicred dhe Insig dhe në këtë mënyrë ata u shpallën automatikisht fituesit e tenderit.

Oferta e paraqitur nga subjektet në fjalë rezulton me një diferencë shumë të vogël prej 38 mijë lekësh nga fondi limit. Nuk mungojnë as rastet kur për kontratën shfaqin interes disa kompani, të cilat skualifikohen për mungesë dokumentacioni, kriteresh apo sepse nuk paraqesin ofertë, duke lënë në garë vetëm një kompani. Konkretisht, KESH nën drejtimin e Benet Becit në vetëm 1 vit ka zhvilluar 9 tendera në këtë mënyrë. Kështu është vepruar për furnizimin me ajërftohësa të gjenratorëve në HEC Fierzë dhe Vau i Dejës me fond limit 91.8 milionë lekë. Interes kanë shfaqur dy kompani, njëra prej të cilave me ofertë më të ulët është skualfikuar me argumentin se nuk plotësonte disa kritere dhe kishte mangësi në dokumentacion. Kjo ka bërë që subjekti Novamat që kishte ofertuar vlerën më të lartë prej 90.8 milionë lekësh të shpallet fituesi.