Policitë evropiane: Shqipëria, burim kryesor i kanabisit

638
Raporti i “Europol”: Shqipëria, burimi kryesor i kanabisit në BE
Zbulohen shifrat tronditëse të biznesit kriminal prej 24 miliardë eurosh në vit. Si ushqehen grupet kriminale dhe njolla e rëndë mbi vendin tonë
Kanabisi mbetet deri më tani droga e paligjshme më e përdorur në Evropë, ndërsa Shqipëria vijon të jetë burimi kryesor i bimës së kanabisit. Një raport i fundit i publikuar nga Organizata Evropiane e Policisë, “Europol”, pohon se tregu i drogës në vendet evropiane prodhon 24 miliardë euro fitime për trafikantët dhe rrjetet e krimit të organizuar. Raporti flet se, rreth 35 për qind e grupeve të krimit të organizuar aktive në Bashkimin Evropian janë të përfshira në prodhim, trafikim ose shpërndarje të drogës. Raporti i “Europol”-it vlerëson ndërkohë, se rruga e Ballkanit mbetet rruga kryesore e hyrjes për pjesën më të madhe të heroinës në Bashkimin Evropian. “Shqipëria mbetet burimi kryesor i kanabisit bimor të trafikuar në Bashkimin Europian”, thuhet në raport. Aty nënvizohet se grupet kriminale përdorin anijet për këtë trafik, ndërsa kanë edhe flotat e tyre të vogla për të transportuar sasi disa tonëshe me kanabis. Raporti thekson se vaji i kanabisit transportohet në kontejnerë, së bashku me mallra të tjerë, për të mundësuar hyrjen në vendet e Bashkimit Evropian. “Në vitet e fundit, kanabisi bimor ka qenë shumë i përdorur nga konsumatorët”, thuhet në raport. Më tej, “Europol” parashikon se kanabisi do të mbetet popullor mes konsumatorëve dhe për rrjedhojë do të gjenerojë fitime të ndjeshme për organizatat kriminale të përfshira në prodhimin, trafikimin dhe shpërndarjen e tij. Në të njëjtën kohë, Organizata Evropiane e Policisë flet për rritjen e prodhimit të kanabisit në ambiente të mbyllura. 

Shqipëria ka prodhuar gjatë viteve të fundit sasi shumë të mëdha të kanabisit, duke u kthyer në një shqetësim për vendet fqinje. Sasi të ndjeshme janë bllokuar nga Italia dhe Greqia, ndërsa ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri akuzohet nga prokuroria për përfshirje në një grup kriminal që prodhonte dhe transportonte kanabis. Disa pjesëtarë të këtij grupi, të njohur emrin “Habilaj”, janë arrestuar në Itali, ndërsa disa të tjerë në Shqipëri. Gjithashtu, gjatë arrestimeve janë bllokuar edhe disa tonë kanabis, si në Itali dhe në Shqipëri. Vetëm pak ditë më parë, media botoi pjesë të një informacioni të zotëruar nga prokuroria dhe Ministria e Brendshme lidhur me implikimin e punonjësve të policisë në trafikun e drogës. Në kuadër të dosjes për ish-ministrin Tahiri janë shpallur në kërkim edhe tre ish-drejtues të lartë të policisë në Vlorë, ndërsa vazhdojnë hetimet edhe për të tjerë oficerë. 

Opozita ka akuzuar qeverinë për një përfshirje direkt në mbrojtjen e prodhuesve dhe trafikuesve të kanabisit, ndërsa ekzekutivi ka deklaruar se tashmë po i jepet fund historisë së drogës. Megjithatë debati politik në vend vazhdon të jetë i ndezur pikërisht për shkak të akuzave dhe hetimeve që lidhen me trafikun ndërkombëtar të drogës. Disa ndër emrat më të akuzuar dhe të kërkuar për trafikun e drogës vazhdojnë të mbeten në kërkim dhe policia ka dështuar në arrestimin e tyre. 
Droga drejt Ankonës, mbeten në burg 7 të arrestuar
Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e sigurisë për 7 personat e arrestuar si të përfshirë në trafikun e drogës. Gjykata dha masën e sigurisë arrest me burg për Festim Lelaj, nënkomisar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Fierit, dy efektivët e policisë në Portin e Durrësit, si dhe dy doganierët, po të këtij porti, e dy shtetas të tjerë. Këta shtetas dyshohen si autorë të trafikut të një sasie prej 2.5 tonësh droge, e llojit kanabis sativa, e cila u kap në Ankona në janar të këtij viti. Droga që kaloi nga porti i Durrësit dyshohej se ishte e një rrjeti trafikantësh shqiptar. Pas këtyre hetimeve rezultonte se organizatori i këtij trafiku ishte Festim Lelaj, nënkomisari në Drejtorinë Vendore të Policisë së Fierit. Një ditë pas arrestimit të nënkomisarit, Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëroi edhe ndalimin e Gëzim Dervishit dhe Agron Kapllanit, 2 efektivë të policisë kufitare të Durrësit, doganierit të portit, Altin Katundi si dhe agjentin doganor, Mikail Hila, që të gjithë të dyshuar si të përfshirë në këtë trafik. Në Itali, në janar u arrestua kamionisti Dhimo Koraj dhe pas bashkëpunimit me policinë shqiptare u arrestuan edhe tre trafikantë të dyshuar, Demo Progonati, Euron Hoti dhe Malton Lleshi, të cilët ndodhen në gjendje arresti. Para pak ditësh, policia arrestoi një tjetër anëtar të këtij rrjeti, Aurel Laza. Në përfundim të këtyre hetimeve rezultoi se, të përfshirë ishin edhe Skënder Siceqa dhe Arbi Mustafa, që u arrestuan së bashku me oficerin e policisë Lelaj gjatë së martës.


Sigal