Plani i PD: Bllokim Kuvendit, si në Kosovë e Maqedoni

514
Zbulohet plani i PD: Bllokim Kuvendit, si në Kosovë e Maqedoni
Demokratët shqyrtojnë hapësirat e rregullores për të penguar zgjedhjen e Ruçit kryeparlamentar. Si do të përdoret drejtimi i seancës së parë nga Berisha ose Shehu dhe rreziku për kaos
Partia Demokratike po përgatit një plan të posaçëm për të bllokuar zgjedhjen e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit. I sulmuar për të shkuarën e tij si ish-ministër i Brendshëm dhe ish-funksionar i lartë i Partisë së Punës përpara vitit 1990, Ruçi do të jetë “tabela e parë e qitjes” për demokratët e opozitës. Nuk bëhet fjalë vetëm për protesta apo fjalime, por juristët kanë shqyrtuar me detaje rregulloren e Kuvendit për të shfrytëzuar çdo hapësirë që ky dokument mundëson. I gjithë plani i demokratëve, që po detajohet në zyrat e selisë blu, mbështetet në faktin se ata do ta drejtojnë përkohësisht Kuvendin e Shqipërisë, më 9 shtator, në orën 10:00. Është kjo data dhe ora e dekretuar nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e mbledhjes së parë të legjislaturës. Në bazë të rregullores, mbledhja e parë e legjislaturës së Kuvendit, deri në zgjedhjen e kryeparlamentarit, hapet dhe drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë. Kampion i vjetërsisë mes deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit është ish-kryeministri Sali Berisha. Megjithatë, ashtu si katër vite më parë, Berisha mund ta refuzojë drejtimin e Kuvendit, duke ia lënë stafetën një tjetër deputeti demokrat, ish-kryetarit të saj, Tritan Shehu. Me ish-ministrin e Jashtëm në vendin e mbajtur nga Meta në mandatin e shkuar, Partia Demokratike pritet të vërë në zbatim edhe planin e saj bllokues, që do të shoqërohet edhe me aksion opozitar jashtë sallës së Kuvendit. Sipas juristëve të opozitës, rregullorja e Kuvendit nuk parashikon asnjë votim nga deputetët, deri në momentin e nisjes së procedurës për verifikimin e mandateve. Gjithashtu, rregullorja përcakton se deri në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nuk zhvillohet asnjë debat. Pikërisht, kjo “periudhë gri” pritet të shfrytëzohet nga demokratët për ta bllokuar seancën e parë, duke e penguar që ajo të shkojë deri në verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve. Në rast se betimi i deputetëve realizohet, socialistët me 74 mandatet e fituara në zgjedhje nuk kanë asnjë pengesë për të ndjekur procedurat parlamentare, edhe të vetëm.

Sipas planit që po përgatitet në selinë blu, kryetari i përkohshëm i Kuvendit mund të bllokojë procedurën e caktimit të Sekretarisë. Rregullorja i jep të drejtën deputetit më të moshuar, i cili çel seancën, të caktojë tre deputetë, ndër ata me moshë më të re, për të kryer përkohësisht detyrën e Sekretarisë së Kuvendit, deri në zgjedhjen e Byrosë. Megjithatë, rregullorja nuk përcakton se çfarë ndodh në rast se kjo procedurë nuk zbatohet. Gjithashtu, sipas juristëve, rregullorja nuk shprehet se si veprohet në rast se drejtuesi i seancës, në këtë rast Sali Berisha apo Tritan Shehu, do të vendosin ndërprerjen e punimeve për shkak të një debati të ndezur apo një problem tjetër. Mbetet e paqartë koha që ka dispozicion deputeti drejtues i seancës së parë për të vendosur thirrjen e një seance tjetër apo vazhdimin e asaj ekzistuese, teksa ende nuk ka nisur procedura e verifikimit të mandateve për deputetët e zgjedhur. Kjo mund ta vërë në vështirësi shumicën parlamentare, e cila ndodhet edhe në presionin e kohës për të miratuar në Kuvend, jo vetëm zgjedhjen e kryetarit, por edhe Aktin Normativ për ndryshimin e buxhetit të shtetit, si dhe qeverinë e re. Akti Normativ për ndryshimin e buxhetit është miratuar nga qeveria më 16 gusht dhe brenda shtatorit duhet të ratifikohet nga Kuvendi, ndërsa ekzekutivi i ri pret të nisë punën, edhe për shkak të disa detyrimeve ndërkombëtare, siç është edhe përfaqësimi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që do të çelet më 12 shtator dhe do të nisë debatin një javë më pas. Mbi të gjitha ekzekutivin e ri e pret një punë jo e vogël për formatimin e strukturave të ministrive dhe realizimin e shumë ndryshimeve në njerëz, të paralajmëruar nga kryeministri. Pikërisht mes listës së ministrave është edhe Fatmir Xhafaj, i zgjedhur për të drejtuar Ministrinë e Brendshme, i sulmuar nga opozita për të shkuarën e tij dhe i akuzuar prej saj për lidhje me krimin. 

Plani i opozitës, ndonëse ende nuk është final dhe pritet të diskutohet mes deputetëve, duket megjithatë të jetë frymëzuar jo pak nga zhvillimet e muajve të fundit në Maqedoni e Kosovë. Në dy vendet fqinje mbledhjet e para të Kuvendit rezultuan problematike, duke shkaktuar vonesa të zgjatura, deri në mbërritjen te zgjedhja e kryeparlamentarit apo qeverisë. 
Sigal