PD: Veliaj mashtroi për arsimin profesional dhe punësimin e të rinjve

46
Partia Demokratike ka vijuar edhe sot me akuzat ndaj kandidatit të majtë për kryetar bashkie, Erion Veliaj. Përmes një deklarate për shtyp, Akil Kraja, përfaqësues i listës së PD-së për Këshillin Bashkiak ka akuzuar Veliajn se vazhdon me premtime boshe ashtu siç u premtoi të rinjve punë përmes ngritjes së arsimit profesional.
“Erion Veliaj po përsërit premtimet e pambajtura të dy viteve më parë, veçse kësaj radhe për Tiranën. Dhe ndonëse vetë INSTAT-i i qeverisë tregon rritje të papunësisë me 5% gjatë këtyre dy viteve, Erioni po premton punë për të rinjtë përmes ngritjes së arsimit profesional. Por edhe në 2013-ën Erioni premtoi: “Dyfishim i shkollave të arsimit profesional dhe ndërthurje me Qendrat e Formimit profesional, duke krijuar një rrjet disa herë më të gjerë formimi profesional. Zgjerim i shërbimit arsimor dhe formimit profesional në fshat, duke ofruar aftësi në bujqësi, agropërpunim e shërbime bujqësore.”
Ky premtim doli mashtrim. Erioni si Ministër ishte përgjegjës për ta realizuar këtë premtim. Ai kishte plot 40% të buxhetit të shtetit për të realizuar këtë dhe dhjetëra premtime të tjera që kanë rezultuar mashtrime dhe që po ia përmendim çdo ditë përgjatë 50 ditëve. Mashtroi me formimin profesional dhe mashtroi me punësimin siç konfirmon INSTAT-i i Qeverisë. Erioni prapë premton veç për të marrë pushtet dhe nuk e ka problem t’i mashtrojë sërish qytetarët sapo ta ketë pushtetin. Çdo ditë do t’i kujtojmë Erionit nga një tjetër premtim të thyer dhe nga një tjetër mashtrim, sepse votuesit nuk do të mashtrohen përsëri”, perfundon deklaratën Kraja.