PD, 101 vota për atë që… i “punoi 101” votës së lire

49

Njeriu që manipuloi 3 palë zgjedhje, nuk e kishte problem të manipulonte zgjedhjet e veta

Me një votim të bërë publikisht brenda sallës së Këshillit Kombëtar të PD, por me “llogari” votash të bëra në “oxhakun” e kupolës së kësaj partie e cila, prej 24 vjetësh faktikisht vazhdon të komandohet nga Sali Berisha, bilanci votave ka rezultuar me mandatimin e Arben Ristanit në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj partie, ose nr. 2, siç quhet. Zyrtarisht, i dyti i kësaj partie, me “CV” burgun ku e futi ish pushteti i PD, me “dekoratën” si ish kreu i KQZ kur shpallte fitues Lulzim Bashën për bashkinë e Tiranës, i shpërblyer si ish-zv/ministër për “kontributet” ndaj liderit të sotëm zyrtar të PD dhe prej 1 viti e gjysmë, “konferencier” denoncimesh mediatike kundër qeverisë “Rilindja”, Arben Ristani mori shpërblimin prej partisë “Berisha-Basha”, duke u ulur në kolltukun partiak të Ritvan Bodës. Ky kolltuk i lartë i PD, lakmohej prej afro 20 figurave të vjetra e të reja të kësaj partie, madje edhe më pasionantë, më të “betuar” e më të sakrifikuar se Ristani në shërbimet ndaj Sali Berishës, familjes së Sali Berishës dhe “kurorëzimit” zyrtar të Lulzim Bashës si “trashëgimtar” i Sali Berishës në “fronin” e PD. Sipas numrit të votave, Ristani, ka dalë më “i fortë”, duke spostuar dukshëm edhe të “preferuarin” Selami e “dhjaksin” Alibeaj, siç ka spostuar e ka nxjerrë jashtë loje përfundimisht edhe Genc Rulin, “dhelprën” e “rrjepjes” 22 vjeçare të kolltuqeve ministrore majtas e djathtas, “oratoren” Majlinda Bregu, “ideologen” Mesila Doda, “profesorin” Arben Imami e shumë të tjerë në PD… deri tek Kaçi, të cilët mund të dalin përfundimisht jashtë prej Ri(stanit), mbasi siç po sillen Berisha e Basha, ata janë “byroistë të djegur”, që nuk i duhen më as për vota realizimit të “projekteve” komanduese të PD. Ai që u zgjodh si nr. 2 i PD me 101 vota është pikërisht, ai që në 8 maj 2011, i punoi “101” votës ë lirë të shqiptarëve…