Paralajmërimi i ashpër i SHBA për Tiranën zyrtare

56
Me rastin e 25-vjetorit të rivendosjes së lidhjeve Tiranë Uashington, shefi i Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho bisedoi me drejtorin e zyrës për çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore Thomas Yazdgerdi, lidhur me zhvillimet e sotme në Shqipëri. 
Në 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA dhe Shqipërisë, cili është vlerësimi i Uashingtonit? 

Nëse i hedh një vështrim Shqipërisë, përparimi i arritur gjatë kësaj kohe është mbresëlënës. Këtë e them edhe nga përvoja personale, pasi unë kam shërbyer në Tiranë nga 2000 deri më 2002. Edhe nga ajo kohë e deri sot përparimi ka qenë i madh. Pozita e Shqipërisë në rajon dhe në botë është riafirmuar si vend i njohur për tolerancën fetare, një vend anëtar i NATO-s dhe që përparon drejt integrimit në BE… Në Shqipëri, ajo që presim të shohim sot, është konsolidimi i reformave më të thella. Kur isha në Shqipëri, vendi ishte ende duke dalë nga trauma e shkatërrimeve të skemave piramidale. Më parë, rreziku kryesor për Shqipërinë ka qenë destabilizimi i brendshëm, gjë që sot është kapërcyer, nuk përbën më shqetësim. Ajo që duhet sot është thellimi i reformave, veçanërisht lufta kundër korrupsionit. 

Le të ndalemi tek reforma e drejtësisë. Pritshmëria ishte që reforma të miratohej gjatë muajit mars. A pritet të ndodhë kjo?

Ne shpresojmë që të miratohet sa më shpejt. Mendoj se të dyja palët janë pranë. Ato e kanë të qartë se rëndësia e kësaj reforme nuk u duhet lënë sherreve politike dhe përpjekjeve që njëra parti të fitonte pikë ndaj tjetrës. Qytetarët shqiptarë duan një sistem drejtësie të pakorruptuar. Ne jemi të përfshirë intensivisht së bashku me kolegët europianë, që figura e gjykatësit të kontrollohet dhe të verifikohet, që gjykatësi të jetë i kualifikuar, të mos jetë i korruptuar dhe që njerëzit të kenë besim tek sistemi i drejtësisë. Kjo do të ketë ndikim në të gjithë shoqërinë shqiptare, por edhe tek investitorët e huaj. Shpresojmë se do të ndodhë sa më shpejt dhe po e inkurajojmë këtë. 

Pas opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi, kanë filluar përplasjet politike, a jeni i shqetësuar nga kjo gjë?

Kemi besim se udhëheqja e partive kryesore, dy partive në pushtet dhe e PD, do ta kuptojnë sa e rëndësishme është kjo për të ardhmen e Shqipërisë dhe për kursin që ajo do të ndjekë në të ardhmen. Ne do të shpresonim që ata të lënë mënjanë përplasjet politike dhe të përqendrohen në atë që duhet bërë. Në politikë, siç e dimë të gjithë, për të patur sukses, duhet të bësh kompromis. Të dyja palët duhet të bisedojnë. Ne dhe kolegët europianë, jemi të gatshëm të ndihmojmë me ekspertizën tonë, me idetë tona, por në fund të fundit, janë të dy palët që duhet të arrijnë kompromis për realizimin e saj. 

SHBA u investua për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, madje si bashkë-autore e ligjeve. Kjo është një çështje tjetër e komplikuar dhe është bërë tashmë pjesë e reformës. Por, a ka filluar Amerika të trajnojë pjesëtarët e ardhshëm të kësaj njësie?

Është e rëndësishme që qeveria të arrijë të miratojë, me sa më shumë mbështetje që mundet, ligjet përkatëse për këtë byro. Ne e dimë se qeveria është e interesuar për të patur një Byro Kombëtare Hetimi, pak a shumë si FBI amerikane. Ne mendojmë se kjo është një ide e mirë dhe e mbështesim atë. Ajo do të merrej me ndjekjet penale të nivelit të lartë, me korrupsionin në nivele të larta. Kjo është e rëndësishme. Kjo është e lidhur me reformën në drejtësi, pasi një byro e fortë hetimore kërkon edhe një sistem të fortë drejtësie, që do të merrej me akuzat që do të ngriheshin. Ne shpresojmë që qeveria të miratojë ligjet përkatëse për këtë strukturë. 

Përse duhet ta miratojnë politikanët krijimin e FBI-së shqiptare, kur ajo mund të veprojë kundër tyre?

Nëse do të ndodhte kështu, do të ishte një sfidë. Por ne shpresojmë. Thelbi i udhëheqjes, jo vetëm në Shqipëri, por kudo, është që të bëhen gjëra, sidomos nga partitë në koalicionin qeverisës, që të jenë në të mirë të vendit. Mund të jetë e vështirë, nuk është e lehtë, por ata kanë mbështetje të madhe nga popullsia shqiptare. Populli shqiptar e mbështet këtë përpjekje.

Kohët e fundit, SHBA bëri të ditur se nuk do t’u japin viza disa gjyqtarëve dhe prokurorëve të dyshuar për korrupsion. A do të shtrihet kjo praktikë edhe tek politikanët?

Do të varet nga shqyrtimi i fakteve, nëse një gjë e tillë është e justifikuar apo jo. Në rastin e gjyqtarëve atyre u janë mohuar vizat dha baza e këtij mohimi ka qenë korrupsioni. Në SHBA një praktikë e tillë bazohet ligjërisht tek dekretet presidencialë dhe kohët e fundit është përdorur në rastin e disa gjykatësve në Shqipëri. 

Nëse perceptimi në Shqipëri është se politikanët janë po aq të korruptuar sa edhe gjykatësit e prokurorët, a pritet të shohim mohim vizash edhe për ta?
Çdo pushtetar që kërkon viza për në Amerikë, mund të jetë objekt i këtyre dekreteve. Ne do t’i shqyrtojmë rastet për të parë nëse një gjë e tillë është e justifikuar. 
(Marrë me shkurtime)