Pakti Shqipëri-Greqi/ Konsultat për marrëveshjen e re të detit, ish-presidentët paraqesin mendimet. Thirret edhe Kodheli

796
Meta konsultohet me ish-presidentët, thërret edhe Kodhelin
Kreu i Shtetit vazhdon takimet, pas kërkesës së qeverisë për dhënien e plotfuqishmërisë për negociatat mbi ndarjen e kufirit detar me Greqinë
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka zhvilluar takime intensive, pas kërkesës së Ministrisë së Jashtme për t’i dhënë plotfuqishmërinë për negociimin me qeverinë greke lidhur me caktimin e kufirit detar mes dy vendeve. Në zyrën e Kreut të Shtetit kanë mbërritur në dy ditët e fundit të gjithë paraardhësit e tij, me të cilët presidenti Meta ka biseduar për hapat që duhet të hidhen në kushtet e ekzistencës edhe të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese lidhur me marrëveshjen Shqipëri-Greqi të vitit 2009. Pas Bujar Nishanit, Bamir Topit, Alfred Moisiut, Rexhep Meidanit dhe Sali Berishës, presidenti Ilir Meta është takuar edhe me kryetaren e Komisionit të Jashtëm parlamentar, Mimi Kodheli. Deputetja e Partisë Socialiste dhe ish-ministre e Mbrojtjes i është përgjigjur thirrjes së Kreut të Shtetit për konsultime mbi çështjen e kufirit detar me Greqinë. Rreth takimeve mungojnë detajet, ndërsa Presidenti i Republikës pritet të shprehet dhe të shpallë vendimin e tij, pas kërkesës së qeverisë. 

Kërkesa e Ministrisë së Jashtme për presidentin e Republikës lidhur me dhënien e plotfuqishmërisë erdhi pas dy takimeve të zhvilluara mes ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, në Kretë dhe Korçë. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka qenë në qendër të kritikave për këtë fakt, ndërsa Ministria e Jashtme deklaroi se negociatat e kryera deri më tani me palën greke kanë qenë mbi çështje parimore dhe nuk është punuar me hartën. Gjithashtu, Ministria e Jashtme është shprehur se në momentin që nis puna me ndarjen e vijës kufitare në hartë, atëherë kërkohet plotfuqishmëria e Presidentit të Republikës. Nga ajo çfarë është bërë publike nga pala greke fillimisht dhe më pas nga ajo shqiptare, kriteret e dakordësuara janë ato të 12 miljeve dhe të vijës së mesit mes kufirit të të dy vendeve dhe se matja do të niste nga ishujt grekë të banuar në vitin 1913. Ndërkohë, palët kanë rënë dakord për një vizitë të kryeministrit grek, Aleksis Cipras në Tiranë në muajin prill për të firmosur një protokoll të përgjithshëm mbi marrëdhëniet dypalëshe. Sipas kryeministrit Edi Rama, me kuadrin e ri të marrëveshjeve, qeveria greke ka rënë dakord të heqë edhe ligjin e luftës mes dy vendeve. Nga ana tjetër, palët ndahen ende në qëndrime të largëta dhe kundërshtuese për çështjen çame. 
Sigal