OSBE, sondazh për “notën” që shqiptarët i kanë vendosur ish-diktautrës

486
Sigal

Një anketë e ideuar nga
OSBE ka mbledhur informacion mbi perceptimin e qytetarëve shqiptarë për të
kaluarën komuniste. “Rezultatet ishin tejet interesante dhe jo gjithmonë siç
mund të parashikoheshin”,-tha sot ambasadori i OSBE në Tiranë, gjatë
prezantimit të rezultateve. Anketuesit kanë synuar të kuptojnë, nëse ka
mbështetje të përgjithshme për hapjen e dosjeve të Sigurimit në Shqipëri. “Të
anketuarit ishin thellësisht të ndarë në lidhje me rolin e Enver Hoxhës në
historinë e vendit”, -tha ambasadori. Ish-dikatori Hoxha shihet si pozitiv nga
gati gjysma e të anketuarve dhe si negativ nga gjysma tjetër. Mendimet
ishin gjithashtu të ndara rreth figurave të tjera të spikatura të kohës së komunizmit
si Nexhmie Hoxha dhe Ramiz Alia. Gati gjysma e të anketuarve mendojnë po ashtu,
se komunizmi në Shqipëri ishte “një ide e mirë, e cila u zbatua keq”. Shumica e
të anketuarve mendojnë, se disa aspekte të jetës ishin më mirë gjatë regjimit,
të tilla si: siguria, arsimi dhe punësimi. Në përgjithësi, qytetarët nuk e
shohin trashëgiminë e të shkuarës komuniste si një problem të madh me të cilin
përballet vendi sot, sidomos krahasuar me problematika të tjera më të mëdha, si
ekonomia, korrupsioni, keqqeverisja, pandëshkueshmëria dhe shëndetësia.