Bardhyl Berberi: Kush e “sposorizon” krimin makabër në Shqipëri?!

524
Sigal

 


Dy ngjarje rrëqethëse  që të lenë pafrymë  njëra në Fier dhe tjetra në Korçë .Ne jemi duke aspiruar për në Evropë,  këto krime dhe standarde,  janë shumë larg asaj që  pretendojmë. Në këto 26 vite  po shohim dhe po dëgjojmë krime makabre, si e majta dhe e djathta në këto vite tranzicioni  kanë dështuar. Njerëzit janë të paaftë të menaxhojnë këto situata të  vështira, pasi ato janë komplekse dhe të shumta. Këto ngjarje janë rrjedhojë e dëshpërimit , varfërisë pasigurisë,  pasi krimi zbret nga salla e parlamentit  në familjet shqiptare. Jemi një shoqëri pa vlera, njerëzit nuk kontrollojnë instinktet dhe po kthehen në shtazë.  A mund të varen dy engjëj apo të hidhet gruaja nga kati i katërt! Shoqëria shqiptare është e armiqësuar dhe copëtuar në grupe, klane, fisnore, banda   edepsëzësh të përzier me politikanë të “fortë” me muskuj fizikë që bëjnë gjithçka u do qejfi  janë përfshirë nga një delir  madhështie, se me atë karrige që kanë marrë mund të sundojnë të  emërojnë këdo në punë që nga të afërmit deri tek dashnoret. Këtyre bandave me karrige shtetërore u mungojnë muskujt e trurit. Kjo bandë edepsëzësh ushtron dhunë psikike dhe fizike në çdo segment të shoqërisë – në lagje,  në fshat dhe në  qytet. Këta e ushtrojnë  abuzimin  me bekimin e shtetit; janë të mbrojtur nga ligji i korrupsionit se dhe karrigen ku janë  ulur e kanë blerë. Janë këta zullumqarë  që  po e  rrënojnë  shtetin e së drejtës. Dhe po e copëtojnë shoqërinë shqiptare. Nga ana tjetër, qytetari ndjehet i vetmuar, i frikësuar, i pambrojtur nga ligji për shkak të institucioneve të korruptuara. Pra, shoqëria  drejtohet  nga ca  bashibozukë kokëtul  që nuk kanë asnjë rrudhë  në tru.Të ndodhur para këtij tabori injorantësh që i shfrytëzon njerëz me  nerva të dobëta po kryejnë këto krime makabre

 

Po qytetarët, kush i mbron?

 

Askush nuk e mbron qytetarin e thjeshtë! Çdo institucion është kthyer në një dyqan privat i të punësuarve me mik. Kjo vjen ngaqë këta titullarë institucionesh veprojnë si agallarë pasi nuk vepron ligji. Se të gjitha këto  emërime  të paaftësh dhe të afërmish janë shpërdorim detyre dhe ka një nen të veçantë që merresh penalisht për shpërdorim detyre po kush e zbaton ligjin. Bashkia, spitali, shkollat deri në universitet, kadastrat, policia, teatri, të gjitha janë të zaptuar nga  një  takëm të paaftësh që mbrohen nga çadrat e partive politike dhe mbahen sehir nga gjyqësori i korruptuar,  se pas reformës  do të  japësh llogari për të gjithë abuzimet  dhe dosjet që kanë ngelur, sa një mal pa u kapur me dorë. Të mbeturit jashtë çadrës janë personalitete me tituj shkencorë dhe grada  që kanë ngelur në mëshirën e fatit, në mëshirën e takave dhe fustaneve dekolte; Të epshit të banditëve, kaçakëve dhe edepsëzëve të papërgjegjshëm dhe të pamëshirshëm. që  karrigen e kanë kthyer  në një lopë dhe ia mjelin  të gjithë të mirat e saj; qumështin, mishin deri tek rrjepja e lëkurës së tyre. Rezultati  është dëshira dhe shpresa për të ikur  nga ky vend i “mallkuar”. Këtë e tregojnë shkollat dhe fshatrat e boshatisura. Ky është rezultati politik. I mashtrimit të këtyre maskarenjve që tallen me popullin. Por, ka një dritë në fund të tunelit. Reforma në drejtësi që  këtyre abuzuesve me një qind e një mëkate një ditë do t’i ulin në bankën e të akuzuarit. Secili qytetar i mjeruar pret me shpirt, të miratohet reforma dhe vendi të shpëtojë nga kjo lëngatë e gjatë! Të dashur politikanë, në këto krime makabre që ndodhin, ju keni pjesën tuaj sepse JU iu  keni vrarë shpresën njerëzve të varfër dhe i keni lënë në udhëkryq!