Organet e reja të drejtësisë, ja procedura e ndërtimit

606
Gjyqtarët që kandidojnë për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe prokurorët që kandidojnë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë po kalojnë në filtrin e organeve të vetingut. Ndërsa anëtarët që emëron Kuvendi për secilin institucion, që vijnë nga radhët e avokatëve, pedagogëve të drejtësisë dhe shoqërisë civile, verifikohen nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Kuvendi është gati të nisë punën për të zgjedhur anëtarët e vet, por po pret vlerësimin e të huajve edhe për tre kandidatët e shoqërisë civile për vendin vakant në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Kandidaturat e shoqërisë për KLP-në mbërritën në Kuvend pasi u mbyll sesioni parlamentar. Mungesa e KLP-së, shkaktoi ngërçin dhe debatin me zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm. “Pa dyshim kriteret ishin të forta, sepse bëhet fjalë për zgjedhjen e qeverisë së gjyqësorit, por nuk e kisha menduar, që përfaqësues të shoqërisë civile të mos kishin besim dhe predispozitë”, tha Vasilika Hysi, nënkryetare e Kuvendit. Ajo thotë se në këtë fazë nuk ka arsye për vonesa. “Çdo afat lidhet me momentin kur na vjen lista me të gjithë kandidatët nga sekretari i përgjithshëm dhe OMM ndërkohë ka bërë dhe vlerësimin”, thotë ajo. Që nga ky moment puna nis brenda 24 orëve në Komisionin e Ligjeve, të cilët do të kenë përpara dy lista me emrat që i plotësojnë dhe nuk i plotësojnë kriteret. Ata vlerësohen nga një nënkomision me tre anëtarë nga mazhoranca e dy nga opozita. Shorti është parashikuar si mekanizëm zhbllokimi. “Komisioni i voton kandidaturat me 4 vota. Në rast se nuk merren katër vota, atë herë hidhet shorti”, vijon Hysi. Në momentin që krijohen dy listat unike me 5 emra për KLGJ dhe 5 për KLP, Parlamenti ka 7 ditë kohë për miratimin e tyre me 2/3 tretat e votave. Nëse zgjedhja dështon nënkomisioni brenda dy ditëve dërgon një listë tjetër. Dhe në rast edhe të një dështimi të tretë, atëherë lista e depozituar quhet e miratuar”, thotë ajo.

Edhe nëse Kuvendi e kryen misionin e tij në afat, ngritja e KLGJ dhe KLP varet nga ritmi me të cilin organet e vetingut do të verifikojnë kandidatët gjyqtarë dhe prokurorë. “Nuk kemi informacion se në ç’fazë është trajtimi i dosjeve të kandidatë, dhe se çfarë problematikash do kenë kandidatët”, thotë Hysi. Brenda dy muajve nga ngritja e organeve të drejtësisë, ngrihen dhe strukturat ku janë bazuar dhe pritshmëritë më të forta për suksesin e reformës në drejtësi: “Krijimi i KLP-së sjell tre kandidaturat për prokuror të përgjithshëm, brenda dy muajve ngrihet BKH dhe SPAK”, tregon Hysi. Nënkryetarja e Kuvendit është optimiste që korpusi i organeve të reja të drejtësisë kompletohet në pranverë.
Sigal