Oerd Bylykbashi: Opozita shprehet se vota e Tiranës duhet të ishte pro SHBA, Shqipëria të tregojë letrën e qeverisë amerikane

595
Kërkesa, Shqipëria të tregojë letrën e qeverisë amerikane
Opozita shprehet se vota e Tiranës zyrtare duhet të ishte përkrah SHBA. 
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, kërkoi nga qeveria të bëjë transparencë mbi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, pas votimit pro në OKB të rezolutës kundër njohjes së Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit. Sipas tij, Shqipëria duhej të radhitej me 7 shtetet e vegjël, që e mbështetën aleatin e tyre të madh apo me 35 shtete edhe të mëdha që abstenuan.‎ Ndërkohë, ambasadorja amerikane në OKB, Niki Halej, u është drejtuar me një letër qeverive që nuk e mbështetën, duke bërë të qartë se Presidenti Trump do të marrë personalisht në dorë listën e vendeve, që votuan pro rezolutës. Qeveria në Tiranë nuk ka sqaruar, nëse ka marrë një letër të tillë, ndërsa është shprehur se mbështeti qëndrimin e BE-së. 

Detyrimet ndaj një miku të madh
Ambasadorja e SHBA në OKB i ka shkruar një letër të fortë qeverive në lidhje me votën kundër SHBA-së. Një letër të tillë mund ta ketë marrë edhe qeveria shqiptare. Pas këtij lajmi në BBC, ‎lexova shkrimin e një analisti që e vlerësoj dhe respektoj. Thoshte në thelb se, së paku kësaj here Rama nuk u bë qesharak duke iu lëpirë Trump-it e duke u rreshtuar me disa shtete të vogla dhe se kishte bërë mirë që u rreshtuam si shumica dërrmuese, përfshirë aleatët e mëdhenj të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Japoninë e Gjermaninë. Pra pragmatizëm diplomatik për t’u lavdëruar‎.

Para pak ditësh, më 28 nëntor, pata mundësinë që të bej një fotografi përpara shtëpisë së familjes sime, më saktë asaj që ka mbetur, në Prizren. E kërkova për rreth një orë duke pyetur rrugëve, derisa e gjeta me një kënaqësi të brendshme sikur ç’kisha bërë. Diku një shekull më parë stërgjyshi im, mbiemrin e të cilit mbaj, u detyrua të largohej për shkak të serbëve, atë shtëpi e grabiti një familje serbe, e më pas kurrë nuk mundëm të kthehemi në shtëpinë dhe pronat tona. Si shumë të tjerë. Besa është një koncept themelor në identitetin tonë. Është një element që u dha shqiptarëve doza romanticizmi në përshkrimet e të huajve, dhe ndoshta është një nga barkat me të cilat dolëm në breg të historisë me identitetin që kemi. ‎Në thelb, besa nuk ka asgjë racionale, por ka gjithçka burrërore. Për shkak të besës, shqiptari ka pranuar t’i digjet shtëpia, por mikun nuk e ka lënë vetëm. Për shkak të besës, ka pranuar hasmin kur i ka trokitur në derë në mes të natës e i ka kërkuar strehë si mik.‎ Këtë bëri edhe kur nuk dorëzoi asnjë hebre tek nazistët, por do ta bënte edhe për palestinezët, nëse halli do t’i kishte sjellë në besë dhe në derë të shtëpisë së shqiptarëve. Pikërisht, besën na e njohën edhe hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore dhe për të na nderojnë në mënyrë të veçantë, jo vetëm ata, por kushdo. Nëse do të kishim bërë si shumica e vendeve evropiane, përkundër iracionalitetit që na imponon ky kod moral, sot do të kujtoheshim ndryshe dhe për turp me të gjithë ata që deportuan hebrenjtë në kampet e shfarosjes.

Besoj se po të mos kishte qenë SHBA dhe veprimet e saj në 1999-n, unë atë foto ‎para shtëpisë së vjetër të familjes sime në Prizren nuk do ta kisha bërë kurrë. Madje besoj se po të mos kishin qenë SHBA në Konferencën e Paqes në 1919, unë ndoshta as në Durrës nuk do të mundesha të bëja foto përpara shtëpisë sime dhe rrugicat e Durrësit do të kishin tabela adresash në sllavisht a në një gjuhë tjetër. Sigurisht, ky është arsyetim emocional, por besoj plotësisht racional në lidhje me thelbin tonë identitar. Nëse kërkojmë në këtë thelb tonin, çdokush do të gjente arsyen për të qenë “irracional” e për të mbështetur aleatin tonë në atë votë në OKB. Qoftë edhe duke u radhitur me ato 7 shtete të vegjël si ne, që e mbështetën aleatin e tyre të madh apo me ato 35 shtete edhe të mëdha që abstenuan.‎ Vota e Shqipërisë duhej të reflektonte thelbin “irracional” identitar, jo vetëm të shqiptarëve të Shqipërisë, por edhe të Kosovës që ende nuk kanë një votë në OKB e që me siguri do të votonte pro mikut të madh që i detyrohen aq shumë. E për ndokënd që mbështet të kundërtën mbi baza fetare, sot e kësaj dite duhet të ulë kokën përpara devizës që Vaso Pasha na la për nderin tonë: Feja e shqiptarit është shqiptaria. Qeveria duhet të publikojë letrën e ambasadores së SHBA në OKB, ose të mohojë që ka marrë një të tillë. Nëse kemi marrë një të tillë, nuk ka rëndësi sanksioni me ndërprerje ndihmash apo çfarëdo tjetër. Ne duhet të na bëjë të skuqemi fakti që kemi marrë një të tillë nga një mik që na ka dalë në krah në ditët më të zeza të ekzistencës sonë, jo sepse kishim ushtri të madhe, financa, naftë apo interesa për të këmbyer, por thjesht sepse na kërcënohej identiteti. Nëse nuk kemi marrë një letër, duhet të skuqemi dyfish, sepse miku ynë na e ka falur me një buzëqeshje të hidhur maninë e të bërit diplomaci të madhe.
Sigal