Opozita takon “Venecian”/ E vërteta e Dekretit, uniteti, pluralizmi në Shqipëri, zgjedhjet pa standarde dhe loja e paturpshme e Kuvendit

401
Sigal

Opozita takohet me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias: Presidenti Meta me dekretet e tij u përpoq të ruajë unitetin dhe pluralizmin në Shqipëri

Opinioni që do të japin në tetor konstitucionalistët e Komisionit të Venecias mund të mos zgjidhë krizën e thelluar politike shqiptare, por mund të jetë një gur i rëndësishëm kilometrik drejt zgjidhjes së saj. A mundej Presidenti Ilir Meta të zhdekretonte datën e zgjedhjeve vendore, të dekretuara po prej tij? Kësaj pyetje do t’i japin përgjigje juristët e huaj, të cilët e nisën sot misionin e tyre faktmbledhës, që në 8 të mëngjesit me takimet me politikanët dhe zyrtarët shqiptarë. Fillimisht ata takuan përfaqësuesin e PD-së, Oerd Bylykbashi dhe atë të LSI-së, Klajda Gjosha.

Klajda Gjosha: Zgjedhjet e 30 qershorit, pa standarde

“Diskutuam një çështje që është e paprecedentë, aq më tepër për një vend që dëshiron të jetë pjesë e BE. Qeveria do duhej të fokusohej në plotësimin e kushteve për marrjen e rekomandimit për çeljen e negociatave, ne merremi me një çështje të rëndë, që është për të mbuluar gjithçka që sot shkon keq me qeverisjen, për të mbuluar raportin e OSBE-ODIHR, që tregon qartë se në Shqipëri zgjedhjet janë pa standarde. Parlamenti dhe mazhoranca kërkojnë të bëjnë politikë me çdo gjë”, u shpreh Gjosha.

Oerd Bylykbashi: Lojë e turpshme e parlamentit

Pas takimit ish-deputeti Bylykbashi deklaroi për mediat, se Kushtetuta e thotë mjaft qartë se kush e shkarkon Presidentin dhe se Parlamenti kërkon që të fusë në këtë lojë të turpshme dhe institucionet ndërkombëtare. Sipas Bylykbashit, Presidenti Meta me dekretet e tij u përpoq të ruajë unitetin dhe pluralizmin në Shqipëri. “Kushtetuta është e qartë, Presidenti i Republikës shkarkohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese, nëse ka shkelur Kushtetutën. Presidenti është përpjekur të garantojë unitetin e popullit dhe pluralizmin në Shqipëri. Kjo është një nga detyrat fisnike që duhet të luajë dhe ka luajtur Presidenti. Parlamenti po përpiqet që të shkarkojë Presidentin dhe në këtë lojë të turpshme përpiqet të bëjë palë institucionet ndërkombëtare që janë të qarta në lidhje me këtë”, u shpreh Bylykbashi.