Analizë nga Prof. Dr. Zamira Çavo/ Sistemi Parauniversitar ka nevojë për një revolucion

284

Niveli i ulët i studentëve në universitete, pasqyrë e drejtpërdrejtë e gjendjes së mjeruar të Arsimit Parauniversitar. Reformat në Arsim në 30 vitet e fundit kanë shkatërruar cilësinë ndërsa Alterteksti dëmtoi mësimdhënien. Edukimi i ri shkollor, krijimi i Universitetit Pedagogjik për përgatitjen e mësuesve të ardhshëm dhe rritja e pagave

Referuar gjendjes në arsimin parauniversitar është e domosdoshme krijimi i një Universiteti PEDAGOGJIK, ku të ketë kurrikula të forta në të gjitha fushat, ku përgatiten mësuesit e ardhshëm

Prof. Dr. Zamira Çavo

Niveli i ulët i studentëve në universitetet tona, është pasqyrë e drejtpërdrejt e gjendjes së Arsimit Parauniversitar.

Prof. Dr. Zamira Çavo në intervistën për gazetën “Telegraf” shpjegon shkaqet, se në zhvillimin e teknologjisë dhe të përdorimit në rritje të sistemeve të informacionit, sistemi i Arsimit ka mbetur mbrapa, ndërkohë që reformat (politike) të ndërmarra nga qeveritë në 30 vitet e fundit, më shumë e kanë çorientuar këtë sistem. Prof. Çavo, me përvojën e saj të gjatë dhe të madhe në mësimdhënie, në këtë intervistë për gazetën “Telegraf” thekson se Sistemi Parauniversitar ka nevojë për një revolucion të thellë në mësimdhënie dhe shpjegon se çfarë duhet ndërmarrë për të ndryshuar tërësisht gjendjen, duke filluar që nga tekstet, përgatitja e mësuesve të rinj, ngritja e një instituti Pedagogjik për Mësuesinë etj.

-Prof. Çavo, të gjithë bien dakord që tërmeti më shkatërrues është gjendja në arsimin shqiptar. Është një problem që i takon gjithë shoqërisë. Rezultatet janë dukshëm drejt një rënieje të frikshme. Përse ndodh?

– Në kushtet e rritjes së shpejtë të teknologjisë, të përdorimit në rritje të sistemeve të informacionit, të një bote që po ndryshon me ditë e orë, sistemi i arsimit ka nevojë për një qasje krejtësisht të re. Kjo qasje nuk ka të bëjë me të ashtuquajturat Reforma në sistemin parauniversitar, reforma që më shumë e kanë çorientuar këtë sistem. Në 30 vjet Reformat në arsim, duke dashur të mbyllin plagët e njëra tjetrës e kanë shkatërruar cilësinë e arsimit. Problemi duhet shtruar më gjerë. Në fakt, edhe pse të gjithë bien dakord që sistemi arsimor ka nevojë për ndryshim thelbësor dhe duhet të jetë prioritet i qeverisë, sërish kur vjen puna për të treguar se çfarë dhe si duhet bërë, atëherë fillon dhe “gjurulldia” e mendimeve dhe mungesa e një dakordësie politike dhe administrative por edhe profesionale. Në mendimin tim ka dy elementë që duhen diskutuar e që burojnë nga dy qasje paralele që duhet të marrim parasysh:

  1. Cila është gjendja reale e të rinjve tanë në procesin e edukimit? Pra cilat janë dobësitë që ata shfaqin.
  2. Sa janë të lidhur ata me teknologjinë e sa janë përdorues të saj? Nisur nga e para sigurisht që duhet një studim i detajuar. Por nga sondazhet që kam bërë dhe biseda me shumë mësues rezulton se nxënësit e sotëm:

-Kanë dobësi të theksuara në fjalor. Pra, kanë një fjalor të cunguar.

-Kanë dobësi të theksuara në kuptimin e asaj çka lexojnë. Pra janë në rrethin e atyre që konsiderohen, analfabetë funksionalë.

-Nuk dinë të bëjnë debat, por kalojnë menjëherë në sharje.

-Janë bërë agresivë dhe bullizmi është bërë fenomen i përhapur, por që fshihet nga sytë e publikut.

Vetëm nga këto pak të dhëna është e kuptueshme që nxënësit nuk lexojnë, ndaj nuk kanë fjalor të zgjeruar, nuk kuptojnë, sepse nuk kanë logjikën e të kuptuarit, pra nuk dinë të mësojnë, dhe më së fundmi nuk kanë edukatën e të folurit e të sjelljes qytetare. Nuk janë pak për të parë, se si do të kemi të ardhmen e kombit, nëse nisemi nga këto që po “përgatitim” tani. Ndaj mendoj se sot ka ardhur koha të mendojmë seriozisht për edukimin parauniversitar.

– Tekstet mësimore, a janë një faktor më shumë që ndikon në përkeqësimin e nivelit cilësor të nxënësve?

– Ndaj thashë se Reformat në arsimin shqiptar përgjatë këtyre 30 viteve, më shumë e kanë shkatërruar cilësinë se sa kanë ndihmuar në rregullimin e arsimit. Alterteksti me pretendimin e “lirisë së zgjedhjes” e dëmtoi rëndë cilësinë e tyre. Për të rregulluar kakofoninë e këtyre paçavure tekstesh u kalua në “përkthime” të teksteve të marra nga vende të tjera. Këto përkthime jo vetëm lënë shumë për të dëshiruar, por nuk u përgjigjen as kërkesave minimale të cilësisë që kërkohet sot. Duke filluar nga Abetarja, e cila realisht duhet të jetë “bibël” e shkollës dhe nuk mund të bëhet “përshesh” me modele që ofrojnë më shumë vulgaritete se sa formim. Serioziteti në hartimin e tekstit është padyshim “alfa” e punës në cilësinë e mësimdhënies. Por nuk është vetëm teksti shkollor. Janë dhe librat jashtëshkollor që shtëpitë botuese i reklamojnë me forcë. Tituj të tillë si “Gjyshja Gango” apo “Halla e tmerrshme” apo “Mësuesja idiote” janë një element që çorienton fëmijët. Ndaj është e domosdoshme krijimi i një forumi me profesorë dhe mësues të talentuar, forum i cili të jetë permanent dhe të ketë në fokus cilësinë e kurrikulave, teksteve dhe lidhjeve me shtëpitë botuese.

Po në lidhje me përgatitjen e mësuesve ç’mund të na thoni? Nga vëzhgimet tona rezulton se vetëm në Fakultetin e Shkencave të Natyrës kanë shkuar ndër vite nxënës që mezi kanë kaluar në shkollën e mesme. Ata janë “mësuesit” e sotëm?!

– Me keqardhje them, se është e drejtë kjo që thoni ju. Me gjithë mesataren që është vendosur për këto degë (pra, degët e mësuesisë) asgjë nuk është zgjidhur në cilësinë e përgatitës së mësuesve të ardhshëm. Referuar gjendjes në arsimin parauniversitar është e domosdoshme krijimi i një Universiteti PEDAGOGJIK, ku të ketë kurrikula të forta në të gjitha fushat, që përgatitin mësuesit e ardhshëm.

– Po paga që kanë mësuesit a nuk është një faktor që i step nxënësit të kërkojnë degët e mësuesisë?

– Sigurisht që paga është një faktor stimulues. Por në raport me pagat e tjera në shkallë vendi nuk është se kanë disnivele. Natyrisht, do kisha preferuar që mësuesve t’u jepja pagën më të lartë të mundshme. Por mendoj se ajo që i largon nxënësit nga zgjedhja e degëve të mësuesisë ka të bëjë edhe me vështirësi të tjera si: përgatitje e vazhdueshme, vështirësi ne menaxhimin e klasave, vështirësi në plotësimin e burokracive që u kërkohen etj., etj. E dini sa të ngarkuar me burokracira janë mësuesit sot?

Ne i shikojmë çdo ditë fëmijët që nga njëra anë kanë çanta të mbushura me libra e fletore detyrash e nga ana tjetër sërish kemi analfabetë funksionalë. Kemi të rinj që lexojnë, por nuk kuptojnë sikundër thatë edhe ju. Si duhet të jetë shkolla në ditët tona? A e marrin nxënësit informacionin nga internet?

– Sigurisht kjo është mjaft e rëndësishme:

 Së pari duhet të gjejmë çfarë duhet të mësojnë fëmijët nga sistemi parashkollor deri në shkollën e mesme. Pra, për çfarë kanë nevojë: Për fakte, për informacion, për logjikë? Nxënësit kanë nevojë për teknologjinë? Historinë e gjeografinë? Matematikën dhe fizikën? Letërsinë dhe median? Qytetarinë dhe kiminë? Vetëm kjo “meny” që duket e thjeshtë të bën të zësh kokën me duar. Kaq shumë lëndë? A nuk të çon drejt mërzisë një kurrikul e tillë shkollore? Kaq shumë lëndë dhe nxënësi “nuk ka dëshirë” të shkojë në shkollë, sepse kjo “meny” e shoqëron nga klasa e dytë deri në të 12-n!

Së dyti: Edhe nëse e pranojmë këtë kurrikul, në çfarë mënyre duhet ta japim atë? Të njëjtat gjëra do t’i përsërisim në disa vite? Deri tani them me bindje se ngarkesa me letra e mësuesit dhe ato “teoritë” për vlerësime e vetëvlerësime nuk kanë sjellë rritje të cilësisë në shkolla. Përkundrazi. Atëherë çfarë duhet të kemi parasysh? Parimi thelbësor i edukimit në sistemin parauniversitar, në mendimin tim, duhet të jetë:Si të mësojmë e si të bëhemi qytetarë të mirë!” Le t’i referohemi njohjes. Studimet sot dëshmojnë se njeriu ka aftësi gjuhësore, logjike e matematike, hapësinore e muzike si dhe aftësi interpersonale dhe personale ashtu sikundër ka dhe aftësi të përshtatjes me natyrën. Çfarë ka bërë shkolla deri më sot? I ka quajtur “domene” të sajat edukimin pra “forcimin e aftësive” gjuhësore, matematike e natyrore dhe shumë pak, për të mos thënë aspak, kemi bërë për të zhvilluar e vënë në praktikë aftësitë e tjera, sikundër janë ato të komunikimit ndërpersonal, njohjeve të problematikave të mëdha të njerëzimit dhe pjesëmarrjes aktive në shoqëri. Nga ana tjetër studimet kanë treguar, se njerëzit i mbajnë mend mirë faktet. Kuiz-et e dëshmojnë më së miri këtë. Puna është se njerëzit e, sidomos të rinjtë, e kanë shumë të vështirë të ndërlidhin dijet e marra, sidomos të veprojnë me njohuri të ndërlidhura.

Ju po thoni se duhet të krijojmë një sistem të ri edukimi shkollor? Pra, të heqim dorë nga edukimi tradicional?

Që duhet të krijojmë një sistem të ri në përshtatje me kushtet e reja, kjo besoj është domosdoshmëri. Por nga ana tjetër është e kuptueshme se në edukimin e fëmijëve duhet të nisemi jo nga 0, por nga trashëgimia. Pra, qëllimi mbetet i njëjtë: Nxënësit duhet t’i mësojmë botën ku ai jeton dhe se si duhet të gjejë veten e tij në këtë botë. Duhet të marrë njohuri nga bota fizike e biologjike, ajo sociale dhe përvoja personale. Që të arrijë këtë duhen më së paku tre aspekte: të lexojë, të shkruaj e të dijë të bëjë llogari, dhe më pas nxënësit duhet të marrin njohuri për 3 familjet kryesore disiplinore: 1- Shkencat, të cilët kërkojnë të vërtetën në lidhje me botën fizike, sociale dhe biologjike, dhe që përdorin mjetin e fuqishëm të matematikës;

2- Studimi i artit dhe studimi i natyrës, të cilat na tregojnë për bukurinë e botës natyrore dhe atë të ndërtuar nga njeriu; dhe

3- Historinë dhe letërsinë, të cilat na tregojnë për të kaluarën e njerëzimit dhe dokumentojnë zgjedhjet e mira dhe të këqija që kanë bërë njerëzit dhe pasojat e këtyre zgjedhjeve.

Pra, deri në fund të shkollës së mesme nxënësi duhet të ketë marrë njohuri në të tri këto familje të disiplinave, duke treguar se çfarë përpjekjesh ka bërë njerëzimi për të mësuar të vërtetat, për të vepruar drejt e për të shmangur negativitetin në sjellje e mendim.

– Kjo është interesante por çfarë rekomandoni ju?

Njeriu në shkollë duhet të formojë një mendim sa më të saktë për botën fizike, biologjike, shoqërore dhe përvojën e tij. Për ta realizuar këtë hapat kryesor janë: Shkrimi, leximi dhe bërja llogari (pra aritmetika dhe logjika e saj). E parë ndër vite mund të themi se:

  • Në fëmijëri, sikundër thonë studimet, kureshtja e tyre shkon drejt botës të cilën e shohin. Në këtë moshë ata kanë fantazinë që shpesh krijon edhe përfytyrime të gabuara mbi natyrën. Pra në edukimin parashkollor edukatoret duhet t’u shpjegojnë fëmijëve pyetjet që ata bëjnë në mënyrë sa më të thjeshtë por të saktë. Dhe jo t’u mësojnë vulgaritete apo edhe më keq akoma banalitete sipas “përgatitjes “ që ka edukatorja.
  • Nga klasa e parë në të katrën fëmija duhet të mësojë mirë të shkruajë, të lexojë e të mësojë shifrat dhe lojërat me to, në mënyrë që të mësojë të bëjë aritmetikë. Të mësojë muzikë, dhe sport, duke e përafruar muzikën me shpjegime të ndryshme të artit ashtu si dhe sportin me shpjegime të ndryshme mbi trupin.

Duke këmbëngulur për disa vite në këto materie nxënësi “edukohet” të lexojë, të shkruajë e të shoqërizohet. Por mësohet ta kuptojë sportin apo muzikën në 3 D, pra në shumë qasje. Kjo e lehtëson shumë ngarkesën e nxënësit dhe e bën që ai të dëshirojë të vijë në shkollë. (Natyrisht kjo kërkon dhe përgatitjen e mësuesve, por për këtë do flasim më poshtë)

  • Më tej në klasat nga e 5-ta në të 9-tën nxënësit duhet të fillojë të krijojë mendimin e tij për botën fizike e biologjike, për historinë e gjuhësinë, por edhe për njohjen e vetes dhe të tjerëve. Ndaj mendoj që në lëndët e shkencave natyrore nxënësi nuk ka pse lodhet me te gjitha konceptet që kanë këto shkenca e as me tendencën për të dhënë “të rejat e fundit” që sigurisht vijnë në rritje. Por fare mirë mund të jepen disa teori që përbëjnë bazën e tyre duke u thelluar në to. Pra, mjafton që profesionistët të përcaktojnë cilat janë bazat apo teoritë që kanë bërë “revolucion” në shkencat e caktuara dhe aty të thellohen. Sa për teknologjinë mendoj se në këtë moshë nxënësit nuk u duhet mësuar teknologjia si lëndë, pasi ata dinë në këtë fushë më shumë se sa vetë mësuesit, por lëndët që u jepen duhet të jenë të digjitalizuara e kërkimi në internet duhet të jetë aktiv. Mësuesi vetë mund të përdorë platformë lojërash pafund që interneti ofron për ta bërë lëndën më interesante dhe indirekt forcon njohjet e të rinjve me teknologjinë. Të njëjtën gjë do theksoja edhe për historinë e gjeografinë. Gjuha shqipe (në këtë moshë) duhet të zërë një vend të rëndësishëm, sidomos në gramatikë.
  • Pas kësaj moshe, pra në përfundim të ciklit 9 vjeçar në Testin përfundimtar ( provimin e maturës së vogël ) unë mendoj se duhet t’i referohemi dhe testeve ndërkombëtare për këtë moshë. Pas përfundimeve të këtij testi të përcaktohet edhe e ardhmja e arsimit të secilit nxënës. Këtu duhet të ndahet arsimi në: Arsim profesional 2 vjeçar, Arsim profesional 4 vjeçar, shkollë e mesme 3 vjeçare dhe arsim elitar 3 vjeçar. Kur flas për arsim profesional 2 vjeçar, do të thotë hartimi i një programi me një kurrikul që përgatit ndihmës specialistë në profesione të ndryshme. Ndërsa sistemi 4 vjeçar profesional certifikon specialistin në fushat e nevojshme të ekonomisë së tregut. Arsimi elitar do të ketë kurrikul të ndryshme nga kurrikula e gjimnazit. Kjo kurrikul duhet të jetë e avancuar dhe të bëhet bazë për përgatitjen e elitës së ardhshme shqiptare.

– Po në lidhje me vlerat, me aftësitë dhe pjesëmarrjen e të rinjve në jetën reale, a ka ndonjë rol shkolla?

Patjetër që ka, madje e thashë edhe më sipër është në parimin e saj bazë. Sot jetojmë në një kohë kur problemet e mëdha të njerëzimit duhen bërë problem të çdo individi. Këtë po e bën bota, këtë duhet ta bëjmë edhe ne. Pra, shkolla duhet të ketë në thelbin e saj edhe njohjen e nxënësve me problemet e mëdha të ekzistencës së botës, të mjedisit, të terrorizmit, të katastrofave natyrore etj. Dhe këto probleme duhet t’i shoqërojnë nxënësit në përputhje me moshat e tyre që nga klasa e parë e deri në fund të rrugëtimit 12 vjeçar.

Së fundmi, unë do propozoja të fillonte një debat jo me “sikur”, por një debat real mbi rolin e shkollës, po edhe familjes në edukimin e fëmijëve dhe nxënësve, një debat sa publik aq edhe profesional ku të përfshihej jo vetëm shkolla e universiteti por edhe forumet e prindërve, shoqëria civile por edhe Media. Nëse e duam të ardhmen tonë duhet të veprojmë shpejt, pasi sot vuajmë pasojat e asaj çka kemi mbjellë 20 vite më parë dhe… nuk gjejmë dot profesionistë!

 

Intervistoi

Ëngjëll Musai