Nishani-Zannier: Vijimi i dialogut Kosovë-Serbi, thelbësor në marrëdhëniet mes dy vendve

397
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi sot një takim të veçantë me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE, zotin Lamberto Zannier, i cili ndodhet në Tiranë me rastin e Samitit përmbyllës të Kryesisë shqiptare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP). Presidenti Nishani falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm për pjesëmarrjen në Samit, si shenjë e vlerësimit për Kryesinë shqiptare për SEECP si dhe për bashkëpunimin shumë të mirë mes OSBE-së dhe nismave rajonale. Presidenti gjithashtu vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Organizatës, përfshirë me Zyrën e Prezencës së saj në Tiranë.
Kreu i Shtetit u ndal gjerësisht mbi çështjet e sigurisë, si një nga shtyllat më të rëndësishme të misionit të Organizatës, duke u fokusuar veçanërisht në zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Presidenti Nishani siguroi se Shqipëria vazhdon me vendosmëri kursin e saj për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim konstruktiv rajonal. Në këtë kontekst ai vlerësoi se vijimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE dhe mbështetjen e SHBA, si dhe zbatimi i plotë i marrëveshjeve që arrihen në kuadër të këtij dialogu është thelbësor për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por me ndikim pozitiv edhe në bashkëpunimin rajonal. Njëkohësisht është po aq e rëndësishme pjesëmarrja e Kosovës në nismat e ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare, çka do ta nxiste edhe më shumë pronësinë e bashkëpunimit në nivel rajonal. Shqipëria është e interesuar të zhvillojë marrëdhënie gjithnjë e më të hapura dhe të mira me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë me Serbinë, gjë që po dëshmohet dhe nga shkëmbimet e vizitave të nivelit të lartë në të dy vendet.
Duke u ndalur mbi zhvillimet e fundit në Maqedoni, Presidenti Nishani përsëriti qëndrimin e tij të shprehur edhe më herët gjatë Samitit, duke nënvizuar se asistenca e specializuar e organizatave ndërkombëtare në zbardhjen e ngjarjeve të Kumanovës, do të rriste besueshmërinë e procesit të hetimit, dhe do të ndihmonte në shmangien e transformimit të krizës në konflikt të paqenë ndëretnik. Në përgjigje të interesit të Sekretarit të Përgjithshëm mbi procesin e zgjedhjeve të afërta lokale në Shqipëri, Kreu i Shtetit vlerësoi bashkëpunimin e ofruar nga ODIHR për monitorimin e procesit zgjedhor, duke mirëpritur kontributin e Misionit vëzhgues si dhe kontributin e Prezencës në Tiranë për dekurajimin e fenomeneve kërcënuese, në përçimin e vlerave më të mira të Organizatës, si virtyt dhe si akt.
Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, theksoi se suksesi i Samitit të Tiranës tregoi lidershipin e fortë të Shqipërisë në nxitjen e bashkëpunimit rajonal, dhe evidentoi se Shqipëria ka vlera shumë të çmuara që mund të shërbejnë si model në rajon. Zoti Zannier shprehu mbështetjen e plotë për prioritetet që Shqipëria i ka vënë vetes, të lidhura edhe me integrimin evropian, siç janë shteti i së drejtës, reformimi i administratës, të drejtat e njeriut, të cilat janë gjithashtu të lidhura me objektivat dhe misionin e Prezencës në Tiranë. Sekretari i Përgjithshëm shprehu shqetësimin lidhur me fenomenin e infiltrimit të elementëve të lidhur me krimin e organizuar në administratë, përfshirë në kontekstin e zgjedhjeve të ardhshme lokale. Ai kërkoi që kjo gjë të ndiqet me përparësi si një çështje që përbën problem serioz. Zoti Zannier shprehu gjithashtu shqetësimin e polarizimit të fortë të situatës politike në vend, gjë që mund të dëmtojë avancimin e mëtejshëm të vendit drejt integrimit evropian. Sekretari i Përgjithshëm informoi po ashtu se bashkë me Këshillin e Evropës po bashkëpunohet për të asistuar palën shqiptare lidhur me amendimin e Ligjit për Median, një instrument shumë i rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë në vend.
Sigal