Nishani: Ligji për dosjet nuk siguron transparencë të diktaturës

435
Presidenti i Republikës Bujar Nishani deklaron se miratimi i Ligjit për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është i pamjaftueshëm, pasi nuk siguron transparencë të mekanizmit të kontrollit të diktaturës dhe lë hapësirë për keqpërdorim të një pjese të informacionit. Për Nishanin ata që drejtuan ata mekanizëm nuk mund të jenë sot drejtues të reformave.
Nishani ka bërë këtë deklaratë gjatë pritjes së një një delegacioni të Bundestagut të Republikës Federale Gjermane, të kryesuar nga deputetët Johannes Selle (CDU) dhe Josip Juratovic (SPD), në përbërje të të cilit ishte dhe Komisioneri Federal gjerman për administrimin e dosjeve të Shërbimit Sekret Shtetëror të ish-Gjermanisë Lindore, Stasi-t, zoti Roland Jahn.
Presidenti Nishani bisedoi me deputetët gjermanë mbi miratimin e Ligjit për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit duke theksuar se miratimi i tij përkon dhe me 25-vjetorin e fillimeve të proceseve demokratike në Shqipëri. Për Nishanin ata që drejtuan ata mekanizëm nuk mund të jenë sot drejtues të reformave.
“Miratimi i këtij ligji është një hap pozitiv, por minimal dhe i pamjaftueshëm, pasi nuk siguron një transparencë të plotë të mekanizmit të kontrollit të diktaturës dhe lë hapësirë për keqpërdorim të një pjese të informacionit. Shoqëria shqiptare duhet të çlirohet nga ai mekanizëm kontrolli dhe ata që e udhëhoqën dhe drejtuan atë mekanizëm nuk mund të jenë sot drejtues të reformave. Qytetarëve shqiptarë nuk mund t’u themi se lustracioni është i panevojshëm dhe nga ana tjetër t’u flasim për dekomunistizimin e shoqërisë.” – u shpreh Kreu i Shtetit.
Nga ana e tij, deputeti gjerman Johannes Selle u shpreh se është shumë e rëndësishme që të ketë një konsensus të gjerë shoqëror. Sipas tij, ligji i miratuar në Gjermani në vitin 1991 është amenduar deri tani tetë herë për të siguruar një mbështetje të shoqërisë gjermane. Ndërsa Komisioneri Federal gjerman Jahn e konsideroi ligjin shqiptar si një hap të parë, por nëse nuk vë në qendër të vëmendjes viktimat, zbatimi i tij do të ishte i pasuksesshëm.
Ndërkaq Nishani u shprehu deputetëve gjermanë mirënjohjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve për ndihmën e pakursyer që Gjermania dhe populli gjerman ka dhënë për zhvillimin ekonomiko-social të vendit dhe konsolidimin e institucioneve demokratike.
Ai i njohu deputetët gjermanë me reformat e ndërmarra nga Shqipëria duke i siguruar për vendosmërinë për të vijuar në rrugën e integrimit evropian si e vetmja alternativë strategjike për vendin.
Sigal