Nis referendumi i PS për mandatin e Ramës, socialistët vendosin sot

489
Ditën e sotme anëtarë të Partisë Socialiste do të votojnë për të vendosur nëse do të mbahen apo jo zgjedhje për kreun e Partisë. Votimi për referendumin ka filluar prej orës 08:00 të mëngjesit, dhe pritet që deri në orën 16:00 plot 81.572 socialistë në mbarë vendin të shprehin qëndrimin e tyre me votë. Ata do të japin verdiktin e tyre në pyetjen e referendumit “Kur Partia Socialiste është në qeveri dhe kryetari i saj është zgjedhur Kryeministër, a konsiderohet i rinovuar automatikisht mandati i kryetarit?”. 

 Të drejtë vote në këtë referendum do të kenë të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste të anëtarësuar deri më datë 31 dhjetor 2015. Ky vendim është marrë nga drejtuesit e PS-së për të shmangur pretendimet e zërave kundër, se referendumi do të manipulohet me anëtarë të rinj të anëtarësuar në parti. Do të jenë 383 qendra votimi në të cilat do të votohet në të gjithë vendin. Në të gjitha këto zona do të ketë edhe vëzhgues, të cilët do të ndjekin mbarëvajtjen e procesit, rezultatet e të cilit pritet të bëhen publike mesditën e së dielës. Për të shmangur problematikat në zona të caktuara, apo njësi administrative të caktuara, ku numri i anëtarësisë është më i madh, socialistët do të kenë gati edhe 15 qendra të tjera votimi.
Sigal