KEMP poshtëron 6600 invalidë

703
Në redaksinë e gazetës “Telegraf”, kanë ardhur shumë ankesa nga invalidët e shumë zonave të Shqipërisë, në lidhje me masën e ulët të pensionit mujor, të mashtrimit me rimbursimin e energjisë, të ujit, me naftën falas, me pagesën e ulët mujore të kujdestarëve, të vonesës me 3-4 muaj të mos dhënies pensioneve, të mos plotësimit të detyrimit me strehim, të mos rimbursimit të plotë të ilaçeve, të mohimit të së drejtës për punësim, për mjekësi, shkollim e udhëtim falas në autobusët e shërbimit urban e në transportin ndërqytetës, për shpërfillje në spitale, në zyrat administratës publike e shumë denoncime, lidhur me denigrimin që u bëhet kërkesave e ankesave të tyre social-ekonomike, të drejta që u takojnë me ligj, por që nuk u plotësohen nga shteti. Dhe sikur të mos mjaftojnë gjithë shqetësime të krijuara e të ofruara nga shteti, qeveria dhe strukturat e tjera administrative, prej 9 muajsh u ka shtuar invalidëve edhe një “torturë” tjetër sociale-shoqërore që rëndon gjendjen fizike, shpirtërore, psikologjike e financiare të tyre. Është fjala për një vendim qeverie, miratuar e futur në fuqi në “vapën” e qershorit të vitit 2015, lidhur me komisionet e vlerësimit të invaliditetit të personave me aftësi të kufizuara të lindura, ose të shkaktuara gjatë jetës.


 Më qartë, në “Fletore Zyrtare” Nr. 102, datë 19 qershor 2015 është futur në fuqi VKM Nr. 505, miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të datës 10 qershor 2015, me objekt: “Për organizimin, funksionimin dhe shpërblimin e komisioneve eprore, të caktimit të aftësisë për punë”. Sipas këtij vendimi, komisionet e invaliditetit në qarqe e rrethe, kanë të drejt të akordojnë vendime invaliditeti, por pas dhënies këto duhen kontrolluar me prezencë fizike të invalidëve në një komision epror që është ngritur në Tiranë dhe që ka fuqi të plotë e përfundimtare, për të quajtur të vlefshëm ose të pavlefshëm një vendim të komisionit zonal! Sipas këtij vendimi me përmbajtje e pamje “invalid”, çdo person invalid detyrohet të paraqitet çdo vit tek komisioni epror në Tiranë, për t’u verifikuar për ndryshimet fizike të invaliditetit që ka. 

Me këtë VKM, po veprohet kështu: Jo vetëm invalidët “zakonshëm” por edhe invalidët Paraplegjikë e Tetraplegjikë që jetojnë në psh në Dibër, Vlorë, Sarandë, Korçë, Dibër.  Malësi e Madhe, Kukës e Has duhet të udhëtoj çdo vit drejt Tiranës, për t’iu verifikuar vërtetësia dhe ndryshimi fizik i shkallës së invaliditetit. Absurdi dhe normaliteti logjik i këtij vendimi qeverie qëndron në faktin, që edhe invalidët pa këmbë e pa duar, me një këmbë e me një dorë, por edhe ata pa sy e të paralizuarit nga shtylla kurrizore, duhet të paraqiten çdo vit tek KEMP epror në Tiranë, për parë se mos u janë… “rilindur” këmbët, duart e shtylla kurrizore, apo se mos u kanë ardhur sytë e mendja! Komisioni Epror i caktuar dhe paguar me këtë vendim, detyron edhe këtë kategori invalidësh që të paraqitet tek zyrat e tij në Tiranë, për t’i parë se mos i “mbijnë” sërish këmbët, duart dhe sytë e humbur në fatkeqësi! ky vendim përveç torturës fizike, përbën edhe një shkatërrim financiar për invalidët, të cilët detyrohen të udhëtojnë drejt Tiranës duke shpenzuar mijëra lekë për udhëtim me makina e njerëz shoqërues në dispozicion! Sipas kësaj logjike qeveritare, janë 3600 invalidë Para e Tetraplegjikë nga qytetet dhe 3000 nga fshatrat, ose më saktë 6600 të tillë nga të gjithë rrethet e vendit, që me vendime qeverie detyrohen të “marshojnë” drejt Tiranës me shpenzimet e tyre, për t’i verifikuar “ndryshimi për të dhënat fizike” nga KEMP Epror! Këtë skandal e bëri prezent “Letra e Hapur” e zonjës Irena Vreto, drejtuar institucioneve të shtetit e të së drejtës nëpërmjet gazetës “Telegraf”, duke e konsideruar këtë vendim, një shqetësim dhe turp shtetëror që rëndon gjendjen shpirtërore, psikologjike e financiare të njerëzve me fatkeqësi fizike. 
Shënim i Redaksisë
Gazeta “Telegraf”, po nis sot një cikël shkrimesh lidhur me ligjet, vendimet e urdhëresat dhe praktikat e qëndrimet e strukturave të shtetit, të cilat kanë lidhje me të drejtat e cunguara, të munguara, të mohuara e të shpërfilluara të shtresës së invalidëve, duke ftuar të bëhen pjesë në këtë debat jo vetëm invalidët, por mbarë shoqëria shqiptare e madje edhe zura e anti-krimit ekonomik-financiar, për të zbardhur abuzimet që janë bërë prej shtetarëve e OJF-ve me fondet e donacionet në miliona euro të akorduara në “letra” për trajtimin e kësaj shtrese e cila jeton në fatkeqësi, në varfëri e shpërfillje ekstreme! 
Sigal