Ikën LSI, të hënën fillojnë spastrimet

441
Sigal

Dy ditë pas Konventës së Punësimit, selia blu gati të plotësojë një pjesë të premtimit

Largimi i LSI-së nga koalicioni qeverisës, ka përkuar me Konventën e Partisë Demokratike për punësimin dhe në këtë mënyrë, Berisha ka mundësi të hapë menjëherë 20 mijë vende pune në administratën publike, për të zëvendësuar njerëzit e Metës. Rokada pritet të ndodhë brenda 7 ditësh, ndërkohë që, ministrat e tanishëm të Metës do të përpilojnë strategjinë e fushatës elektorale, që do të drejtohet kundër Partisë Demokratike që vazhdon të jetë në pushtet. Nga tronditja e djeshme, Berisha tregoi një ndjeshmëri tepër të lartë për largimin e Metës, por dha garancinë se, “nuk do të ketë qeveri teknike”, dhe se, “maxhoranca është e garantuar. Ndërsa i pyetur për strategjinë që do të ndjekë PD-ja ndaj punonjësve të administratës civile, Berisha tha se, “ministrat kur marrin drejtimin e një ministrie, ndërtojnë ekipet e tyre të bashkëpunimit. Dhe pas largimit të ministrave edhe ajo pjesë njerëzish zëvendësohet”. Në takimin e djeshëm Berisha la të kuptohet se largimi i ministrave do të bëhet menjëherë, duke krijuar kështu brenda një kohe rekord gati më shumë se 20 mijë vende pune. Tanimë 20 mijë të punësuarve, nga LSI do t’u duhet të marrin valixhet e kthimit, për të zbatuar urdhrin e lidershipit të PD-së që është thënë me zë të ulët, sipas të cilit: “Asnjë anëtar i LSI-së të mos ngelet në punë, për administratën shtetërore”. Kështu të parët që do të largohen janë ministrat aktualë, Vangjel Tavo, që mban postin e ministrit të Shëndetësisë, Edmond Haxhinasto, që është zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, si edhe Edmond Panariti, që kryen funksionin e ministrit të Punëve të Jashtme. Ende nuk dihet fati i kohëzgjatjes së Nasip Naços, i cili kryen funksionin e nënkryetarit të Kuvendit. Pastaj, sipas deklaratës së djeshme të Berishës, largimi do të aplikohet edhe për zëvendësministrat apo për drejtorët e drejtorive, së bashku me atë pjesë të administratës që emërohet nga politika. Në këtë mënyrë, lista e të punësuarve të rinj në administratë do të kapë shifrën e 20 mijë vetëve. Kjo padyshim që do të shërbejë nga PD-ja edhe për t’i konvertuar këto vende pune, në vota të shumëfishuara, jo vetëm nga të punësuarit e rinj, por edhe nga familjarët e tyre.

Siguria e Berishës për mbajtjen e maxhorancës buron nga katër emra deputetësh konkretë, të cilët janë,   Dritan Prifti, dhe Gjovalin Kadeli, ndwrkohë që Asllan Dogjani ka deklaruar dje, se do t’i votojë të gjitha ligjet si një deputet i pavarur. Pa llogaritur këtu ndonjë tjetër që do të dalë në momentet e fundit. I pyetur për emrat e këtyre deputetëve që do të mbështesin qeverisjen e PD-së, Berisha tha se, kjo do të merret vesh në seancën më të parë parlamentare”.

Meta, Topi dhe Selami

Ndërsa i pyetur për kohën e zgjedhur nga Meta, për divorcin politik, Berisha tha: “Nuk them që koha që u përzgjodh nga LSI ishte në përputhje me marrëveshjen, por nga ana tjetër ishte e padëmshme, pa pasoja. Qeveria do të riformatohet me mbështetje, të qartë, me maxhorancë të qartë, në Parlament dhe do të përmbushë gjithë detyrimet e veta”.

Nga ana tjetër, Berisha përjashtoi çdo mundësi bashkëpunimi me kreun e FRD-së, Bamir Topin, duke thënë se: “FRD është një parti në pamje e djathë por në thelb e majtë”. Ndërsa i pyetur për mundësinë e emërimit të Eduard Selamit në postin e Ministrisë së Jashtme, Berisha refuzoi të përmendte emra.

Fati i KQZ-së

Berisha dje, nuk e pranoi përmbysjen e shifrave të anëtarëve të KQZ-së, në favor të së Majtës. Ai sqaroi se, nuk ka asnjë lloj paqartësie në Kushtetutë për balancën që duhet të ketë në institucionet e administrimit zgjedhor. “Idetë janë të qarta mbi balancën e institucioneve të administrimit të zgjedhjeve. Nuk ka asnjë lloj paqartësie në frymën dhe germën e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit”, shtoi Berisha.

Pozicionimi i Metës

Të gjithë mendojnë se LSI ka pranuar bashkëpunimin me PS-në, pa kushte specifike, të deklaruara, por të gjithë ata që e njohin kujdesin e Metës e dinë fare mirë se asgjë nuk ka përfunduar plotësisht. Mbyllja e tratativave për koalicionin e ri do të kurorëzohet vetëm kur të firmoset marrëveshja, por deri atëherë në takimet dypalëshe do të duhet të sqarohen ende shumë gjëra, që kanë të bëjnë me përqindjen e qeverisjes, postin kryeministror, raportin e deputetëve, e shumë të tjera. Sidoqoftë, deri atëherë do të duhet të diskutohet për gjithçka, por tani për tani 20 mijë persona të punësuar nga LSI do të presin 23 Qershorin, ku në rast fitoreje të së majtës, ta do të rikthehen përsëri në vendet e tyre të punëve.

 Rama: Berisha u mek!

Pas deklaratës së Kryeministrit Berisha në lidhje me largimin e LSI-së nga koalicioni, i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në rrjetin social Tvvitter. “Interesant! Kur Kryeministri meket nga ngjarjet del e flet për fshatin. Të gënjejë fshatin dhe 4 vjet, i vetmi iluzion që i ka mbetur. Koha për të ikur”, ka shkruar kryesocialisti Rama.

Nard Ndoka: Do ketë hapësira, por do presim

Kreu i demokristianëve tha dje për gazetën “Telegraf”, se: “Në shifrën që përmendët ju, mund të ketë nevojë për retushim, por pavarësisht nga kjo, unë në emër të PDK-së ju them se ne nuk kemi kërkuar deri tani asgjë”. Më tej, Ndoka vuri në dukje se, “hapësira mund të krijohen, por tanimë partitë politike po mendojnë për marrëveshjen afatgjatë që do të materializohet pas 23 Qershorit. “E gjithë vëmendja jonë është fokusuar tek marrëveshja për mandatin e ardhshëm qeverisës dhe jo tek problemet që kanë dalë si rezultat i prishjes së koalicionit nga LSI-ja. Ndërsa i pyetur se si do të veprojë PDK-ja nëse Berisha i ofron disa qindra vende pune, ai tha se, “PDK do të presë zhvillimet e ardhshme”.

 Dashamir Shehi: Nuk kërkojmë vende pune provizore!

 Ndërsa kreu i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi u shpreh se, ende nuk është diskutuar asgjë me përfaqësuesit e Partisë Demokratike për këto gjëra. Madje, sipas tij, ende është tepër shpejt për të kuptuar se çfarë ka ndodhur saktësisht, sepse gjërat janë në zhvillim e sipër. Ndërsa i pyetur se sa vende të reja pune do të kërkojë partia e tij, LZHK ai tha se nuk do të merret fare me këtë problem. “Nuk ka asnjë rëndësi ndonjë marrëveshje për të futur disa njerëz në punë, provizorisht për një periudhë dymujore”, u shpreh ai.  Synimi ynë në bashkëpunimin me PD është për një marrëveshje afatgjatë dhe jo për 10 -15 vende pune, që mund të shpërndahen provizorisht”, nënvizoi ai.

  Spahia: Po firmosim marrëveshjen e fitores!

Nga ana e vet, Ekrem Spahia, kryelegalisti i politikës shqiptare, u shpreh se, në lidhje me këtë pyetje nuk ka asnjë përgjigje tjetër, përveç deklaratës se, koalicioni i tyre do të fitojë zgjedhjet përsëri, në vitin 2013. “Unë ju deklaroj vetëm këtë gjë: Ne po përgatitemi të nënshkruajmë marrëveshjen e përbashkët që do të na nxjerrë përsëri fitues në zgjedhjet e 23 Qershorit”. Pra, në këtë drejtim, Spahia nuk pranoi të bënte komente për vendet e punëve të mbetura vakant pas largimit të LSI-së, duke lënë të kuptohet se synimi është vetëm për periudhën pas zgjedhore…

 Alimadhi: Nuk pranojmë vendet e komunistëve!

Nuk do të kërkojmë asnjë vend pune dhe nuk do të pranojmë të punësojmë asnjeri, në ato vende pune që kanë lënë bosh komunistët”. Kështu u shpreh dje, kryeballisti, Adriatik Alimadhi, i cili vuri në dukje se, “këto vende të lira pune, janë krijuar si rezultat i tradhtisë së komunistëve të rinj, të cilët janë pasardhës të atyre që prishën Marrëveshjen e Mukjes”. Nga ana tjetër ai shtoi se nuk e sheh bashkëpunimin me PD si një rast për të punësuar disa njerëz, por si alternativë për shpëtimin e Shqipërisë nga mbeturinat bolshevike”.