Nis punimet sesioni i ri parlamentar, Meta: Mision reforma në drejtësi

537
Kuvendi i Shqipërisë ka çelur pasditen e sotme punimet e sesionit të VI-të parlamentar të legjislaturës së VIII-të. Kryeparlamentari Ilir Meta, deklaroi që në fillim të seancës se reforma në drejtësi do të jetë proritet i këtij sesioni. “Gjatë këtij seksioni do të mbyllim me sukses miratimin e paketës kushtetuese për reformën në drejtësi. Kërkesa mbarëqytetare për një shkundje të thellë për ndryshimin e sistemit të drejtësisë do të na motivojë për të përmbushur këtë mision dhe për t’u dhënë qytetarëve drejtësinë që ata meritojnë. Reforma në drejtësi, prioritet i këtij sesioni”, deklaroi Meta. Rendi i ditës i seancës hapëse nisi me njoftimin e akteve normative të depozituara në Kuvend, miratimin e programit të punës së parlamentit për periudhën 18 janar-28 shkurt dhe të kalendarit 3-javor të punimeve për periudhën 18 janar-5 shkurt. Gjithashtu, deputetët miratuan dhe kalendarin e paraqitjes në Kuvend të raporteve vjetore të institucioneve kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj.
PALOKA: ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME PËR NJË REFORMË TË QENËSISHME NË DREJTËSI
Në fjalën e tij të parë në nisje të sesionit të ri parlamentar, Kreu i Grupit të PD-së, Edi Paloka tha se ky vit i ri i ka gjetur keq e më keq shqiptarët. Sipas tij janë shtuar vrasjet, krimet, grabitjet, e si të mos mjaftonte shqiptarët janë të izoluar nga uji e bora. “Ky vit filloi siç pritej, më keq se ai që lamë pas, me vrasje, përdhunime, grabitje. Mijëra familje po përmbyten çdo ditë, jo nga uji, as nga bora por nga varfëria dhe mjerimi që iu dhuron qeveria e tyre. Taksa të reja e pushime nga puna kjo ishte dhurata që ju bëri Rama shqiptarëve edhe në ditën e fundit të vitit që lamë pas”. Sipas tij, “Qeveria pranoi se ka paguar 360 milionë për ti bërë elozhe në 8 faqe shkrim në revistën Thë Economist, Ramës. Përgjigja ishte, paguam për të mashtruar të huajt. Ndërkohë që familjet e përmbytura presin bukën e gojës, qeveria paguan 360 milionë euro faqe reklamë”.
Paloka tha se kjo qeveri nuk ka vullnet të çojë përpara reformat për të cilat është zotuar. Ai shtoi se edhe me reformën në drejtësi, Rama synon ta kapë drejtësinë dhe jo ta vendosë atë për të mirën e shqiptarëve. Ndodhur në këtë situatë, ai propozoi që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme e t’i lihet në dorë parlamentit të ri si reforma në drejtësi ashtu edhe dekriminalizimi i Kuvendit e administratës. “Këta janë arrogantë. Ja pse Rama është investuar në atë që e quan reformë në drejtësi, që është kapje e drejtësisë. Nuk ka shqiptar që nuk e di që drejtësia ka nevojë për reformim, edhe unë si deputet jam ndjerë i pa mbrojtur, imagjino ç’bëhet me shqiptarët e thjeshtë. Po Rama se ka hallin tek qytetarët, ai synon kapjen dhe përdorimin e drejtësisë. Njeriu i akuzuar nga OSBE se ka bërë 200 milionë euro pasuri nuk bind dot askënd që mund të bëhet kalorësi i luftës ndaj korrupsionit. Ndaj do ta kapi drejtësinë, që të mbrojë kriminelët. Do e përdori si mjet shantazhi drejtësinë edhe ndaj vetë aleatëve të tij, ndaj nuk pranon konsensus. I kërkon Venecias të japë sërish mendim se i pari nuk i ka pëlqyer Ramës. A thua se Venecia është Asambleja e PS që shtyn kongresin sa herë ia kërkon Rama. Ne do kërkojmë jo vetëm dekriminalizimin por edhe një reformë të qenësishme në drejtësi, siç e kërkojnë shumica e shqiptarëve. Nëse nuk e bën dot ky parlament, do ti realizojë plotësisht parlamenti që do dalë nga zgjedhjet e parakohshme. Cdo ditë dhe më shumë me këtë qeveri është një ditë më e zezë për shqiptarët”,- shtoi ai.
RUÇI: JA TRE DËSHTIMET E SESIONIT TË KALUAR PARLAMENTAR
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi bëri një bilanc të punës së Kuvendit gjatë sesionit të kaluar, duke renditur ato që i cilësoi si suksese dhe dështime të legjislativit. Sipas Ruçit, gjatë sesionit të kaluar ka patur një shpërdorim të fjalës në parlament, veçanërisht nga ana e deputetëve të opozitës. Tjetër dështim, sipas Ruçit, ka qenë mosngritja e halleve dhe problemeve të votuesve në Kuvend. “Nëse vlerësova që është vendi i fjalës, në sesionin e kaluar kemi patur një shpërdorim të fjalës në parlament, veçanërisht nga deputetët e opozitës. Vetëm një deputet i opozitës ka folur mbi 8 orë, kur kryeministri i vendit ka folur dy orë më pak. Nuk do të kishte asnjë të keqe nëse opozita do të fliste për ligje, marrëveshjet që ratifikojmë në parlament. Mosngritja dhe mosshfrytëzimi i gjysmë orëshit në seancë parlamentare për të folur për hallet dhe problemet që kanë votuesit tanë. Në asnjë moment kjo hapësirë nuk është shfrytëzuar. Plot 8 orë e gjysmë u kemi borxh halleve shqetësimeve të zgjedhësve tanë.”- deklaroi Ruçi.
Sipas kreut të grupit të PS-së, tjetër dështim mund të konsiderohet “mosekzistenca e kontrollit parlamentar”. “Edhe në këtë sesion, asnjë seancë pyetjesh, asnjë seancë interpelance, asnjë mocion me debat, asnjë mocion mosbesimi. Është i vetmi parlament në botën demokratike ku nuk përdoren instrumentet parlamentare nga opozita.”- tha ai. Sipas Ruçit, në sesionin që lamë pas, opozita ka patur hapësirë më të madhe se maxhoranca. Deputetët e opozitës kanë folur plot 55 orë, 2 orë më shumë në krahasim me deputetët e maxhorancës. “Në sesionin që lamë pas kanë diskutuar mbi 509 diskutantë, hapësirat për fjalën e opozitës kanë qenë periodikisht si asnjëherë tjetër më të mëdha se sa ato të maxhorancës. Opozita ka folur 55 orë, ndaj 53 orëve që ka folur maxhoranca. Parlamenti është vendi ku bëhen ligjet, ku ato diskutohen , hartohen, propozohen dhe ku miratohen.”- tha Ruçi.
Sigal