BE: Ata që urdhëruan policinë të mbledhë vota, para drejtësisë

309
Sigal

PS-ja, fitoi zgjedhjet parlamentare në 2017, por dosjet 339 dhe 184 e Prokurorisë treguan se  një pjesë e rezultatit zgjedhor u manipulua nga drejtues të lartë të qeverisë në bashkëpunim me botën e krimit. Arrestimet e fundit të SPAK për vjedhje votash, ngrenë pikëpyetje mbi rezultatin e zgjedhjeve të 2017. BE kërkon që frymëzuesit e krimit masiv elektoral, urdhëruesit, të dalin para drejtësisë

 

 Partia Socialiste fitoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 me një rezultat historik, duke marrë 48%  të votave në rang kombëtar dhe duke siguruar mazhorancën e parë të pastër që nga viti 2001. Por një pjesë e këtij rezultati duket se ka ardhur nga manipulime votash në shkallë të gjerë. Nga  22 të arrestuarit, pjesa më e madhe e tyre janë punonjës  administrate. Pra janë njerëz të Partisë Socialiste. Prokuroria  Speciale  Kundër  Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, lëshoi 22 masa  sigurie për tre grupe komisionerësh, të cilët akuzohen se në zgjedhjet e vitit 2017, në zonën e Shijakut, kanë vjedhur  52 vota, të cilat në qendrat përkatëse përbëjnë  5.5% të votave të hedhura. Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja në këto tre qendra votimi, Partia Socialiste ka  marrë  52% të votave.  Sipas Prokurorisë, personat e marrë të pandehur, kanë manipuluar rezultatin e votimit, duke hedhur vota për personat që në kohën e zgjedhjeve nuk gjendeshin në Shqipëri, por jetonin në emigrim. Hetimet janë pjesë e dosjes, tashmë të famshme, 339, të vitit 2016, e cila është riemëruar si, hetimi penal 29 i vitit 2019.  Sipas SPAK,  në qendrën e votimit 1508  në fshatin e vogël Shetël në zonën e Shijakut, “shtetasit Shpëtim Stafa, Elidon Stafa, Ramiz  Tuda, Fredi Marku, Dalvis Biba, Emilian Tuda, Redi Hysa, kanë lejuar me dashje persona të tjerë të cilët janë paraqitur para tyre dhe kanë votuar në emër të votuesve të tjerë. Është provuar se në këtë qendër votimi është votuar për  22 persona të tjerë, duke shfrytëzuar faktin që ata ndodheshin jashtë shtetit”. Po kështu, në qendrën 1335 “shtetasit , Bashkim Allushi, Jakup Bregu, Altin Lala, Kasem Lala, Kujtim Uruçi, Zyhra Lala, Qemal Domi, kanë lejuar me dashje  persona të tjerë të cilët janë paraqitur para tyre dhe kanë votuar në emër të votuesve të tjerë. Është provuar se në këtë qendër votimi është votuar për 7(shtatë) persona të tjerë, duke shfrytëzuar faktin që ata ndodheshin jashtë shtetit”. Dhe në qendrën 1336, “shtetasit Besim Bregu, Indrit Bici, Mehdi Lala, Agim Lala, Oriada Lala, Bujar Sula, Qazim Lala, kanë lejuar me dashje persona të tjerë të cilët janë paraqitur para tyre dhe kanë votuar në emër të votuesve të tjerë. Është provuar se në këtë qendër  votimi është votuar për 23 persona të tjerë.” Në qendrën e votimit 1508 sipas të dhënave të Komisionit  Qendror  të Zgjedhjeve, në vitin 2017 u hodhën 418 vota, nga të cilat, Partia Socialiste fitoi 167 ose 41%. Por së paku  22 prej këtyre votave janë hedhur për Partinë Socialiste,  nga ana e komisionerëve. Në qendrën 1335, në zgjedhjet e vitit 2017,  pati 226 vota të gjetura nga kuti nga të cilat, PS-ja fitoi 143. Shtatë prej tyre ose 3.1% e të gjithë votave të fituara u përkisnin votave të pavërteta të emigrantëve. Ndërsa në qendrën 1336 pati 302 vota në total,  nga të cilat, 181 ose 60% u morën nga PS-ja. SPAK-u  zbuloi se 23 vota, ose 7.6%  të totalit, ishin vjedhur. Në të tri qendrat e hetuara rezulton se është zbuluar manipulimi i së paku  5.5% të të gjitha votave. Ky rast dëshmon  përmasën e frikshme të manipulimit  të votës së vitit 2017, ku Edi Rama kërkoi me ngulm timonin. Sa më shumë e dëshironte ai timonin, sa më shumë vota kërkonte, aq më shumë krime elektorale ndodhnin në terren. Është kjo mesa duket arsyeja, pse  Opozita insistoi në identifikimin biometrik të votuesit. Identifikimi biometrik, do të ndalonte votimin në emër të atyre që nuk janë prezent fizikisht në Shqipëri. Zbulimet e prokurorisë tregojnë se në bashkëpunim, të ndaluarit siguronin të dhënat, pra numrat e idenifikimit të emigrantëve, dhe dërgonin njerëz të bindur, militantë që votonin në emër të tyre. Kjo lëvizje e SPAK-ut do të ishte drejtësi gjysmake, nëse nuk do të mbanin përgjegjësi, frymëzuesit e krimit masiv elektoral, udhëruesit, bosët e vërtetë, ata që kanë shkaktuar tërmetet zgjedhore. Është kjo edhe kërkesa e Bashkimit Europian, dhe një kusht tashmë për integrimin.

 

Maja e ajsbegut

Dosja « 339 »  nisi si një hetim i Prokurorisë  për Krimet e Rënda, mbi një organizatë të madhe kriminale të angazhuar në trafikun e drogës me bazë në Shijak. Organizata u përgjua për vite me radhë dhe gjatë hetimeve u zbulua se droga ishte një pjesë e aktivitetit të tyre kriminal ndërsa manipulimet zgjedhore dhe kontaktet me zyrtarë të lartë vendorë ishin pjesa tjetër e aktivitetit. Në janar 2019, një investigim i BIRN zbuloi atë që u quajt “maja e ajsbergut” në manipulimet zgjedhore, si dhe kontaktet e ngushta mes zyrtarëve socialistë si ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe anëtarëve të bandës kriminale. Që nga janari i vitit 2019, deri më sot, prokurorët  janë kritikuar për mbyllje sysh dhe inaktivitet në lidhje me hetimin e krimit elektoral, ndërsa  Prokuroria Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, produkt i reformës në drejtësi, filloi punë dhjetorin e kaluar dhe mori përsipër dosjen në fjalë pas shkrirjes së Gjykatës së Krimeve të Rënda. Tetë muaj më vonë, hetimi i indicieve të nxjerra nga përgjimet dhe kontrolli i regjistrave të firmave të votuesve duket se ka nxjerrë në pah një nga format e shumta të manipulimeve zgjedhore në Shqipëri, atë të votimit në emër të emigrantëve. Shqipëria ka afërsisht 3.4 milionë persona në listat e votimit, por besohet se së paku 1 milionë prej tyre jetojnë prej vitesh në emigrim. PS-ja fitoi zgjedhjet në Qarkun e Durrësit me 50% të votave, duke marrë 8 nga 14 deputetët e zonës. Një pjesë e këtij rezultati duket se është pasojë e manipulimeve zgjedhore.