Nesër sërish seancë plenare, vendimi nga takimi i Ruçit me krerët e grupeve parlamentare

Ditën e nesërme do të mblidhet sërish Kuvendi, duke iu rikthyer kështu praktikës së të enjteve. Ky vendim vjen pas takimit që kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi po mban me krerët e grupeve parlamentare. Burime për ‘BalkanWeb’ bëjnë me dije se seanca plenare është parashikuar që të nisë nesër në orën 11:00.

Ruci thirri në një mbledhje sot në orën 18:00 krerët e grupeve parlamentare të 3 forcave politike në vend, takim ky me dyert të mbyllura. Ky takim u thirr nga kreu i grupit parlamentar të LSI Petrit Vasili, kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla si dhe kreu i grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho. Mes të tjerash burimet theksojnë për gazetaren e ‘News24’ Elda Menga se neser miratohet në seancë perberja e 8 komisioneve parlamentare dhe emrat do të kalojnë për miratim.

Siç u tha edhe më herët, PD do drejtojë Komisionin e Integrimit me në krye Genc Pollon, Komisioni për mediat do drejtohet nga Albana Vokshi. Flamur Noka nënkryetar i Komisionit të Sigurisë, Eduard Halimi nënkryetar i Komisionit të Ligjeve, Tritan Shehu nënkryetar i Komisionit të Jashtëm, Jorida Tabaku nënkryetare e Komisionit të Ekonomisë, Florion Mima nënkryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese.