Në 2017-n u shpenzuan mbi 60 milionë euro në tenderë me negociim të drejtpërdrejtë

536
Qeveria mbyll tenderët. Vitin e kaluar u bënë 2300 prokurime me negociim, pa shpallje paraprake 
Agjencia e Prokurimeve Publike raportoi se vitin e kaluar institucionet shtetërore bënë 2234 tenderë të mbyllur. 
Abuzimet me paratë e taksapaguesve
Sipas raportit vjetor të publikuar në faqen zyrtare të agjencisë, rezulton se aktualisht një e treta e tenderëve të shtetit bëhen pa garë, çka rrit abuzimin me paratë publike. ‘Problematikë gjatë vitit 2017, ka vazhduar të mbetet numri i lartë procedurave me negocim pa shpallje paraprake, të cilat përbëjnë 31.8% e totalit të të gjitha procedurave të prokurimit, të zhvilluara gjatë vitit 2017,’ thuhet në raportin vjetor të APP-së. Sipas të dhënave të bëra publike nga Agjencia, rezulton se autoritetet shtetërore kanë shpenzuar vitin e kaluar mbi 60 milionë euro në tenderë me negocim të drejtpërdrejtë. Pasojat tek paratë e qytetarëve janë të dukshme, pasi vlera fituese ka rezultuar sa 99.3 për qind e fondit limit.
7.62 miliardë lekë që ishte fondi limit i prokuruar për procedurat me negocim pa shpallje paraprake
Më konkretisht nga 7.62 miliardë lekë që ishte fondi limit i prokuruar për procedurat me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, vlera fituese ka rezultuar 7.57 miliardë lekë ose sa 99.3 për qind e fondit limit. Ndërsa në tenderët e hapur me garë, vlera fituese ndaj fondit limit është 91.7 për qind duke u kursyer më shumë para qytetareve. Sipas APP pjesa më e madhe e tenderëve të mbyllur, vijnë si shtesë kontratash, një metodë e përdorur gjerësisht nga institucionet shtetërore, kur duan të kufizojnë garën në tenderë. “Numri total i shtesave të kontratave të nënshkruara gjatë vitit 2017 është 1492 ose 67% e procedurave me negocim pa shpallje të zhvilluara në total dhe vetëm 742 procedura me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës janë procedura të reja,” përfundon raporti i APP.
Sigal