Ndoka: Basha po humbet terren si lider i opozitës

498
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, kritikoi qëndrimet e kreut të PD-së, Lulzim Basha, ndërsa konfirmoi se nuk do të jetë pjesë e grupit të deputetëve të kësaj partie në Parlament. “Ka një debat të fryrë dhe të sponsorizuar mediatikisht për votat e deputetëve opozitarë në Kuvend, për votimin e kryetarit të Kuvendit. Basha ka një përgjegjësi të madhe përpara: nuk arriti të fitojë besimin për Kryeministër, por po humb terren edhe si Lider i Opozitës. Tendenca për të marrë vetëm timonin e PD-së, duke anashkaluar faktorët e tjerë opozitarë, është i njëjti mentalitet dhe fenomen i Kryeministrit të tepsisë dhe timonit!”, u shpreh Ndoka. Sipas tij, Basha është Lideri i Opozitës, drejtues i PD-së, por edhe përfaqësues i republikanëve, demokristianëve, minoriteteve dhe nacionalistëve liberalë të LZHK, përballë PS-së dhe qeverisë së saj. “Basha ka zgjedhur me veprimet dhe mosveprimet e tij të përfaqësojë vetëm PD-në në Kuvend, duke anashkaluar aleatet e tij në zgjedhje e duke krijuar një hendek dhe frymë mosbesimi. Kjo klimë e acartë në kampin opozitar, thellohet akoma më shumë në duelin e heshtur me një tjetër parti opozitare, LSI-në, e cila po kërkon bashkëpunim dhe agjendë të përbashkët opozitare. Marrëveshja Rama-Basha e ngjizur në orët e vona të natës, po mban peng çdo gjë në politikën shqiptare për fatin e keq edhe agjendën opozitare”, tha Ndoka. Sipas tij, rrodhën dy vota pa i kërkuar njeri, dy vota “tinzarësh”, por situata në kampin opozitar është më e rendë se kaq. “Të shpresojmë që Basha të çlirohet nga komplekset dhe detyrimet e marrëveshjes; të bëjë transparencën e munguar që na penalizoi jo pak në zgjedhje dhe të ngrihet në lartësinë e Liderit Opozitar, duke i prirë dhe bashkuar çdo faktor në Kuvend dhe jashtë tij”, tha Ndoka.

Ndërkohë, ai konfirmoi se bashku me Vangjel Dulen dhe Dashamir Shehin i janë drejtuar Kuvendit me një kërkesë për t’u regjistruar si grup më vete. “Nuk jemi anëtarë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, bashkë me aleatët, LZHK, republikanët dhe PBDNJ”, tha ai. Ndoka tha se kjo praktikë është zbatuar edhe në zgjedhjet e shkuara. Ai u shpreh për mediat se “ka dijeni se Basha ka dhënë miratimin për ngritjen e grupit republikan” me ndihmën e deputetëve të PD-së dhe shpreson që kjo ndihmë nga PD, për “huazimin” e katër mandateve, t’i jepet edhe atij. Lidhur me votimin e Gramoz Ruçit, Ndoka foli qartë. “Vota ka qenë e fshehtë, por unë e deklaroj që kam votuar kundër Gramoz Ruçit”, vijoi ai.
Sigal