PD: Pushimi i hetimit për ushtarin e Shullazit po rrit pushtetin e krimit

450
TIRANE – Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për pushimin e hetimit ndaj policit Roland Mete në lidhje me vrasjen e atentatorit Artur Baze, ngjarje e ndodhur më 5 Janar në kryeqytet.
Në një dalje për mediat, ish-Ministri i Brendshëm Flamur Noka e cilësoi vendimin për pushim të hetimeve si ndarje e pushtetit mes bandave dhe qeverisë. Sipas Nokës, ky vendim tregon se bandat përdoren për punët e pista, për blerje votash dhe për kërcënim dëshmitarësh e të kundërshtarëve politikë, dhe nga ana tjetër qeveria kthen nderin duke mbyllur çështjet për ta.
Më poshtë deklarata e plotë për media e Partisë Demokratike:
Pushimi i hetimeve ndaj oficerit të dërguar nga Saimir Tahiri pranë bandës së Shullazit, për ngjarjen e rëndë të 5 janarit, tregon se deri në çfarë nivelesh alarmante ka arritur pushteti i krimit dhe pandëshkueshmëria e tij. Ushtari i Shullazit, oficer i forcave speciale, ishte në vendngjarje për të ofruar shërbimet e tij, në funksion të bandës. Emiliano Shullazit iu ofruan të gjitha lehtësitë nga qeveria, manipulimi i provave të ngjarjes, pritja me ceremoni në polici dhe shoqërimi nën kujdes të vecantë për në banesë, pa u hetuar asnjë minutë për ngjarjen e rëndë të përplajes së përgjakshme të bandave me të vdekur e të plagosur. Dhënia dhe shtrirja e favoreve dhe lehtësive edhe për ushtarin e bandës së tij, është dysfish e rëndë. Sepse kjo konfirmon edhe një herë vënien e shtetit në shërbim të bandave. Ky është akti i fundit i mbylljes pa asnjë përgjegjës, pa asnjë autor të luftës së armatosur të bandave në mes të Tiranës që tronditi pa kthim jetën e qytetarëve. Ky është bashkëpunimi dhe ndarja e pushtetit mes bandave dhe qeverisë. Bandat përdoren për punët e pisëta, për blerje votash e shantazh ndaj votuesve, për kërcënim dëshmitarësh, për kërcënim të kundërshtarit politik, dhe nga ana tjetër qeveria kthen nderin duke mbyllur çështjet për ta. Ky është sundimi i krimit në nivelin më tragjik për vendin. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç përmbysjes së këtij regjimi që bashkëqeveris me bandat më të tmerrshme kriminale. Qytetarëve e popullit u ka lindur plotësisht e drejta që ka sovrani për të përdorur çdo mjet demokratik për të vendosur drejtësinë e legjitimitetin e qeverisjes.
Sigal