“Motoja ime është t’u shërbej qytetarëve”

748
Sigal

INTERVISTA/ Adelina Farrici, Kryetare e Bashkisë të Burrelit, model i qeverisjes së pushtetit vendor

Adelina Farrici, si kandidate e Bashkisë  së Burrelit, sfidoi të ashtuquajturin e fortë të Burrelit, ish-kryetarin e Bashkisë, Skënder Lleshi.  Pas një viti qeverisjeje, Kryetarja e Bashkisë së Burrelit, në saj të arritjeve, është një model edhe për të zgjedhurit e tjerë të pushtetit vendor. Zonja Adelina Farrici është e vetmja Kryetare Bashkie në Shqipëri që në një periudhë kaq të shkurtër, ka takuar  shumë  ambasadorë të akredituar në Shqipëri dhe i ka bindur që të investojnë për projektet të përmirësimit të jetesës të qytetarëve në Bashkinë e Burrelit.

– Zonja Farrici, përse qytetarët e Bashkisë së Burrelit ju besuan juve votën e tyre?

– Unë do t’ju përgjigjem me atë llogaridhënënie që u dhamë qytetarëve të Burrelit për qeverisjen një vjeçare të deritanishme. Ballafaquam ato premtime, që u dhamë qytetarëve, me arritjet tona. Qytetarët, në fillim të besojnë për ato që u afron, mirëpo të vlerësojnë me ato që u shërben. Motoja ime është t’u shërbej qytetarëve, për t’u shpërblyer votëbesimin që më dhanë.

– Dita e punës, si fillon për Kryetaren e Bashkisë së Burrelit, Adelina Farrici?

–  Puna ime nis me disiplinën, me zbatimin e orarit, si një detyrim ligjor. Pastaj, jam e detyruar të  respektoj çdo qytetar, që vjen e diçka kërkon te Kryetarja e Bashkisë,  pavarësisht bindjeve politike.

– Cilat ishin punët e para që iu dhatë përparësi?

–  Vënien në efiçencë  të të gjitha burimeve prodhuese të Bashkisë, ndaljen e abuzimeve me fondet publike, hartimin e projekteve të ndryshme, transparencën për çdo vendimmarrje. Në bashkinë e Burrelit nuk ndodh, si më parë, kur qytetarët paguanin para nën dorë për ndihmën ekonomike, një vërtetim, apo dokument tjetër. Ne i trajtojmë të gjithë qytetarët të barabartë.

– Një nga problemet kryesore të Bashkive është sigurimi i fondeve që u është premtuar nga qeveria. Cila është gjendja reale e buxhetit në Bashkinë tuaj?

– Megjithëse qeveria qendrore nuk ka lëvruar fonde për bashkinë tonë,  unë u përpoqa që të ndiqja një rrugë tjetër. Kontaktova me shumë ambasadorë të vendeve europiane, të akredituar në Tiranë, u shfaqa vështirësitë tonë, u shpjegova projektet që ne si bashki duam të zbatojmë, për të përmirësuar jetesën e qytetarëve dhe mirëfunksionimin e Bashkisë. Unë, arrita të bind Ambasadorët e shtatë vendeve të Evropës, që ata duhet të vizitonin Burrelin. Qëllimi kryesor ishte që ata të njihnin gjendjen ekonomike të këtij qytetit dhe së dyti t’i bindja Ata se kishin të bënin me një partner serioz dhe të besueshëm. Me lobimin që kam bërë, arritëm  të siguronim burime të ardhurash të konsiderueshme. Do të vazhdoj edhe në të ardhmen, të evidentoj vlerat, resurset dhe gjendjen ekonomike të qytetit tim, për të zbatuar projektet tona. Tani janë ambasadorët që shprehen në tryeza të ndryshme për qytetin e Burrelit dhe kjo për mua është arritje. Asnjë investim në qytetin e Burrelit nuk është kontribut i qeverisë shqiptare, por i fondeve të siguruara me donatorë të huaj.

– Ajo çfarë u dedikojnë juve, zonja Farrici, është se gjetët gjuhën e mirëkuptimit edhe me Këshillin Bashkiak.

– Bashkinë ne nuk e shikojmë si parcelë politike të interesave të caktuara të një force politike, por si një qeverisje në dobi të qytetarëve. Ndaj, me këtë gjuhë u përpoqëm edhe me Këshillin Bashkiak, paçka se shumica e tyre janë të forcës tjetër politike,  të bashkëpunojmë, për të mirën e qytetarëve, e jo në interes të pakicës. Nga ky bashkëpunim u arrit të hartohet dhe miratohet një paketë për uljen e tarifave të shërbimit për pastrimin, gjelbërimin e shërbime të tjera me 10 %, duke privilegjuar kryesisht familjet në nevojë, e ato me ndihmë ekonomike, invalidët, familjet pa kryefamiljarë, etj. Kjo nismë e qytetares së parë të Burrelit është pritur mjaft mirë nga banorët e këtij qyteti.

– Cila ishte gjendja që ju gjetët në fillim, në Bashkinë e Burrelit?

–  Të them të drejtën, në fillim u ndjeva skeptike, se mund të arrinim gjëra të mëdha, pasi në zyrat e Bashkisë nuk gjetëm projekte e dokumente që të na ndihmonin në punën e përditshme. Por, falë këmbënguljes, dëshirës dhe vizionit për zhvillimin e qytetit, përcaktuam nevojat prioritare dhe ia arritëm  të zgjidhim disa nga problemet më emergjente.

– Cilat janë projektet që ju keni aktualisht në përparësi?

– Kemi dorëzuar në qeveri dhe donatorë të ndryshëm disa projekte dhe kemi  arritur që, brenda vitit të parë të mandatit, të sigurojë fonde për rrethimin e shkollës 9 vjeçare “31 Korriku”, rikonstruksionin e stadiumit “Liri Ballabani”, aneksit të këtij stadiumi, rikonstruksionin e një qendre për të moshuarit, një qendre për të rinjtë dhe një qendre kundër dhunës ndaj grave. Nuk jemi euforikë,  nuk premton më shumë sesa arrin. Jemi  realiste, korrekte dhe transparente, me të gjithë, për projektet në ditët që vijnë. Kështu, rrethimi i shkollës “31 Korriku” u arrit falë lobimit me Ambasadën Gjermane. Unë vij nga fusha e edukimit dhe dëshira ime është të bëj shumë për shkollat. Dikur kam qenë drejtore e kësaj shkolle. Trokita në Ambasadën Gjermane dhe ftova ambasadoren të vinte në qytetin e Burrelit. Ambasadorja, zonja Müller-Holtkemper, erdhi dhe pasi u bind se kishte të bënte me partnerë seriozë, lëvroi 13 mijë euro për rrethimin e kësaj shkolle. Ky është investimi i parë që kam arritur dhe jam krenare që  bëra për shkollën e qytetit tim. Ambasada gjermane investoi për blerjen e bazës materiale, ndërkohë që puna fizike është kryer nga punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Bashkiake.

– Gjatë fushatës elektorale, ju premtuat përkujdesje për moshën e tretë dhe rininë. Sot, cili është realiteti?

– Premtuam  ndërtimin e një ambienti për moshën e tretë në Pallatin e Kulturës Burrel. Dhe tani ky premtim po bëhet realitet. Kjo është arritur falë një lobimi me SOROS. Duke qenë se ka përfunduar gjysma e parë e investimit. Ndërkohë, besohet se do të lëvrohet edhe gjysma tjetër e fondit për përfundimin e këtij mjedisi. Në këtë objekt puna fizike kryhet nga specialistët e Ndërmarrjes Bashkiake. Mendohet që në këtë qendër të ofrohen edhe shërbime për të moshuarit. Ndërkaq, po tregohet kujdes edhe për rininë. Falë bashkëpunimit me Ambasadën Austriake, është rënë dakord të ngrihet, po në Pallatin e Kulturës Burrel, një qendër për rininë. Do të krijohet edhe një mjedis edukimi dhe relaksimi për këtë moshë. Jam interesuar për zhvillimin e sporteve në këtë qytet, veçanërisht rritjen e cilësisë së futbollit. Gjatë një takimi me drejtuesit e lartë të FSHF-së, u kemi premtuar, se në stadiumin e Burrelit nuk do të ketë dhunë dhe gjeste antisportive.  Ndaj, vëmendja kryesore e jona është  investimi kryesor për rikonstruksionin e plotë te stadiumit “Liri Ballabani”. Kjo në bashkëpunim me Federatën e Futbollit dhe Bashkinë Burrel kanë rënë dakord që të investohen 220 milionë lekë për ndryshimin e gjendjes të stadiumit. Presidenti i FSHF-së Armando Duka, i bindur se, loja e futbollit në  qytetin tonë  konceptohet ndryshe,  premton rikonstruksionin e stadiumit të qytetit, me 52 % e fondeve nga FSHF-ja, dhe 48 % nga Bashkia Burrel, e cila do t’i paguajë këto para me këste për tre vjet. Për aneksin është gjetur një zgjidhje tjetër. Synimi im  është që të ngrihen edhe ekipet te rinjsh  me qëllim që Burreli të mos blejë futbollistë, por t’i ketë në këtë qytet.

– Në ballafaqimin tuaj, të para disa ditësh, theksuat edhe punën që kemi bërë për Ndërmarrjen e Shërbimeve Bashkiake. Mund të na thoni diçka më shumë?

–   Kjo ndërmarrje,  vetëm emrin kishte të tillë. Tashmë, në kohë rekord, drejtuesit dhe specialistët e saj ndihmojnë në riparimin e defekteve në shkolla, çerdhe, kopshte dhe institucione të tjera në vartësi të Bashkisë. Në qytetin tonë  për herë të parë pas shumë vitesh kemi montuar kosha të vegjël në  rrugë, park, e trotuare të qytetit, po ashtu kemi tregua kujdes të veçantë për ndriçimin e të gjitha rrugëve dhe ambienteve të qytetit, si dhe kemi riparuar dhe shtuar sipërfaqe të gjelbra, lulishte dhe parqe. Vetëm vitin e fundit janë mbjellë 250 pemë dekorative, si dhe janë kryer investime modeste për shtimin e stolave, rregullimin e mureve mbajtës e bordurave dhe largimin e mbetjeve të shumta nga mjediset publike të qytetit.

– Faleminderit!