“Komisioni hetimor i Kuvendit do të provojë akuzat e trafiqeve të armëve”

415
Sigal

INTERVISTA/Xhemal Qefalia, anëtar i Komisionit të Sigurisë: “Kemi dokumente, Imami pengon kontrollin parlamentar”

Deri tani ministri Imami, me gjithfarë trukesh politike ka penguar mbikëqyrjen e Kuvendit në ministrinë e Mbrojtjes. 50 deputetë socialistë, ndryshojnë taktikën politikë, duke kërkuar ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit që të shqyrtojë akuzat publike. Anëtari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Xhemal Qefalia, në intervistën për “Telegraf” shpjegon idenë përse PS-ja kërkon tashmë komision hetimor të Kuvendit.

 – Zoti Qefalia, 50 deputetë të PS-së kanë firmosur e dërguar në Kuvend një kërkesë për ngritjen e komisioni hetimor të Kuvendit. Cila është përmbajtja e kësaj kërkese?

– Edhe kjo kërkesë e jona është në vazhdën e kërkesës të Komisionit të Sigurisë Kombëtare për të ushtruar mbikëqyrjen parlamentare në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili ende pengohet nga kjo ministri. Ndaj, ngritja e një komisioni hetimor të Kuvendit do të zbardhë shumë çështje që janë bërë edhe publike nga denoncimet tona, që kanë të bëjnë me korrupsionin e tregtisë të armëve dhe të shitjes jo ligjore të territoreve ushtarake.

– Kjo kërkesë e anashkalon kërkesën për mbikëqyrjen e Komisionit të Sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes?

– Absolutisht, që nuk e anashkalon, por duke parë problemet që po shfaqen kohët e fundit në Ministrinë e Mbrojtjes, është e domosdoshme që të ngrihet një komision hetimor i Kuvendit dhe nuk e anashkalon mbikëqyrjen që kemi kërkuar.

– Ministri Imami ka bërë emërime, për të cilat, disa i ka anuluar, pas reagimeve publike. Kjo është praktikë pune e qeverisë, apo vetëm e  ministrit Imami?

– Kjo qeveri po dështon për çdo ditë në sytë e shqiptarëve dhe keqqeverisja rëndon përditë edhe në mjerimin ekonomik të çdo familjeje shqiptare. Fakti që ka mësues të flakur në rrugë, që ka mjekë që nuk mund të punësohen, është tregues i kalbëzimit të kësaj qeverisjeje.

– Derisa keni prova të pakundërshtueshme, derisa kërkoni edhe komision hetimor parlamentar ndaj abuzimeve në ministrinë e Mbrojtjes, atëherë përse nuk i drejtoheni edhe drejtësisë me padi penale?

– PS-ja do t’i përdorë të gjitha mekanizmat demokratike që jep ligji. Madje, kemi sensibilizuar edhe NATO-n. Patjetër që komisioni hetimor do të nxjerrë në pah të gjitha shkeljet që janë  bërë në këtë ministri. Ndoshta edhe prokuroria duhet të jetë më e ndjeshme të të vetëveprojë, derisa tani i ka duart të lira edhe me kufizimin e imuniteteve.

– Përse deri tani PS-ja nuk deponon padi penale, apo i intereson vetëm polemika politike?

–  Ne si parlamentarë, nuk jemi organ i akuzës. Ne jemi parlamentarë për të mbikëqyrë aktivitetin e qeverisë. Këtë kërkojmë, e jo të vëmë përpara përgjegjësisë penale ministrin. Pasi të akumulohen të gjitha materialet, do të kalojmë në organin e akuzës.  Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe prokuroria, që të fillojë hetimet e akuzave.

– Faleminderit!