Berisha do ngrejë flamurin e Vlorës në Tiranë

532
Sigal

Qeveria planifikon të shmangë festimet në Vlorë për ditën e 100-vjetorit të Pavarësisë

Lajmi duket i pabesueshëm, por tashmë ai është publikuar. Më 28 nëntor 2012, fiks në ditën e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, nuk do të ketë festime në Vlorë, por në Tiranë. Vlora, që për një shekull të tërë është shndërruar në kryeqytet të vendit, këtë vit nuk do ta ketë këtë fat. Qeveria aktuale ka vendosur ta lerë Vlorën pa festë dhe ta kremtojë ditën e madhe në Tiranë. Në të vërtetë, një sërë deklarimesh dhe qëndrimesh të Kryeministrit Berisha, kanë lenë të nënkuptohej gjatë këtij viti se, Tirana do të ishte zemra e festës së madhe. Se sa normale është kjo, nuk mund të thuhet. Sepse ka një devijim nga rregulli. Dhe kur prishet një rregull, nuk mund të flitet për anormalitet. Por që është diçka e qëllimshme, kjo nuk mund të mohohet. Vetë Kryeministri gjatë këtij viti ka folur më shumë për Ahmet Zogun, se sa për Ismail Qemalin, njeriun që ngriti Flamurin e Pavarësisë. Arsyet se pse e ka bërë Kryeministri këtë, i di ai. Por që ka diçka që nuk shkon, madje të mbrapshtë, kjo duket që larg. Deputeti socialist Erjon Braçe këtë e quan një poshtërim që po i bëhet Vlorës. Në rast se do të ndodhë kjo, do të kemi një festë të gjymtuar për 100-vjetorin, ku politika e ditës do të demonstrojë një qëndrim anti-Vlorë, krejt të papëlqyeshëm për një popull që aspiron bashkimin kombëtar.

Lajmi

Deputeti socialist Erjon Braçe ka publikuar dje në internet planin e qeverisë për të shmangur Vlorën nga festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë. Sipas Braçes, qeveria përgatitet që festimet në Vlorë të nisin më 27 nëntor dhe të kurorëzohen në Tiranë në datën 28. Tashmë që ka mbetur vetëm një muaj nga dita e madhe e 100-vjetorit, ky plan i qeverisë duket vërtet absurd, i papranueshëm dhe fyes për qytetin e Flamurit. Ja çfarë shkruan deputeti Braçe në Facebook: “Sali Berisha po përpiqet ta zhvendosë Ceremoninë Zyrtare të 100- vjetorit të Pavarësisë një ditë më herët, më 27 Nëntor në Vlorë!!

Festimet Zyrtare më 28 Nëntor në Tiranë!

Kuptoni se çfarë poshtërimi kërkon të na bëjë ky gjakprishur?!

Duhet të çlirojmë, shpëtojmë, nderojmë Vlorën!”