Misteri i kostumit “Hugo Boss” që Habilajt blenë për Tahirin, çfarë thuhet në letrën e Guardia di Finanza

928
Sigal

Në kulmin e skandalit Tahiri-Habilaj, përveç bizhuterive të shtrenjta për të shoqen e tij, në rrëfimin e Moisi Habilajt me bashkëpunëtorët, u tha se kishte blerë një kostum “Hugo Boss” për Saimir Tahirin. Kostum që sipas Habilajve ishte përzgjedhur nga vetë Tahiri.

Në letërporosinë e ardhur nga autoritetet italiane është përfolur dhe kostumi Hugo Boss, por sipas Guardia di Finanza tregtari i dyqanit që ka thënë Moisi Habilaj e ka mohuar shitjen e kostumit në fjalë.

Hetuesit i kanë treguar fotot e Saimir Tahirit dhe e kanë pyetur nëse ai kishte zgjedhur ndonjë kostum por përgjigja ka qenë negative.

Kjo ka qenë dhe një tjetër çështje e fortë në seancën gjyqësore të Tahirit tek Krimet e Rënda.

Pika ku Tahiri u raportua se kishte replikuar me gjyqtaren Liljana Baku, për atë çka shkruhej në letërporosi.

Ish-ministri Saimir Tahiri ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërkohë që prokuroria ka apeluar masën dhe pritet të kërkojë në Gjykatën e Apelit masën e sigurisë “arrest me burg”.