Tenderët për karburante, APP u tërheq veshin institucioneve, ndajini në lote, problem marzhet e fitimit

1049
Sigal

Agjencia e Prokurimit Publik (APP) u ka tërhequr vëmendjen institucioneve lidhur me tenderët e karburanteve. Sipas APP nga monitorimi i procedurave ka rezultuar se institucionet nuk ndajnë lote për llojet e ndryshme të karburanteve duke krijuar kështu ngatërresa me marzhet e fitimit. “Nga monitorimi i Sistemit të Prokurimit Elektronik kohët e fundit është konstatuar se autoritetet kontraktore zhvillojnë procedura prokurimi me objekt: “Blerje karburanti” dhe pavarësisht faktit se, ky objekt prokurimi përfshin disa tipa primare karburantesh, siç janë: benzinë , vajguri, diesel, gasoil, karburant për ngrohje rezulton që autoritetet kontraktore zhvillojnë vetëm një procedurë prokurimi për të gjitha llojet e karburanteve” thuhet në shkresën e APP. Ngatërresa me marzhet e fitimit sipas agjencisë vjen si efekt i paraqitjes së disa ofertave për lloje të ndryshme karburantesh por brenda vetëm një procedure ku mungon ndarja në lote. Kjo është në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 2014 ku thuhet se operatorë ekonomikë duhet të paraqesin vetëm një ofertë, me përjashtim të rasteve kur kërkohen oferta alternative. “Referuar sa më sipër, APP tërheq vëmendjen e autoriteteve kontraktore që për prokurimin e objektit: “Blerje karburanti” të zhvillojnë një procedurë prokurimi të ndarë në lote dhe në këtë mënyrë operatorët ekonomikë do të kenë mundësi të ofertojnë për lotin përkatës, ku janë të interesuar të marrin pjesë. Ndërkohë, në rast se autoriteti kontraktor do të zhvillojë vetëm një procedurë prokurimi ku përfshihen më shume se një tip karburanti, atëherë operatoret ekonomikë duhet të paraqesin vetëm një marzh fitimi, si pjesë të ofertës së tyre” nënvizon Agjencia e Prokurimit Publik.