Miratohen në Komisionin e Ligjeve 2 nisma ligjore të MPB-së

241

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri prezantoi në Komisionin parlamentar të Ligjeve 2 projektligje të propozuara nga Ministria që ai drejton, të cilat parashikojnë një shtyrje afati për një numër të konsiderueshëm pasaportash, si edhe nismën për kontrollin e mjeteve detare. 

Fjala e mbajtur nga ministri Tahiri në Komision dhe përgjigje të pyetjeve të deputetëve:

PROJEKTLIGJI – “PËR PAJISJEN E SHTETASVE SHQIPTARË ME PASAPORTË PËR JASHTË SHTETIT”

Faleminderit i nderuar kryetar,

Të nderuar deputetë,

Ministria e Punëve të Brendshme ka sjellë për shqyrtim në Kuvend një projektligj të cilin ne e konsiderojmë të domosdoshëm për të rregulluar një situatë paligjshmërie që kemi konstatuar që ditën e parë të ushtrimit të detyrës në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Përkatësisht ligji ka të bëjë me ndreqjen e afatit për një numër të konsiderueshëm pasaportash, kryesisht të lëshuara për fëmijët e sapolindur të cilët në kohën që janë pajisur me pasaportë, janë pajisur me një dokument nga pikëpamja formale e ligjit, kanë pasur një afat të parregullt për të mos thënë të pa ligjshëm të kërkesave ligjore.

Me të marrë detyrën konstatuam që gjatë kohës prill 2009 – korrik 2010, janë prodhuar 15.6231 pasaporta afati i vlefshmërisë së të secilave është shënuar në mynyrë të pasaktë në zbatim të ligjit. Fëmijët deri në moshën 16 vjeç duhen të pajisen me pasaporta, afati i të cilave duhet të ishte 5 vjet.

Kjo është një praktikë e konsoliduar në shumicën dërmuese të vendeve të BE-së për shkak të domosdoshmërisë, për të patur afate sa më të shkurtra pasaportash për fëmijët, të cilët në kohë ndryshojnë karakteristika të tilla që e bëjnë të domosdoshme pajisjen e tyre me pasaportë në kohë fare të shpejtë.

Në fakt ka ndodhur që janë pajisur, pra gjatë gjithë kësaj periudhe prill 2009 – korrik 2010 me pasaporta afat i të cilave ka qënë 10 vjeçar.

Në këto kushte ne ngritëm një grup pune për evidentimin e numrit total të shtetasve, fëmijëve të pajisur me këto pasaporta dhe vlerësuam kohën duke pasur parasysh afatin kohor të mbetur në dispozicion për Ministrinë e Punëve të Brendshme për njoftimin e shtetasve përkatës për zëvendësimin dhe ndryshimin e pasaportave.

Marrëdhënia me kompaninë koncesionare sipas ligjit dhe ndërkohë marrëdhënia me dokumentat e shtetasve, por njëkohësisht për të garantuar dhe sigurinë e udhëtimit duke qenë se pjesa më e madhe janë shtetas që jetojnë jashtë Shqipërie, nga këta 156231 shtetas, vlerësuam që deri në gjetjen e një zgjidhje përfundimtare të kërkojmë pranë Kuvendit shtyrjen e afatit të këtyre pasaportave një vit tjetër, kohë e cila do t’i shërbejë Ministrisë së Punëve të Brendshme, koncesionarit gjithashtu, për të gjetur një zgjidhje definitive dhe të qëndrueshme në kohë për këta shtetas.

Është një situatë paligjshmërie autoriteti në kohë, pra Ministrinë e Punëve të Brendshme, në kohën që lëshoheshin këto pasaporta në prill 2009 dhe korrik 2010, e ka konstatuar paligjshmërinë. Ka pasur një marrëdhënie komunikimi me koncesionarin pikërisht për afatin e paligjshëm të pasaportave për fëmijët, por nuk dihet ende arsyeja pse nuk janë marrë masa për shmangien e paligjshmërisë në vazhdim dhe ndërkohë kjo situatë është lënë të vazhdojë me pasoja të tilla që 156231 shtetas fëmijë që kanë këto pasaporta.

Ne vlerësuam që domosdoshmëria për t’i dhënë siguri qytetarëve për të mos cënuar cilësinë e jetës dhe lirinë e udhëtimit vlen shumë më shumë në këtë rast ndaj menduam që t’i kërkojmë Kuvendit miratim këtë projektligj që parashikon shtyrjen e afatit me një vit për këto pasaporta, për të na dhënë kohë kështu ne, koncesionarit gjithashtu për të bërë rregullimet e nevojshme, në qoftë se do të duhet edhe ligjore, për të bërë njoftimet e domosdoshme për qytetarët që të marrim masa ne bashkë me ta, për zëvëndësimin dhe rregullimin definitiv të kësaj situate të paligjshmërisë.

PROJEKTLIGJI – “PËR REGJISTRIMIN, KLASIFIKIMIN, MËNYRËN E PËRDORIMIT DHE KONTROLLIN E MJETEVE LUNDRUESE ME MOTOR, ME TONAZH NËN 20 NT”

Projekt-ligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8663, datë 18.09.2000, “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor, me tonazh nën 20 NT”, është një propozim i Ministrisë së Punëve të Brendshme për të rregulluar një situatë kaotizimi por jo vetëm, në më të shumtën edhe paligjshmërie lidhur me lëvizjen e mjeteve lundruese të këtyre përmasave në det, dhe jo vetëm në det, por edhe në ujërat e brendshme të territorit.

Siç të gjithë e dimë, moratoriumi i mjeteve lundruese nuk është rinovuar më nga qeveria dhe në këto kushte ne kemi menduar që mënyra më e mirë për të disiplinuar lundrimin në det, veçanërisht për qëllime turistike, sportive etj, por përveç rregullimit, edhe disiplinimi dhe sanksionimi i keqpërdorimit të detit, janë qëllime kryesore për t’u adresuar përmes këtij projektligji.

Ne ndajmë bindjen që ky është një projektligj, i cili kërkon një reformë tërësore në të gjitha dispozitat e veta, por për shkak se sezoni turistik është afër, për shkak se është e detyrueshme të marrim masa për të siguruar jetën e pushuesve, për të siguruar cilësinë e përdorimit të detit dhe të plazheve, për të rregulluar përdorimin kaotik të ujërave dhe detit, veçanërisht gjatë sezonit turistik kur plazhi dhe deti përdoren masivisht dhe gjithashtu për të parandaluar dhe luftuar trafikun e çdo lloji, qoftë të njerëzve, qoftë të lëndëve narkotike nëpërmjet detit, menduam që pikëpamjen e sigurisë që përmban ky ligj, t’a reformojmë me këto dispozita amenduese që po sjellim sot në Komisionin e Ligjeve dhe në Parlament.

Nuk janë të rralla rastet kur jemi bërë të gjithë dëshmitarë të rasteve fatalë lidhur me përdorimin e detit, pushues të cilët mbeten viktima ose dëmtohen për shkak të keqpërdorimit të mjeteve lundruese të tonazheve të ulëta të cilat keqpërdoren edhe nga pushues apo rastet kur mjetet lundruese mund të shërbejnë si urë transporti për paligjshmëri.

Në të gjitha rastet ne kemi menduar dhe kemi vlerësuar që moratoriumi nuk i jep zgjidhje çështjes në asnjë rrethanë, dhe për këtë, eksperienca, edhe gjatë kohës që moratoriumi ka qenë në fuqi, ka vërtetuar që moratoriumi nuk ka dhënë zgjidhje.

Nga ana tjetër mendojmë që një pjesë e flotës së mjeteve në përdorim dhe kryesisht të tonazheve të vogla, të cilat nuk kanë qenë as të regjistruara e as parashikohej regjistrimi, dhe sipas radhës, pas regjistrimit, disiplinimi ose rregullimi dhe pastaj ndëshkimi administrativ ose jo lidhur me keqpërdorimin e këtyre mjeteve, nuk ishin pjesë e ligjit të mëparshëm.

Për të rritur sigurinë lidhur me përdorimin e ujërave, detit dhe plazheve, veçanërisht gjatë sezonit turistik, dhe këtu bëhet fjalë dhe për sigurinë e qytetarëve në plazh, dhe për përdoruesit e detit, dhe për përdoruesit e mjeteve, dhe për të rritur cilësinë e jetesës dhe gjithashtu zhvillimin ekonomik në zonat turistike, kemi menduar që këto dispozita në tërësinë e vet, siç do i kalojmë besoj dhe nen për nen, shkojnë drejt disiplinimit në administrim dhe sanksionimit të përdorimit të rregullt të detit dhe plazheve, dhe gjithashtu zhvillimit ekonomik dhe cilësisë së jetës së qytetarëve gjatë sezonit turistik.

Ne mendojmë që dispozitat e parashikuara në këtë projektligj i japin zgjidhje imediate çështjes së sigurisë lidhur me përdorimin e detit. Por pa dyshim ndajmë bindjen që një reformë tërësore në këtë fushë është e domosdoshme, që nuk mund të bëhet tani, do të marrë kohën e nevojshme, në konsultim me institucionet e tjera dhe gjithashtu në konsultim edhe me operatorët privatë turistikë, por në këto kushte që jemi përpara sezonit turistik, ne kemi vlerësuar si të domosdoshme prezantimin e këtij projektligji për të garantuar siguri për qytetarët shqiptarë dhe për sipërmarrësit gjatë sezonit turistik.

Pyetje Fatmir Mediu: Z.Ministër, dëgjova një konstatim tuajin që moratoriumi nuk ka dhënë zgjidhje konkrete sidomos për çështjet e trafikut të lëndëve narkotike. Pyetja ime është, a ka të dhëna Ministria se cili ka qenë niveli i trafikut të lëndëve narkotike gjatë kohës që moratoriumi ka qenë në fuqi dhe mbas mbarimit të afatit ligjor, pra kur de jure nuk ka qenë më në fuqi. Për të ballafaquar ne si Komision të dhënat në raport me një çështje besoj është rëndësishme për ta gjykuar të gjithë së bashku?

E dyta, ju keni bërë vetëm regjistrimin sipas peshës NT. Po sipas shpëjtësisë motorike, fuqisë motorike?

Me këtë ligj ne nuk synojmë as të anullojmë moratoriumin, as të zgjasim, as të adresojmë çështje që kanë të bëjnë me aktin përkatës të moratoriumit. Në vakuumin e rregullimit të çështjeve të sigurisë në përdorimin e mjeteve lundruese që deri dje mënjanoheshin për shkak të moratoriumit ne kemi sjellë këto dispozita të cilat rregullojnë, disiplinojnë dhe sanksionojnë lundrimin e mjeteve dhe përdorimin e plazheve nga mjetet lundruese për të siguruar jetën e qytetarëve, por dhe për të rregulluar përdorimin e detit edhe për qëllime turistike në lundrim.

Unë mund t’ju jap një përgjigje të detajuar lidhur me pyetjen tuaj, në qoftë se kryetari i Komisionit vlerëson që duhet. Por megjithatë shkurtimisht mund t’ju them që statistikisht moratoriumi nuk ka ndikuar në siguri më shumë, as për trafikun e qenieve njerëzore, as për trafikun e drogës. Edhe përpara hyrjes së tij në fuqi, edhe gjatë hyrjes së tij në fuqi.

Sa i takon pyetjes tuaj të dytë, ne kemi vlerësuar që të gjitha mjetet pavarësisht fuqisë motorike, duhet të regjistrohen. Pra qoftë motor uji, qoftë mjet me fuqi motorike pak më të vogël, skaf, varkë, gomone, etj., sipas tonazhit, pra nën 20 NT, duhet të regjistrohet patjetër dhe duhet t’i nënshtrohet rregullave për përdorimin e detit dhe sigurinë në lundrim.

Me akte nënligjore, vendim të Këshillit të Ministrave, ne kemi përcaktuar, e kemi gati, por kjo vjen pas hyrjes në fuqi të ligjit, – kemi përcaktuar mënyrën se si përdoret edhe mjeti lundrues në afërsi të brigjeve dhe plazheve, për të garantuar distancën e domosdoshme, rregullat e përdorimit, shpejtësinë, hinkat hyrëse, në mënyrë që të jetë e sigurt që plazhi përdoret nga pushuesit në mënyrë të pashqetësuar nga mjetet lundruese, por ndërkohë të jetë e lehtë edhe për përdoruesit e detit të përdorimin mjetet e tyre për qëllime turistike. Kjo jo vetëm në det, por gjithashtu edhe në liqen, aty ku mundet të përdoret liqeni për qëllime lundruese.

Sot që flasim ka mjete në liqene, të cilat për nga pikëpamje motorike nuk hyjnë në klasifikimin ekzistues, por që duhen regjistruar, sepse në të kaluarën, jo më larg së një vit më parë, kemi pasur dhe ngjarje mjaft fatale, me pasoja mjaft të rënda, (liqeni i Farkës, mund t’ju kujtoj), me mjete të cilat nuk hynin fare në kushtet e regjistrimit të ligjit ekzistues por që duhen regjistruar dhe i duhen nënshtruar rregullave të sigurisë për të garantuar jetën e qytetarëve.

Pra kemi vlerësuar që fuqia motorike nuk është indikatori i vetëm, ose treguesi i vetëm për t’u marrë parasysh nga legjislatori në përcaktimin e kushteve të sigurisë për lundrimin në det.

Çdo mjet duhet regjistruar dhe i duhet nënshtruar rregullave të sigurisë, nëse ka fuqi motorike thuajse zero apo më të lartë. Mjetet mbi 20 NT kanë tjetër rregullim, përfshirë edhe bluebox-in që është pak a shumë si blackbox-i i mjeteve fluturuese. Ndërkohë mjetet nën 20 NT duhet të kenë një regjistrim të tillë, ku përveç regjistrimit ne kemi parashikuar edhe GPS-në, si element i detyrueshëm i njohjes gjeografike në mënyrë elektronike, për të qenë më e lehtë për skuadrën e shpëtimit apo për forcat e policisë të lokalizojnë mjetet të cilat gjenden në lundrim.

Janë jo të rralla rastet kur edhe peshkarexha të vogla, nën 20 NT apo dhe mjete të tjera, gjenden në situata të vështira dhe është e vështirë për forcat e policisë, lokalizimi pikërisht për shkak të mungesës së teknologjisë. Pra për shkak të mungesës së mjeteve teknologjike që çojnë sinjale të tilla, për të mbajtur lidhje me bazën.

Ne kemi menduar që nëpërmjet këtyre zgjidhjeve teknologjike të kthejmë në sistem marrëdhënien teknologjike që duhet të krijojë mjeti lundrues dhe baza për relevimin ose për lokalizimin e mjeteve të tilla. Këtu mund t’ju kujtoj rastin e fundit, ose një ndër rastet e fundit kur dy peshkatarë, pavarësisht përpjekjes për t’i lokalizuar nga autoritetet për më shumë se dy ditë, u gjetën rastësisht nga një traget. Në qoftë se ky ligj do të ishte në fuqi, dhe pajisja GPS do të ishte në përdorim nga mjeti, do të ishte fare e thjeshtë lokalizimi në det dhe shpëtimi sipas rasteve.

Ndërkohë regjistrimi bashkë me pajisjen GPS na lejon neve të kemi kontroll, besoj unë, të plotë, të mjeteve lundruese në det, për sa kohë mungesa e njërës apo tjetrës shkakton faull të rëndë, që do të thotë, nuk do të jesh më në gjendje të përdorësh detin për asnjë qëllim.