Ministrat dhe deputetët, më të korruptuarit e Europës

488
Sigal

 

Shqipëria, një
ndër 4 vendet me klasën politike më të korruptuar në Europë

 

Deputetë dhe
ministra, pjesa më e korruptuar e shqiptarëve

 

Një raport i
Transparency International, i publikuar të mërkurën vlerëson se Shqipëria po
bën përpjekje mesatare për të luftuar korrupsionin. Megjithatë, raporti e
rendit Shqipërinë si një ndër katër vendet me klasën politike më të korruptuar
në Europë. Raporti “Njerëzit dhe korrupsioni; Evropa dhe Azia Qendrore”, pjesë
e Barometrit Global të Korrupsionit është një sondazh i realizuar me 60 mijë
njerëz në 42 vende të Europës dhe Azisë Qendrore. Në Shqipëri, Transparency
International ka intervistuar ballazi 1500 qytetarë gjatë periudhës janar-mars
2016. Të dhënat e përftuara tregojnë se ndryshe nga Kosova, Spanja dhe
Moldavia-vende ku korrupsioni perceptohet si një ndër tre problemet kryesore,
në Shqipëri rreziku prej tij konsiderohet mesatar. Transparency International
vlerëson gjithashtu se në perceptimin e qytetarëve, qeveria shqiptare po bën
përpjekje mesatare për të luftuar korrupsionin. Transparency International
vlerëson megjithatë se në kontrast me këtë perceptim të parë, qytetarët
shqiptarë mendojnë se klasa e tyre politike është ndër më të korruptuarat mes
vendeve të përfshira në studim. “Qytetarët e Ukrainës, Shqipërisë, Bosnjës dhe
Rumanisë janë më prirur në mendimin se deputetët në Parlamentet e tyre janë
shumë të korruptuar. Në këto vende, më shumë se gjysma mendojnë se përfaqësuesit
e tyre janë të korruptuar, shifra që rriten në ¾ për Moldavinë”, thuhet në
raport. Paralelisht me korrupsionin në nivelet e larta të qeverisjes, Shqipëria
konsiderohet si një ndër vendet ku ryshfeti në këmbim të shërbimeve publike
është mjaft i përhapur. Shqipëria ka marrë pikët më të larta në rajon dhe në
Europë-çka tregon se kultura e korrupsionit të vogël është gjerësisht e
përhapur, duke u renditur në të njëjtin nivel me Rusinë dhe duke lënë pas vetëm
vendet e Azisë Qendrore. Transparency International vlerëson se ekzistojnë një
sërë barrierash për qytetarët, për t’i përfshirë ata në strategjitë
antikorrupsion. Sipas raportit, shumë njerëz janë të frikësuar për pasojat
negative të raportimit apo denoncimit. Një ndër tre qytetarë të rajonit mendojnë
se korrupsioni është një ndër problemet kryesore me të cilat përballen në
vendet e tyre…çka tregon se masa urgjente nevojiten kundër abuzimit me
pushtetin dhe marrëveshjeve sekrete”, vlerëson raporti i Transparency
International.