Mijëra protestues kërkuan largimin e Ramës/ VOA: Policia shpërndau qytetarët me gaz lotsjellës. 61 qytetarë të proceduar, 37 të arrestuar, por asnjë nga kriminelët e vjedhjes së Rinasit nuk është kapur. Mediat evropiane shkatërrojnë imazhin e qeverisjes

189

Protesta e 13 prillit 2019/ “Zëri i Amerikës”: Policia shpërndau qytetarët me gaz lotsjellës

Dhjetëra mijëra protestues kërkuan largimin e Ramës. Basha: Ose demokraci, ose vdekje!

Petraq Barjami

Mbi 120.000 qytetarë protestuan të shtunën para kryeministrisë dhe Kuvendit, duke kërkuan largimin e Edi Ramas nga qeveria dhe zgjedhje të parakohshme. Protesta e së shtunës ishte e 9-a që zhvillon Opozita e Bashkuar, pasi dorëzoi mandatet e deputetëve. Mirëpo, protesta e pardjeshme kishte 3 dallime nga 8-të të mëparshme.

E para, për nga masivitetit protesta e së shtunës është më e madhja që është organizuar pas vitit 1991. Në këtë protestë nuk ishin vetëm anëtarët dhe militantët e së Djathtës dhe të opozitës, por morën pjesë edhe qytetarë, si edhe socialistë të zhgënjyer nga PS-ja.

E dyta, protesta u zhvillua për herë të parë në historinë e demokracisë, në orët e mbrëmjes.

E treta, protesta u zhvillua nën shi, por, megjithatë, protestuesit qëndruan, ndërsa organizatorët shpërndanë edhe çadra, ku në to ishin shkruar: Rama Ik!

Së katërti, në këtë protestë morën pjesë edhe fermerët, të cilët në mënyrë demonstrative zbrazën qumësht përpara kryeministrisë, duke shprehur revoltën për politikat e qeverisë, e cila u ka ulur subvencionet dhe rimbursimin TVSH-së, duke i çuar fermerët në pragun e falimentimit.

Kronologjia e protestës

Ora 17:41 -Policia kordon para kryeministrisë

Policia ka krijuar një kordon përpara Kryeministrisë për të përballuar çdo situatë që mund të krijohet gjatë protestës së opozitës. Në krahasim me protestat e tjera numri i tyre është shtuar.

Ora 17:55 -Në protestë janë edhe banorët e “Unazës së Re”

Me pankarta “Qeveri e krimit”, protestës së opozitës i janë bashkuar edhe banorët e Unazës së Re.

Ora 18: 05Dhjetëra mijëra qytetarë kanë dalë në protestën e opozitës, përballë Kryeministrisë, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Qytetarët kanë hedhur shashka të shumta dhe bojë në drejtim të godinës së Kryeministrisë. Përveç domateve, protestuesit kanë qëlluar edhe me lulelakër. Disa fermerë kanë derdhur bidonë me qumësht në shenjë proteste për rritjen e TVSH.

Ja pse qytetarët kërkojnë largimin e Ramës

Jo vetëm opozita, por edhe mbështetësit e saj kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama në protestën e ditës së shtunë. Qytetarët shprehën pakënaqësi për politikat e ndërmarra nga qeveria që sipas tyre ka përkeqësuar gjendjen ekonomike. Shumë prej tyre, të ardhur nga larg Tiranës, kishin kërkesa konkrete drejtuar qeverisë. “Për të ardhmen e fëmijëve, sepse është një kriminel. Nuk respekton as të drejtën e fjalës”. “Për padrejtësinë në bujqësi, ekonomi, kudo”. “Këmbët në një këpucë po na i fut, nuk jetohet kështu, ku të shkojmë?Ku të mbytemi? Pa punë, dritat duan paguar, ujin se kam paguar se nuk kam ku ti marr lekët”. Disa të tjerë ishin në një zë me opozitën dhe ngarkuan mazhorancën me akuza për krimin dhe korrupsion. “Ne protestojmë që Rama të largohet nga ky vend dhe ne të jetojmë të qetë”. “Kërkoj që ky sistem të shembet, parulla jonë është Rama ik!” Në protestën e së shtunës pankartat ia lanë vendin çadrave të shiut, në të cilat ishte shkruar “Ik”, një thirrje kjo për Kryeministrin.

Ora 18:30-Fermerët derdhin qumështin

Në protestën e sotme të opozitës kanë marrë pjesë edhe shumë fermerë, të cilët kundërshtojnë skemën e re të TVSH. Në shenjë protestë ata kanë derdhur qumështin, por kanë hedhur edhe produkte të tjera bujqësore.

Ora 19:00-Basha: Po bie muzgu i zi për bandën kriminale në pushtet

Në fjalën e tij, kreu i PD, Lulzim Basha tha ndër të tjera: Jemi më shumë se kurrë më parë, më të bashkuar se kurrë më parë. Më të vendosur se kurrë më parë, më të fortë se kurrë më parë. Bashkë me këtë vërshim të padëgjuar për Tiranën, me këtë bashkim zemrash, mendjesh dhe vullnetesh, burrash dhe grash fisnike. Po bie muzgu i zi për bandën kriminale në pushtet. Po bie muzgu i zi për bandën e korrupsionit më të paparë. Të largojmë qeverinë e krimit. Që sot e tutje shteti, ligji, është sovrani. Kjo protestë është e nënta e 8 javë, është prova më e qartë se kjo nuk është një betejë për mirëqenien tuaj, por një përplasje politike. Ju e dini që kjo është një gënjeshtër, por dua ta deklaroj unë me zërin tim, vullnetin tuaj dhe vullnetin tim. Pakica janë ata. Koalicioni ynë është shumica e re morale. Rama ik, Rama ik! Largimi një orë e më parë i Ramës është diktati i panegociueshëm i sovranit. Kjo protestë do të ketë vetëm një përfundim, të jetë apo të mos jetë kjo Shqipëri Evropiane. Pas përfundimit të fjalës së kryetarit të PD, tensionohet situata në protestën e opozitës. Mbështetësit e PD dhe LSI kanë çarë kordonin dhe janë ngjiture tek hyrja e kryeministrisë, por nuk kryejnë asnjë veprim të dhunshëm. Simbolikisht, protestuesit dëftuan se asgjë nuk mund t’i ndalë.

Ora 19: 55-Protestuesit zhvendosen tek parlamenti, pas gati një ore e gjysmë qëndrim para godinës së kryeministrisë.

Ora 19: 56-Hidhet gaz lotsjellës nga Policia e Shtetit para parlamentit për të shpërndarë protestuesit, edhe pse nuk ka veprime të dhunshme nga protestuesit.

Apeli i Presidentit të Republikës për të shmangur konfliktin

Përmes një postimi Presidenti Ilir Meta bëri apel për evitimin e konfrontimit. Ndërkohë kryeministri Edi Rama, i cili ndodhej në Kuvajt, përmes postimeve në Twitter ironizoi protestën.
Ora 20:25-Hidhet sërish gazlotsjellës nga policia, plagoset një fotoreporter.
Ora 20:47- Policia përdor botet ujë-hedhës për të shpërndarë protestuesit

Publikohet video kur Policia e Shtetit sulmon gazetarët dhe fotoreporterët

Policia e Shtetit nuk ka kursyer nga uji edhe gazetarët apo fotoreporterët, të cilët kanë qenë thjeshtë duke bërë detyrën e tyre në protestën e opozitës. Në videon e postuar nga Reporter.al shihet se si dy fotoreporterë goditen nga vala e ujit. Pak më parë disa gazetarë nuk kanë mundur të lidhen në transmetime live për shkak se janë ndjerë keq si pasojë e hedhjes së gazit lotsjellës.
Ora 21: 30
 Protestuesit djegin një makinë para parlamentit. Ndërkohë që policia hedh gaz lotsjellës për të disatën herë. Një gazetare helmohet nga gazi dhe i bie të fikët, ndërkohë që merrte intervistë nga kryetari i PD-së

Ora 21: 45-Protestuesit sprapsen disa metra larg parlamentit, por nuk largohen. Ndërkohë forcat e policisë me skafandra vendosen në parlament të shpërndarë protestuesit.

Ora 22:07-Protestuesit në mënyrë paqësore zhvendosen drejt selisë së PD-së.

Basha mbyll protestën: Më e madhja në histori, keni vulosur largimin e Ramës

Basha ka mbyllur protestën e së shtunës nga selia blu. Pas 4 orësh protestë, kryetari i PD, Lulzim Basha, ka mbledhur qytetarët dhe mbështetësit e opozitës tek selia e PD. Basha tha se kjo protestë do të sjellë lindjen e lirisë evropiane.

 

Parisi, Tirana dhe Beogradi “ziejnë” nga protestat

Ditën e 13 prill janë zhvilluar njëkohësisht tre protesta në Evropë, në Shqipëri, në Serbi dhe në Francë. Në të tria këto vende, prej disa muajsh qytetarët protestojnë kundër largimit të qeverive. Në Shqipëri opozita kërkon largimin e Ramës, në Serbi të Presidentit Vuçiç, ndërsa në Francë, të ashtuquajturit jelek verdhë u ngritën fillimisht në protestë kundër rritjes së çmimit të naftës, por protestat vazhdojnë ende.

 

Kryeministri Rama: “Humbës të pashërueshëm”

Kryeministri Rama reagoi menjëherë pas fjalës së Kryetarit të PD, Basha, në një postim në Twitter ai cilësoi protestën e mbrëmshme “as të denjë po thjesht të turpshme për PD-LSI! Ndërsa drejtuesit e opozitës i karakterizoi si “humbës të pashërueshëm, që po rrisin çdo ditë faturën që do u presë Sovrani në 30 qershor”.

Jehona e protestës të opozitës në mediat ndërkombëtare, Euronews e transmeton LIVE

Edhe protesta e së shtunës e opozitës u pasqyrua gjerësisht në mediat e huaja. Euronews ka transmetuar live protestën nga Tirana, ndërsa shkruan se këto janë protestat e opozitës kundër qeverisë. “Opozita shqiptare po bën thirrje për dorëheqjen e Ramës, organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe të një qeverie tranzitore”, shkruan Euronews. “Tension para godinës së qeverisë” është kryeartikulli i Zërit të Amerikës. “Opozita kërkon krijimin e një qeverie kalimtare e cila të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme, gjë e cila sipas kryetarit demokrat Lulzim Basha “është një kusht i patjetërsueshëm”, shkruan ndër të tjera Zëri i Amerikës. Edhe DË ka pasqyruar protestën e opozitës, e cila shkruan se Nën thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” dhe “Rama ik”, protestuesit kërkojnë largimin e kryeministrit Rama.

VOA Policia përdori gaz lotsjellës kundër protestuesve

Para selisë së Qeverisë ku mbështetësit e opozitës u mblodhën fillimisht në mbrëmje në protestën e radhës për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, protestuesit mundën të çajnë kordonin e policisë, përballë hyrjes qendrore të godinës, pak pas përfundimit të fjalës së kryetarit demokrat Lulzim Basha, Ata qëndruan për disa minuta në shkallët e kryeministrisë, ndërkohë që forcat e policisë nuk ndërhynë për t’i sprapsur ata. Presidenti Ilir Meta bëri ndërkohë thirrje për një protestë paqësore dhe që të evitohen konfrontimet. Atmosfera e tensionuar që u vu re fillimisht para godinës së Qeverisë, u përsërit dhe përpara selisë së parlamentit, ku manifestuesit u mblodhën duke ju përgjigjur thirrjes së drejtuesve të opozitës. Policia ndërhyri me gazlotsjellës për të shpërndarë grupet e protestuesve.

Mediat italiane: Mobilizim anti-Rama, sondazhet pro PD-së dhe LSI-së

Protesta e djeshme e opozitës duket se ka bërë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare. Prestigjiozia italiane ‘Il Fatto Quotidiano’ ka shkruar për opozitarët, por jo vetëm, dhe për qytetarët të cilët protestuan pardje para Kryeministrisë. Sipas gazetarit Giancarlo Padovan, protesta e djeshme ishte një nga protestat më të mëdha, ku në shesh ndodheshin rreth 120 mijë protestues. Artikulli vijon më tej duke u shprehur se kryedemokrati Basha është i sigurt që me qytetarët mbështetje do t’ia arrijë të rrëzojë nga pushteti kryeministrin Edi Rama. Edhe pse kushtet meteorologjike nuk i kanë favorizuar aspak, qytetarët nuk janë larguar nga protesta. Po sipas kësaj gazeta , nisur nga një sondazh i bërë shumica kanë qenë pro PD-së dhe LSI-së duke mos e mbështetur aspak qeverisjen aktuale, përkatësisht me 53 % të votave për partitë opozitare, përkundrejt 44 % të PS-së të Edi Ramës.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së: Turp! Llesh Kimiku sajoi skenarë me djegie makinash falso e policë “të dhunuar”

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Bardhi reaguar kundër lajmeve se janë plagosur 5 efektivë të policisë së Shtetit nga protestuesit: “Turp! Llesh Kimiku sajoi skenarë me djegie makinash falso e policë “të dhunuar” për të mbuluar frikën e shefit të tij të vetmuar. Pas grabitjes në Rinas, djegia e makinës falso dhe policë “të dhunuar” është “suksesi” i dytë i Llesh Kimikut në 3 ditë. Parlament me vota falso, qeveri falso, kryeministër falso!

ZYRTARE – Protesta e opozitës/ 37 të arrestuar, procedohet penalisht zyrtari i PD

Shkon në 61 numri i protestuesve të proceduar penalisht, mes të cilëve 37 janë të arrestuar. Lajmi është bërë publik nga Policia e Shtetit, e cila njofton se mes personave që po ndiqet penalisht është edhe sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi. Në njoftimin e policisë, të arrestuarit vijnë nga zona të ndryshme të Shqipërisë, nga Veriu në Jug.

Akuzat

Veprimet proceduriale janë kryer në bazë të një analize të pamjeve filmike, raport shërbimeve, si dhe provave të tjera të mbledhura nga grupi hetimor. Janë proceduar në gjendje të lirë dhe 23 persona të tjerë. Është proceduar penalisht dhe Gazmend Bardhi si organizator i protestës të zhvilluar ditën e djeshme”, shtuan të njëjtat burime. Kjo nuk është hera e parë që Bardhi procedohet si organizator i protestave.

Priten të tjera arrestime

Policia njoftoi gjithashtu se po punohet për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë kryer veprime të dhunshme gjatë protestës të së shtunës.

Basha: Jemi në krah të njerëzve, krerët e bandës i pret burgu

Lulzim Basha ka reaguar sërish ndaj arrestimeve të kryera nga Policia e Shtetit. Ai zotohet se do të jetë gjithmonë në krahun e njerëzve, të cilët janë ngritur kundër asaj që ai e quan “qeveri-bandë”. “Ne jemi deri në fund në krah të njerëzve që janë ngritur kundër qeverisë-bandë. Krerët e kësaj bande i pret burgu që sot e kanë mbushur me protestues të pafajshëm!

 

Kryemadhi paralajmëron Ramën: Shumë shpejt do të japësh llogari para drejtësisë

Falënderoj të gjithë shqiptarët që duan të ndryshojnë. Kjo është protestë e shqiptarëve! E grave, e vajzave, e të rinjve, dhe gjithë atyre që duan të ardhmen në Shqipëri. Shqiptarët treguan që Edi Rama ka dështuar me familjen e tij politike, me ekonominë shqiptare, me drejtësinë shqiptare, me të ardhmen e shqiptarëve. Ky njeri i dështuar që për karrigen e tij helmon, dhunon dhe arreston qytetarë të pafajshëm, gazetarë, të rinj, të reja, burra e gra, shumë shpejt do të japë llogari para drejtësisë. Asnjë hap pas! Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve të cilët ndërtojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Euronews, shkatërrimtar për imazhin e Ramës

Ish-kryeministri Sali Berisha ka shpërndarë në rrjet kronikën e Euronews mbi protestën e djeshme të opozitës në Tiranë. Berisha e cilëson Euronews shkatërrimtar për imazhin katran të narkoshtetit dhe kreut të tij. “Në të gjitha gjuhët që transmeton, informon publikun evropian mbi stuhinë e protestave në Shqipëri. Rrjeti televiziv me i shikuar në Evropë raporton se opozita shqiptare kërkon largimin e Edi Ramës dhe zgjedhje të parakohshme”, shkruan Berisha.

Berisha: Revolucion demokratik!

Sali Berisha i bëri thirrje kreut të qeverisë Edi Ramës të dorëhiqet. Ai tha se protesta e e opozitës i tregoi botës se shqiptarët janë në kryengritje demokratike. “Edi Rama është në shkretëtirë. I ka kohërat e numëruara. Protesta është në vazhdim, por sesi do vazhdojë ka një shtab që e organizon. Protesta e opozitës e bëri kryebandën shtetëror, qeverinë të struket. E bëri kryeministrin t’ia mbathe. Sa herë që protestohet ikën ja mbath. Pushteti është i qytetarëve! Qeveria po vazhdon zakonin e vet, po vjedh. Por shumë shpejt do t’i vjellë ato që ka vjedhur. Protesta e sotme u tregoi botës se shumica e shqiptarëve është në kryengritje paqësore. Është revolucion demokratik, me elementë të mos bindjes civile”, – u shpreh ish-kryeministri.

Salianji i përgjigjet Lleshajt: Dje na mbyte me gaz, sot na shkrive gazit

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili në një deklaratë për mediat tha se gjatë protestës së pardjeshme të opozitës nuk u cenua thjesht rendi publik, por rendi kushtetues. Salianji: Lleshaj na mbyti me gaz, dje nga frika helmoi popullin me gaz helmues, sot me servilizmin deri në budallallëk shkriu shqiptarët gazit.