Meta takon Tsipras: Marrëdhëniet shqiptaro-greke t’i trajtojmë në mënyrë konstruktive

411
Sigal

Gazeta Telegraf/

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit të mërkurën nga
kryeministri grek, Alexis Tsipras. Gjatë takimit, kryetari i Kuvendit shprehu
mirënjohjen për mbështetjen që Greqia i ka dhënë Shqipërisë në anëtarësimin e
saj në NATO, në marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, si dhe mbështetjen
që i jep ecurisë së saj në procesin e integrimit evropian. “Jam këtu për të
shprehur falënderimin për gjithë mbështetjen që Greqia ka dhënë për Shqipërinë,
jo vetëm për anëtarësimin në NATO, por dhe për marrjen e statusit së vendit
kandidat për t’u anëtarësuar në BE gjatë presidencës greke. Ne mbështetemi
shumë te suporti i Greqisë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Jemi dy nga
popujt më të vjetër të gadishullit dhe në pjesën më të madhe të historisë
popujt tanë kanë bashkëjetuar dhe kanë ndarë vështirësi të përbashkëta”, u
shpreh Meta. Në këtë kuadër, kryetari i Kuvendit theksoi se marrëdhëniet mes dy
vendeve duhet të dominohen nga interesat e përbashkëta dhe se çështjet e
mbartura nga e kaluara duhen trajtuar në mënyrë konstruktive sipas përkatësisë
evropiane që na takon. “Natyrisht, si të gjithë fqinjët, në historinë e
marrëdhënieve tona kemi disa plagë, por nuk janë këto që dominojnë marrëdhëniet
tona. Ato dominohen nga interesat e përbashkët, dhe dihet që një plagë edhe kur
e përkëdhel, prapë e lëndon. Por unë besoj që ne me urtësi dhe me vullnet
pozitiv, jo vetëm që do t’i japim një hov të ri marrëdhënieve të gjithanshme
shqiptaro-greke, sepse kjo është një kërkesë e qytetarëve tanë, por dhe t’i
trajtojmë në mënyrë konstruktive sipas edhe përkatësisë evropiane që na takon
të gjitha çështjet e mbartura nga e kaluara”, shtoi Meta. Kryeparlamentari
shqiptar vlerësoi momentin pozitiv të Greqisë, si edhe përmirësimin e situatës
ekonomike dhe sociale, pasi fatet e dy vendeve tona kanë qenë dhe janë sot më
të lidhura se asnjëherë tjetër, tha ai. “Ne kemi përfituar shumë nga zhvillimi
dhe të mirat e Greqisë pas viteve ‘90 dhe njëkohësisht edhe ne kemi ndjerë
pasojat e krizës ekonomike sociale këtu vitet e fundit. Ndaj gëzohem shumë për
këtë moment stabiliteti, sepse një Greqi më e fortë ekonomikisht dhe
politikisht është edhe interesi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve”, u shpreh ai. Duke
u ndalur tek çështjet e emigrantëve shqiptarë në Greqi, kryetari i Kuvendit
vlerësoi vizionin integrues të qeverisë Tsipras dhe kërkoi që të bëhen
përpjekje edhe më të mëdha në këtë drejtim. Ai falenderoi kryeministirn Tsipras
dhe qeverinë që ai drejton “për vizionin mjaft integrues për emigrantët”. Do ju
lutesha që të bënit përpjekje të tjera në këtë drejtim, theksoi Meta, pasi kjo
është shumë e rëndësishme për të dy vendet tona, jo thjesht për miqësinë, por
edhe për vëllazërinë midis shqiptarëve dhe grekëve. Në 26 vjet janë krijuar kaq
shumë lidhje mes dy vendeve dhe dy popujve, lidhje familjare, shoqërore,
njerëzore, ekonomike, tregtare sa që nuk mund të ketë më forcë as politika për
t’iu kundërvënë kësaj marrëdhënie mjaft të fuqishme njerëzore në radhë të parë
mes dy vendeve, tha kryeparlamentari.