Meta-Rama bien dakord: Kollçaku, shef i ri i ushtrisë shqiptare

515
Presidenti i Republikës dekreton gjeneralin e brigadës si Shef të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, njëkohësisht komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, dekretoi Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçakun në postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Në këtë mënyrë, Kreu i Shtetit ka pranuar propozimin e kryeministrit dhe ministres së Mbrojtjes për të caktuar në drejtimin e ushtrisë shqiptare oficerin e lartë, i cili vetëm pak ditë më parë mori nga Meta gradën “gjeneral brigade”. Me dekretin e Presidentit Meta merr fund boshllëku i krijuar, që i kishte lënë Forcat e Armatosura të Shqipërisë pa një drejtues. 

Shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade Kollçaku në karrierën e tij të gjatë e të spikatur ushtarake, pas përfundimit të Akademisë Ushtarake në vitin 1990 si oficer zbulimi taktik, ka shërbyer si Drejtor i Drejtorisë J5/8 në Shtabin e Përgjithshëm, para se të kryente detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës, Sigurisë dhe Mbrojtjes (AISM) në vitin 2015. Gjithashtu Gjeneral Brigade Kollçaku ka mbajtur edhe pozicione të ndryshme në nivel shtabi brigade (Shef Zbulimi), Drejtor i Drejtorisë J2 dhe Drejtorisë J3 në Shtabin e Përgjithshëm, si dhe Shef Sektori në Drejtorinë e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, duke shërbyer edhe në pozicione të tjera të rëndësishme në mjedise ndërkombëtare e shumëkombëshe. Në kuadër të NATO-s, detyra e tij e fundit ka qenë Drejtor i Divizionit të Koordinimit dhe Integrimit në Komandën Supreme të Aleancës në periudhën 2013-2014. Nga tetori 1996 deri në prill 1997 me gradën e atëhershme të Kolonelit, Gjeneral Brigade Kollçaku shërbeu si Vëzhgues Ushtarak në Misionin e OKB-së në Gjeorgji. (UNOMIG). Gjeneral Brigade Kollçaku, para se t’i jepej grada madhore aktuale nga Presidenti Meta më 31 korrik 2017, ka ndjekur dhe është diplomuar edhe në Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të SHBA, Kolegjin e Forcave të Armatosura të Përbashkëta, Kursin e Kombinuar të Inteligjencës Strategjike pranë Agjencisë së Zbulimit Ushtarak të SHBA, si dhe Kursin Ekzekutiv të Studimeve Strategjike të Sigurisë Evropiane në Qendrën “Xhorxh C. Marshall”.

Kodheli: Falënderoj Metën e Ramën
Ministrja në largim e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, falënderoi Kreun e Shtetit dhe kryeministrin për emërimin e Bardhyl Kollçakut si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. “E bindur se gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku do të vijojë me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë kontributin në detyrën e tij të re si shef i Shtabit të Përgjithshëm, ashtu siç ka bërë në këto 35 vjet shërbim në Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Falënderim për kryeministrin dhe presidentin që pranuan propozimin tim për të vënë në krye të FA gjeneral Kollçakun”, shprehet Kodheli, e cila pas pak ditësh do t’ia lërë detyrën Olta Xhaçkës.
Sigal